Home Kultura Thoma Turtull...

Thoma Turtulli, filantropi që i dhuroi Korçës thesare civilizimi, për të merituar atë mirënjohje që nuk mjafton

126
0

Nga Albert Vataj

Më 19 nëntor 1937 ndërroi jetë bamirësi i shquar, Thoma Turtulli. Ai, edhe pse nuk ka statujë apo monument që ta përkujtojnë, atë e lanë edhe pa varr. Por vepra e tij e humanitetit është ende ndër thesaret e Korçës, është e ngulitur thellë në shpirtin e qytetit, në themelet e asaj përjetësie që mbeti i vetmi dhe më i epërmi shpërblim për të.

Shpesh herë kryeqëllimin e udhëtimit tranzit në jetë, jam rrekur ta lidh me përpjekjen që ngadhënjen për të qenë gjurmë në përjetësi. Jo të gjithë kanë patur fatin të mbeten kujtesë dhe mirënjohje, rrjedhimisht, arsye e themeltë e dimensionit të përjetësisë që ata i kanë ofruar vetes. Më shumë se luftërat absurde, idetë e çmendura, lajthitjet e personalitetit, krekosjet e egos, lajkatimet e sedrës së sëmurë, kultit të individit, ekstremizmi i narcizmit, etj., ajo që shpërblehen me jetën e amshuar dhe gëzojnë statusin e të jetuarit në përjetësi, janë ata që nuk ishin heronj që të shkruanin kujtesën e tyre në akte trimërie e guximi, por në shpirtmadhësi e zemërbardhësi. Dhe për hir të së vërtetës, ata që qenë të shpërblyer aq bujarisht me mirësi dhe humanizëm, sa të zgjidhnin të mbetnin të përjetshëm, janë fare pak, dhe fatlum ishte dhe është Korça, që pati drejtuar kah ajo duart e një shpirt të begatisë qiellore, i cili i dhuroi qytetit atë çfarë do t’i jetë mirënjohës në jetë të jetëve. Ai që ka mbetur në historinë e këtij detyrimin gjeneratash për falënderim dhe përulje, është Thoma Turtulli, i cili i dhuroi kësaj kryeqendre të juglindjes së Shqipërisë, spitalin, bibliotekën, kinemanë, shkollën e mesme (liceun) dhe jetimoren.

A nuk është madhështore?!

A do të mjaftonte mirënjohja e këtij qyteti për këtë zemërbardhësi?!

Cili pati atë shpirt, i cili zgjodhi që pulsi e tij të rrahë përgjithmonë në të gjallët e një qyteti?!

E megjithatë kjo familje sot nuk ka varr. Korrektësisht, komunistët i shkatërruan në mënyrë barbare varrin monumental të kësaj familjeje të shquar, dhe eshtrat e filantropit të madh nuk dihet ku përfunduan.

Thoma Turtulli, dikur e njihnin të gjithë, jo vetëm si tregtar por edhe si dorëdhënë. Sot, janë fare pak njerëz në Korçë e jashtë saj që dinë diçka për të, edhe pse ndonjë përkujtimore akademike është rrekur ta ridimensionojë këtë figurë, ta kthejë në lavdinë e vet këtë emër dhe këtë vepër. Gjithqysh, pavarësisht se sa u bë dhe çfarë u tha për të, ai ishte dhe mbeti një nga filantropët më të mëdhenj që ka nxjerrë kombi shqiptar.
Filantropi që begatoi zemra në fatbardhësi të jetës, që shpëtoi nga vdekja e sigurt me dhjetëra njerëz, por që e pati të pamundur ta shpëtonte veten, jo nga vdekja, por nga mënxura e kuqe.

Mbahet mend se Thoma Turtulli, ishte ai që përgatiti pajën e shumë familjeve të vobekta korçare dhe fitoi dashurinë e simpatinë e mijëra zemrave dhe ia arriti kësaj më të njëjtën zemërbardhësi dhe shpirtbujari që na thërret ta kujtojmë sot me nderim dhe respekt. Sepse ai nuk ishte i vetmi që kishte për të dhënë, por pakkush pati aq shumë sa të jepte gjithçka me gjithë zemër.

Edhe pse regjimi monstruoz diktatorial, u soll egërsisht me familjen Turtulli, duke i lënë ata pa varr, akti sublim i bujarisë është më i larti monument i memories dhe mirënjohjes, të cilën nuk ka barbari ta fshijë nga faqja e dheut, siç nuk do të ketë monstruozitet fanatikësh terrorist të kuq, apo çfarëdo ngjyre, që të mund ta asgjesojë. Sepse fara e mirësisë e hedhur në themelet e një humanizmi të tillë si ai i Thoma Turtullit, do të mbijë e të harliset në nevojën tonë për mirënjohje dhe konsideratë.

Po kush ishte Thoma Turtulli?

Askush më saktë nuk i jep përgjigje kësaj pyetjeje se sa Athina Turtulli, e cila rrëfen për kujto.al jetën e babait të saj, Aleko Turtullit, trashëgimtarit të vetëm të një prej familjeve më të shquara dhe filantrope korçare. Një rrëfim i bashkëngjitur me dokumente zyrtare dhe foto domethënëse ku tregohet kthesa e papritur në jetën e familjes Turtulli ku në vend të nderimit dhe mirënjohjes ajo do përballej me hakmarrjen dhe përndjekjen komuniste. Një jetë e ndarë mes kontributit të vyer dhe bamirësisë së pakursyer të familjes së njohur dhe sekuestrimin e pasurisë, dënimin me burg të pinjollit të saj.
Ndër të tjera, Athina Aleko Qirici Turtull, në një dëshmim për Najada Pendavinji, kujto.al, mes të tjerave ajo hedh një vështrim thellë në kohë: Dera e madhe qytetare Turtulli, vjen nga Vithkuqi i Korçës, por që herët të gjithë veprimtarinë e saj do e drejtonte kah zhvillimit të qytetit të Korçës. Stërgjyshi im Koçi i Ndrios, etiketohej si gozhdaxhiu dhe merrej me tregti, materiale ndërtimi, ku qysh në vitin 1885, djemtë e tij, pra gjyshërit e mi, do krijonin firmën tregtare që quhej atëherë “Vëllazëria Turtulli”. Një firmë e cila do t’i kalonte kufijtë shqiptarë dhe do shtrinte degët e saj në Selanik, Manastir etj.. Kështu filloi të ngrihej pasuria e Turtujve, e cila që në atë moment do vihej në shërbim të njerëzve në nevojë apo në përgatitjen e pajës së vajzave të reja. Në testamentin që ne kishim, pasi në vitin 1973 u dogj shtëpia dhe u zhdukën shumë dokumenta, por e kam lexuar vetë, kishin martuar 50 vajza, me prikë dhe i kishin dhuruar nga 50 deri në 100 napolona flori. Gjithashtu do përfshiheshin edhe në lëvizjen atdhetare të qarkut Korçë, duke treguar patriotizmin e tyre në shumë drejtime. Ishte koha kur elita e kombit po sakrifikonte në mënyra të ndryshme për atdheun. Turtujt përpos të tjerave zgjodhën rrugën e bamirësisë. Ishin njerëz me mendje të ndritur dhe zemër të pastër të cilët ideuan projekte të mëdha e të rëndësishme që shënjuan jetën e korçarëve dhe jo vetëm.

Athina në këtë dëshmim për kujto.al bën gjithashtu një ekspoze të plotë të familjes Turtulli, kah erdhi për të mbetur në historinë e qytetit të Korçës me vepër, filantropi, Thoma Turtulli.

Vëllazëria Turtulli, saktëson ajo, ishin: i madhi Andrea Turtulli, i dyti Thoma Turtulli, i treti Mihal Turtulli me profesion mjek, i emëruar si ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Kongresit të Lushnjës, i katërti Vangjel Turtulli, Senator Nderi në senatin Italian dhe e pesta motra e tyre, Evanthi Theodhosi, e ëma e Koço Theodhosit, ministër i pushkatuar nga regjimi komunist.

Thoma Turtulli ishte me origjinë nga Vithkuqi, dikur një qytet i madh me shumë lagje, kisha e shkolla, që rivalizonte për nga përparimi vetë Voskopojën. Por njësoj, si Voskopoja dhe Vithkuqi u dogjën dhe u grabitën tre herë. Asokohe, Familja Turtulli u zhvendos në Korçë dhe bëhet një prej familjeve më të njohura tregtare të kohës. Thoma Turtulli e kompania e tij zhvillonte tregti me Durrësin, Shkodrën, Tiranën, por edhe me Selanikun, Manastirin e Stambollin, kryeqendra këto të zhvillimit dhe kapaciteteve gjeneruese ekonomike, dhe jo vetëm.

Shumë shpejt ai iu përkushtua punëve të mëdha filantropike, për ta bërë Korçën, shembull të një qyteti evropian, për t’i dhënë asaj çfarë meritonte.

Kështu në qytetin e Korçës më 25 dhjetor 1927-ë, çeli dyert kinemaja “Majestic”, një La Scala e vogël në zemër të qytetit. Kjo kinema e bukur u ngrit nga Kompania Anonime Shqiptare “Cinemato”, e krijuar prej Thoma Turtullit e miqve të tij.
Ai i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës, bibliotekën, duke parë etjen e madhe për dije të korçarëve. Në qytetin tonë e rreth tij, ekzistonin shumë libra nga bibliotekat e dikurshme të Voskopojës, Vithkuqit e vetë Korçës si dhe të sjella dhe nga shoqëria “Vatra” e SHBA-ës.

Kështu që biblioteka e bukur e Korçës, e inauguruar më 1930-ën, numëronte rreth 30000 libra, asaj kohe. Jo vetëm kaq, qytetit të elegancës dhe kulturës, biri i saj, Thoma Turtulli i dhuroi edhe, liceun, këtë vatër dije, brenda e jashtë Shqipërisë. Ndërsa spitali i qytetit u inaugurua në vitin 1934. Pas përfundimit të tij, bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja, i dhuroi shtetit 40.000 franga ari për ndërtimin e shkollës industriale.
Mbreti Zog e dekoroi zonjën Athina Turtulli me Urdhërin e Skënderbeut. Thuhet se Thoma Turtulli ndiqte vete punimet për ndërtimin e spitalit dhe atje u sëmur nga bronkopneumonia.
Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mbretit Zog, i cili solli enkas nga Selaniku mjekët më të mirë, ai nuk shpëtoi dot vdekjes, e cila i mori të gjallët, i përpiu trupin, për t’i lënë eshtrat në mëshirën e një barbarie, e cila, kur varrezat e Korçës u zhvendosen nga kisha e Shën Mërisë, shkatërroi varrin monumental i kësaj familje të shquar dhe eshtrat e Filantropit të Madh nuk dihet ku përfunduan.

Akti i bamirësisë së Thoma Turtullit, vepra e tij janë sot xhevahire të shkëlqimta në gjerdanin e krenarisë dhe qytetarisë evropiane të Korçës.
Po sot?

Sot, ajo çfarë ishte familja Turtulli, është e shkruar në faqet e historisë, në kujtesën e kohës, dhe patjetër, zemra dhe mendja e përmasave të përjetësisë së Thoma Turtullit, rreh ende në të gjallët e qytetit të Korçës, madhështon si një solemnitet në veprat e bamirësisë që begatim mbeti për shpirtin e qytetit.

Sot?!

Po, sot, mjerisht ka shumë e shumë, më të pasur se Thoma Turtulli, në Korçë dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë, por ata nuk do të mund që shpirtin e tyre të vogël ta shpëtojnë nga harrimi shuma e parave që kanë, babëzinë që ata nuk mund ta ngopin kurrë, narcizmi që i sëmuri dhe… arroganca, kusaria, pamëshira, fudullëku dhe injoranca, që i armatosi me pushtet dhe privilegje, por pa mundur t’i shpëtojë nga një vdekje harrimtare. Ata jetuan si të vdekur dhe vdiqën dhe do të vdesin, pa mundur që shpirti i tyre të linte ose të lërë diçka prej tyre të gjallëve që ata ishin, prej këtij udhëtimi tranzit që ata bënë dhe po bëjnë. Ata, është e vërtetë se kanë gjithçka, por s’deshtën dhe s’do të mundin kurrë të kenë, shpirtin e madhe dhe zemrën e bardhë të Thoma Turtullit, këtij të përjetshmi që jetoi dhe dhuroi çfarë sot e mot, është e denjë për mirënjohje dhe respekt.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit