Home Aktualitet U kapën me ko...

U kapën me kokainë dhe mbi 2 mijë euro, arrestohen dy trafikantët në Korçë

22
0

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin antidrogë të koduar “Epilog”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E. A., 41 vjeç, banues në Korçë dhe A. D., 44 vjeç, banues në Elbasan.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se dy shtetas në lagjen nr. 10, Korçë, ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, shërbimet e policisë organizuan veprimet dhe bënë të mundur lokalizimin e tyre.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë në përdorim nga shtetasi E. A., në të cilën ndodhej edhe shtetasi A. D., u gjet 90.2 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 120.2 gram prokusor (përzierës) dhe 1 peshore elektronike. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. A., si edhe në mjetin e tij tip “Volkswagen Golf”, iu gjetën pesë doza me peshë 1.4 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve të mëtejshme procedurale, u ushtrua kontroll edhe në banesën e shtetasit A. D., në qytetin e Elbasanit, ku u gjet 37.6 gram lëndë e dyshuar kokainë.

Gjatë këtij operacioni, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 129.2 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 120.2 gram prokusor, 2050 euro, 1 automjet tip “Volkswagen Golf” dhe 3 aparate celularë.

Po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit