Home KRYESORE VOA: Putin i ...

VOA: Putin i bën homazhe Gorbaçovit në spital, por nuk do të marrë pjesë në funeral

445
0

Nga “Zëri i Amerikës”-

Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi të enjten spitalin ku ndodhet trupi i pajetë i Mikhail Gorbaçovit për të vendosur një tufë me lule, por nuk do të marrë pjesë në funeralin e ish-udhëheqësit të fundit sovjetik. Një vendim i tillë duket se pasqyron dyzimin e Kremlinit lidhur me trashëgiminë që la pas Mikhail Gorbaçovi.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se vizita në spital e zotit Putin u krye përpara se ai të nisej për një udhëtim pune në Kaliningrad, enklava ruse në Baltik.

“Fatkeqësisht, axhenda e presidentit e bënte të pamundur që ai ta bënte këtë gjë të shtunën, ndaj vendosi ta bëjë sot”, tha zoti Peskov në një telekonferencë me gazetarët.

Mikhael Gorbaçov vdiq të martën. Ai do të varroset në varrezat ‘Novodevichy’ të Moskës pranë bashkëshortes së tij Raisa. Ceremonia e lamtumirës do të mbahet në një vendndodhje historike pranë Kremlinit, që ka shërbyer si qendër për funeralet shtetërore që nga periudha e ish-Bashkimit Sovjetike.

I pyetur nëse zoti Gorbaçov do të përcillej me një funeral shtetëror, zoti Peskov tha se ceremonia do të ketë “elemente” të tillë, si rojet e nderit dhe se qeveria do të ndihmojë në organizimin e saj. Por ai nuk dha detaje se çfarë ndryshimi do të ketë ceremonia në raport me një funeral të plotë shtetëror.

Vendimi i zotit Putin për të zhvilluar një vizitë private në spital, duke qëndruar larg ceremonisë publike të lamtumirës, kombinuar me paqartësitë rreth llojit të ceremonies që do të zhvillohet, pasqyrojnë opinionet e ndara të Kremlinit mbi trashëgiminë e Mikhail Gorbaçovit. Udhëheqësi i ndjerë është vlerësuar në Perëndim për kontributin e tij në dhënien fund të Luftës së Ftohtë pa gjakderdhje, por ai është kritikuar nga shumë njerëz në Rusi, për veprimet që çuan në shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, si dhe zhytjen e miliona vetëve në varfëri.

Në të kaluarën presidenti Putin e ka fajësuar zotin Gorbaçov në mënyrë të përsëritur se dështoi të merrte angazhime me shkrim nga Perëndimi që NATO nuk do të zgjerohej drejt lindjes, çështje që për dekada ka qenë arsye për tensione të mëdha në lidhjet Rusi-Perëndim, tensione që u ndezën edhe më shumë kur udhëheqësi rus filloi luftën në Ukrainë më 24 shkurt.

Në telegramin e ngushëllimit të lëshuar nga Kremlini të mërkurën zoti Putin vlerësonte zotin Gorbaçov si një njeri “me një ndikim të madh në rrjedhën e historisë botërore”.

“Ai e udhëhoqi vendin gjatë ndryshimeve të vështira e dramatike, mes sfidave të politikës së jashtme, ekonomike dhe shoqërore në shkallë të gjerë”, shprehej zoti Putin. “Ai e kuptoi thellësisht se reformat ishin të nevojshme dhe u përpoq të ofronte zgjidhjet e tij për problemet akute”, shkruhej më tej në telegram.

Pikëpamja e dyzuar e Kremlinit në raport me zotin Gorbaçov u pasqyrua edhe në transmetimet e televizionit shtetëror. Megjithëse u nderua si një figurë historike, reformat e tij u konsideruan të planifikuara keq, duke e bërë atë përgjegjës që nuk arriti të mbrojë interesat e vendit në dialogun me Perëndimin.

Kritikat u bënë jehonë vlerësimeve të mëparshme të zotit Putin, i cili e ka konsideruar rënien e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit