Gjergj Luca kremton 250-vjetorin e SHBA-ve, me ngritjen e flamurit amerikan në “Rozafa Apollonia”
Nga Albert Vataj
Në ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtojnë 250-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një ceremoni e thjeshtë, por me ngarkesë të fortë simbolike, u zhvillua në kompleksin Rozafa Apollonia në Fier. Sipërmarrësi Gjergj Luca ngriti flamurin amerikan, duke e shoqëruar këtë akt me një mesazh mirënjohjeje për kombin që, në më shumë se një shekull, ka qenë aleati më i madh i shqiptarëve.
Për shqiptarët, 4 Korriku nuk është vetëm festa kombëtare e Shteteve të Bashkuara. Ai është edhe një ditë reflektimi mbi një miqësi historike që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fatin e kombit tonë.
Kur, pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria rrezikonte të zhdukej nga harta politike e Evropës, ishte Presidenti Woodrow Wilson ai që refuzoi copëtimin e saj, duke mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për të ekzistuar si shtet i pavarur. Ky akt mbetet një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë moderne.
Kur vendi po dilte nga izolimi komunist dhe kërkonte të ndërtonte demokracinë, ishte vizita historike e Sekretarit amerikan të Shtetit James Baker, në qershor të vitit 1991, ajo që u shndërrua në një simbol të shpresës dhe të rikthimit të Shqipërisë në familjen e kombeve demokratike.
Më pas erdhën mbështetja amerikane për integrimin euroatlantik të Shqipërisë, anëtarësimi në NATO dhe, mbi të gjitha, ndërhyrja vendimtare e Shteteve të Bashkuara dhe e aleatëve të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Emri i Presidentit Bill Clinton mbetet i lidhur përgjithmonë me lirinë e Kosovës, ndërsa miqësia shqiptaro-amerikane u shndërrua në një prej shtyllave më të forta të politikës sonë të jashtme.
Në çdo moment vendimtar të historisë moderne shqiptare, Amerika ka qenë pranë shqiptarëve. Ajo ka qenë mbështetëse e shtetit shqiptar, mbrojtëse e lirisë së Kosovës dhe vendi ku qindra mijëra bashkatdhetarë ndërtuan jetën e tyre me punë, sakrificë dhe dinjitet, duke u bërë pjesë e historisë së suksesit amerikan.
Në këtë frymë mirënjohjeje, Gjergj Luca zgjodhi që 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së ta shënonte me ngritjen solemne të flamurit amerikan në Rozafa Apollonia, një projekt që ai e konsideron simbol të besimit te puna, sipërmarrja dhe zhvillimi.
Në videomesazhin e publikuar me këtë rast, Luca u shpreh:
“Pa Amerikën, Shqipëria sot do të ishte kafshatë e ngrënë. Kosova do të ishte një plagë e hapur dhe Zoti do ta kishte harruar këtë komb. Gëzuar 250-vjetorin, Amerika jonë e dashur!”
Ceremonia nuk u zhvillua mes protokolleve zyrtare, por mes njerëzve që çdo ditë kontribuojnë në këtë sipërmarrje. Ishin punëtorët, bashkëpunëtorët dhe stafi i kompanisë ata që u bënë pjesë e ngritjes së flamurit, duke i dhënë këtij momenti dimensionin e një feste të përbashkët.
Një nga çastet më domethënëse ishte lutja e secilit sipas besimit të vet. Luca bëri shenjën e kryqit. Një punëtor shqiptar mysliman lartësoi fjalët “Allahu Ekber”. Një tjetër u lut “Në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”. Ishte një skenë që përcillte një mesazh të qartë, se liria fetare, bashkëjetesa dhe respekti për tjetrin janë ndër vlerat që bashkojnë shqiptarët dhe që përbëjnë gjithashtu themelet mbi të cilat është ndërtuar shoqëria amerikane.
Ndërsa flamuri amerikan valëvitej mbi Rozafa Apollonia, Luca shtoi:
“Zoti e ruajtë dhe e bekoftë atë komb të madh!”
Ceremonia përkoi edhe me një moment të rëndësishëm për vetë kompleksin Rozafa Apollonia, i cili po i afrohet përfundimit të një tjetër faze ndërtimore. Projekti synon të shkojë përtej ndërtimit të një strukture moderne, duke krijuar një model të ri zhvillimi për bujqësinë, agroindustrinë dhe përpunimin ushqimor, si pjesë e një ekonomie që mbështetet te prodhimi, puna dhe investimi afatgjatë.
Ngritja e flamurit amerikan në këtë kompleks nuk ishte thjesht një gjest ceremonial. Ishte një deklarim mirënjohjeje për kombin që ka mbështetur shqiptarët në momentet më vendimtare të historisë së tyre dhe, njëherazi, një afirmim i bindjes se zhvillimi ndërtohet mbi të njëjtat vlera që kanë bërë të madhe Amerikën: lirinë, punën, sipërmarrjen, besimin dhe mundësinë që secili të ndërtojë me dinjitet të ardhmen e vet.
Në këtë kuptim, flamuri që u ngrit në Rozafa Apollonia nuk valëvitej vetëm për të nderuar 250-vjetorin e një shteti mik. Ai valëvitej si simbol i një miqësie historike, i një aleance të provuar në kohë dhe i besimit se liria, puna dhe solidariteti mbeten forcat që ndërtojnë të ardhmen e kombeve.
KOHA JONË SONDAZH

