Home Aktualitet Zhvillohet në...

Zhvillohet në Institucionin e Presidentit aktiviteti ”Gruaja-shpirti i thesareve tona etnografike”

56
0

U zhvillua sot në Institucionin e Presidentit të Republikës, eventi “Gruaja-shpirti i thesareve tona etnografike” nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj dhe Zonjës së Parë, Armanda Begaj. Eventi kishte në qendër kontributin e gruas shqiptare në trashëgiminë kulturore dhe etnografike shqiptare. Në këtë kuadër, u shfaq ekspozita fotografike e mbështetur nga Institucioni i Presidentit me titull  “Xhubleta, shqiptare, universale, e përjetshme” e fotografit të mirënjohur Ergys Zhabjaku.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj u shpreh se “thesaret materiale dhe jomateriale të trashëgimisë kombëtare shqiptare janë rrënja jonë, janë identiteti pa të cilin ne nuk do të kishim këtë vitalitet që na ka mbrojtur shpirtërisht edhe në kohërat e errëta të historisë.”  Kreu i Shtetit theksoi se “parësore në rrugën e zhvillimit të qytetërimit mbetet gjithmonë trashëgimi i sistemit të vlerave tona kulturore nëpërmjet edukimit të fëmijëve tanë, gjeneratës së re. Të pasurojmë kurrikulat shkollore dhe të nxisim e rrisim ndërveprimin me fëmijët që në klasat e para mbi trashëgiminë tonë kulturore”,-tha Begaj.

Zonja e Parë, Armanda Begaj përshëndeti të pranishmit në event, duke theksuar se “duhet të mbështesim të gjithë pasurinë tonë etnografike dhe rolin e qenësishëm të gruas shqiptare në krijimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie. Është detyrim i ne të gjithëve që trashëgiminë tonë etnografike ta ruajmë, studiojmë dhe përcjellim ashtu si e meriton. Vetëm kështu, do të mund të jemi të sigurt që kemi ruajtur identitetin tonë kombëtar dhe i kemi kthyer vlerat e traditat shqiptare në vlera universale. Duhet ta bëjmë këtë për gruan shqiptare, ta bëjmë këtë për kombin shqiptar”.

Në fund të ceremonisë, iu dha titulli “Mjeshtër i Madh” etnografes së njohur Afërdita Onuzi. Aktiviteti u përshëndet edhe nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” në Shkodër, përmes vallëzimit “Vallja me shamija” punuar nga koreografi Aldo Nika.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit