Vjosa “tërbohet” pas 50 vjetësh, nuk do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në jug

Niveli i ujërave të Semanit dhe Vjosës po ulet, por ai mbetet ende kërcënues, sepse shirat nuk kanë ndërmend të pushojnë. Situata është aq alarmante dhe kritike , saqë edhe pse autoritet më të larta të vendit janë në gatishmëri të plotë, katastrofa e përmbytjeve mund të thellohet edhe më tej në ditët në vazhdim. Sipas vlerësimit paraprak, prurjet e deritanishme të lumit Vjosa nuk ishin parë prej gjysmë shekulli. Ndërkohë, në Fier, në komunën Levan, në fshatrat Ferras, Martinë, Bishan dhe Poro, forcat e ndërhyrjes emergjente kanë evakuuar 110 familje. Operacionet më të vështira kanë qenë në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”. Dy helikopterë të forcave ushtarake kanë ndërhyrë në fshatin Poro të komunës Frakull dhe fshatin Darzezë e Re, komuna Dërmenas, në rrethin e Fierit.  Për evakuimin e familjeve nga komuna Novoselë janë angazhuar njësitë e “Delta Force” të Forcave të Armatosura.  Policia Rrugore ka bllokuar rrugën e vjetër Levan-Novoselë për shkak të ujrave sipërfaqësore që kanë arritur nivele të larta mbi rrugë. Nga Fieri në Vlorë funksionon vetëm autostrada e re Fier-Vlorë.

Pesë mijë HA nën ujë, Prençi: Operacione, edhe gjatë natës

Shefi i shtabit të emergjencave civile, Shemsi Prençi, i pranishëm në zonat e përmbytura deklaroi se operacionet e shpëtimit janë shtrirë përtej Fierit dhe Vlorës. – “Prej tre ditësh jemi në krye të operacionit për menaxhimin e situatës në Vlorë, Fier, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan. Situata ka qenë e vështirë për shkak të reshjeve dhe prurjeve të lumenjve. Më problematike ka qenë situata në Frakull, Novoselë dhe Levan të Fierit”, – theksoi Prençi. Ai vuri në dukje se thellësia e ujit ka arritur në 1.3 metra, ndërkohë që ka edhe banesa të mbuluara tërësisht. – “Kemi evakuuar rreth 300 familje, 110 prej të cilave në Novoselë, mbi 100 të tjera në Levan, etj. Ndërkohë ka qenë tërësisht e pamundur të shpëtohej bagëtia, sepse në zonën mes Fierit dhe Vlorës kullosin me dhjetëra mijëra bagëti. Edhe sikur të kishim mjetet më të sofistikuara do të kishte qenë e pamundur t’i shpëtonim. Skuadrat tona u thanë barinjve të lëvizin bagëtitë në pjesët kodrinore, por ata nuk na dëgjuan”, shtoi më tej Prençi, i cili garantoi se operacionet janë zhvilluar dhe do të vijojnë edhe gjatë natës. – “Jemi dhjetëra forca policie që do vazhdojmë operacionet edhe gjatë natës, pasi janë rreth 5 mijë hektarë tokë nën ujë.”

Mbledhja e qeverisë, Niko Peleshi:  Njësitë e emergjencës, në gatishmëri

Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, që u zhvillua  mbrëmjen e së hënës, zv. kryeministri Niko Peleshi, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe ai i Brendshëm Saimir Tahiri kanë dalë në një deklaratë për shtyp, ku kanë raportuar për situatën. Zv.kryeministri Peleshi ka bërë të ditur se të gjitha njësitë e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë, ndërsa u ka bërë thirrje banorëve të zonave të prekura që të bashkëpunojnë me skuadrat e shpëtimit. Sipas tij, qeveria nuk do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, sikurse ishte informuar më herët nga burime të afërta me ekzekutivin.

Panariti: Situata e pazakontë, mund të rëndohen në ditët e ardhshme  

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thekson se përballë situatës së rënduar, ku askush nuk e kishte parashikuar një katastrofë të tillë natyrore, të paktën kanalizimet dhe hidrovorët kanë funksionuar plotësisht, duke mundësuar tërheqjen e ujërave në disa zona të vendit.  – “Ministria e Bujqësisë ka ndjekur me vëmendje situatën në kanalizime. Të gjitha rrjetet dhe hidrovorët kanë punuar, duke bërë që ujërat të tërhiqen, si për shembull në Lushnjë. Ne kemi pasur prioritet evakuimin e njerëzve dhe të gjësë së gjallë. Kemi bërë maksimumin për të larguar në kohë njerëzit dhe bagëtinë”, theksoi Panariti.   Ministri ka nënvizuar se situata ka qenë e vështirë për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, si pasojë e të cilave uji në lumin e Vjosës arriti në një nivel, që nuk ishte regjistrohej, që prej vitit të largët 1964. – “Situata është ende e vështirë dhe e rënduar dhe pritet të ketë probleme pasi në ditët në vazhdim do ketë sërish shira të dendura”, – ka shtuar Panariti.

Tahiri: Ka zona në gjendje kritike, kërkohet bashkëpunim me qytetarët

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, thekson se disa qarqe të vendit ndodhen në gjendje kritike, ndërkohë ai fton qytetarët që të bashkëpunojnë me njësitë e shpëtimit në raste evakuimi. Gjithashtu, Tahiri ka bërë edhe një përmbledhje të operacioneve të zhvilluara që në orët e natës e deri në mbrëmjen e së hënës.  – “Që prej natës së djeshme janë evakuuar mbi 300 familje, ndërkohë që sot kemi arritur të dërgojmë ndihmat e para me ushqime dhe pajisje, që plotësojnë nevojat bazike të qytetarëve”, u shpreh Tahiri. Ministri i Brendshëm shprehet se  të gjitha strukturat dhe institucionet janë në gatishmëri të plotë për t’u përballur me çdo situatë, e cila sipas tij mund të vazhdojë kështu nëse vazhdojnë reshjet e shiut. -“Ftoj qytetarët të mirëkuptojnë forcat e policisë kur shkojnë për t’i evakuuar. Forcave të emergjencave civile u është dashur të kthehen e rikthehen disa herë tek shtëpitë e banorëve që refuzonin evakuimin”, është shprehu Tahiri.  Që prej mëngjesit në qarqet e Vlorës dhe Fierit janë zhvendosur shumë familje. Në Fier, në komunën Levan, në fshatrat Ferras, Martinë, Bishan dhe Poro, forcat e ndërhyrjes emergjente evakuuan 110 familje.  Operacionet më të vështira kanë qenë në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”, ku vetëm pas mesnatës së djeshme u evakuuan 30 familje, 3 prej të cilave ishin gra me fëmijë, që kishin mbetur prej disa orësh mbi çatitë e banesave të tyre.  Shumë familje u evakuuan edhe nga fshatrat Kashishtë, Kaftarë dhe Sheqmusalala. Në fshatin Poro dhe në Darzezë e Re të komunës Dërmenas në rrethin e Fierit u angazhuan dy helikopterë të forcave ushtarake.  Në qarkun e Vlorës, në mesnatë u evakuuan 70 familje, të cilat rrezikoheshin nga përmbytja. Bëhet fjalë për familje në Novoselë, në fshatrat Mifol, Fitore, Bishan, Dëllëngë, Delishisht dhe Poro.  Drejtuesit e Komunës, për shkak të mundësisë për dalje nga shtrati i lumit Vjosë, evakuuan 40 familje nga banesat e tyre. Në komunën Novoselë u angazhuan njësitë e repartit “Delta Forcë” të Forcave të Armatosura.  Ndërkohë, policia rrugore ka bllokuar rrugën e vjetër Levan-Novoselë për shkak të ujërave sipërfaqësore që kanë arritur nivele të larta mbi asfalt. Rruga funksionale nga Fieri në Vlorë është vetëm autostrada e re që lidh këto dy qytete.

SHKARKO APP