Home Aktualitet 13 bashkitë k...

13 bashkitë ku pritet të rritet çmimi i ujit

54
0

Tre shoqëri rajonale dhe një shoqëri ujësjellës-kanalizime kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Ujit për rritjen e tarifave që aplikojnë ndaj abonentëve. Dosjet janë depozituar nga shoqëritë e rajonit të Durrësit, Fierit dhe Lezhës, që përfshijnë një total prej 12 qytetesh pas reformës së bashkimit të ujësjellësve.

Më konkretisht, aplikimi i Durrësit përfshin edhe Krujën, Shijakun, Kavajën dhe Rrogozhinën, tek kërkesa e Fierit bën pjesë edhe Patosi, Roskoveci dhe Mallakastra, ndërsa për Lezhën, përfshihet edhe Mirdita e Kurbini. Ndërkaq, paralelisht me këto shoqëri rajonale ka aplikuar edhe shoqëria e ujësjellës –kanalizime Vlorë, që aktualisht operon si e vetme, duke e çuar në 13 numrin e qyteteve për të cilët kërkohet rritje e çmimit të ujit.

Aplikimi për rritjen e çmimit të ujit është vetëm hapi i parë, ndërkohë që vendimi final për pranimin dhe nivelin e tarifave që do të aplikohen për konsumatorët i takon Entit Rregullator të Ujit. Përfaqësues të këtij dikasteri, thanë se “do të duhet kohë që Komisioni Kombëtar Rregullator të shqyrtojë dosjet e aplikimeve për të vendosur më tej nëse duhet të nisë analiza mbi propozimet për ndryshim tarife që kanë bërë shoqëritë”.

Aplikimi për rritje të tarifave të shërbimit ishte i pritshëm pas reformës të ndërmarrë në sektor vitin që shkoi, duke qenë se një nga objektivat e saj ishte përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare për shoqëritë UK, duke përfshirë ndër të tjera harmonizim gradual të çmimeve në zonën e shërbimit.

Kjo duke qenë se reforma solli bashkimin e disa ujësjellësve nën një shoqëri, ndërkohë që diferencat e tarifave aktuale ndërmjet zonave janë të mëdha. Për shembull në Durrës aktualisht familjarët paguajnë 70 lekë/m3, në Kavajë 38 lekë/m3, në Rrogozhinë 48 lekë/m3, ndërsa në Krujë 35 lekë/m3. Këto tarifa duhet të shkojnë drejt unifikimit të tyre.

Gjithsesi, Enti Rregullator i Ujit ka parashikuar vështirësi në këtë proces. Kërkesa të ngjashme nga shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve për rritje të çmimit të ujit ka pasur ndër vite me radhe por një pjesë e tyre janë marrë parasysh nga ERRU, ndërsa pjesa tjetër janë rrëzuar. Arsyetimi i bërë nga këto shoqëri ka qenë se çmimi aktual i ujit është shumë herë më i ulët sesa kostoja e ofrimit të shërbimit për qytetarët. /Tv Scan/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit