Home 30 vite KOHA JONE 14 ditët e Ed...

14 ditët e Edi Ramës, në drejtimin e PS-së

94
0

(Botuar me 27 shtator 2005)

Nga Çlirim Peka

“Do të jem socialist, vetëm kur socialistët shqiptarë do jenë të përafërt me laburistët e Toni Blerit”. Kjo është pak a shumë përgjigjja e Edi Ramës për pyetjen e Fatos Lubonjës para tre vitesh kujt krah politik i përkiste zoti Rama. Tani pas tre vjetësh, Edi Rama jo vetëm që është socialist, por ka nisur garën edhe për kryesocialist. Po çfarë e bëri Edi Ramën socialist, ose më saktë kush i ndryshoi socialistët shqiptarë, nga ish-komunistë në laburistë të Toni Blerit? I vetmi ndryshim gjatë këtyre tre viteve për Partinë Socialiste, ka qenë largimi nga drejtimi i partisë i Fatos Nanos dhe zëvendësimi i përkohshëm me Gramoz Ruçin. Sipas argumentit dhe pretendimit Rama për laburizimin e socialistëve shqiptarë, është ardhja e Gramoz Ruçit në drejtimin e PS-së dhe po sipas kësaj logjike, ndërlidhësi ideologjik ndërmjet Edi Ramës dhe Toni Blerit, është Gramoz Ruçi.

Gjithsesi, tani që Edi Rama nuk është më vetëm socialist por edhe kandidat i vetëm për kryesocialist, madje edhe drejtuesi aktual politik i kësaj partie, le të shohim se çfarë po prodhon Edi Rama në 14 ditët e para në krye të Partise Socialiste, si shef i opozitës së re.

E para, raporti me mediat nuk është gjë tjetër veçse një imitim i qëndrimit të ish-opozitës menjëherë pas rënies nga pushteti në vitin 1997. Ashtu si demokratët që akuzonin gazetën “Koha Jonë” për rrëzimin nga pushteti, edhe zoti Rama akuzon mediat dhe pak më pak Ilir Metën për rrëzimin e PS-së për pushtetin. Çdo drejtues emisioni që i kujton zotit Rama akuzat e organizmave të ndryshëm ndërkombëtar, për qeverinë “Nano” si e lidhur me korrupsionin, është me Berishën se mban “kravatë”.

E dyta, opozita “Rama” është spostuar nga opozita që duhet t’i bëhet Sali Berishës si Kryeministër, tek opozita që i bëhet Lufter Xhuvelit si ish-i majtë. Edhe në rast se Edi Rama e konsideron Xhuvelin si problem të brendshëm të së majtës, përpara se të merret më të, duhet të sqarojë bazën laburiste të PS, se përse humbi Partia Socialiste në zonën “50”.

Për të qenë korrekt, opozita që po bën Rama si shef i opozitës prej 14 ditësh ndaj Berishës, nuk po ngjit. Edhe institucioni i opozitës se re po deligjitimohet dhe po imiton opozitën e vjetër të viteve, 97-2000.

Zoti Rama përshëndeti përgjysmimin e taksave të biznesit të vogël nga qeveria “Berisha”, duke shtuar se nga përgjysmimi i taksave, biznesi i vogël ka një përfitim, por hapja e vendeve të punës është minimale pasi fondi i përfituar nga përgjysmimi i taksave për biznesin e vogël është i papërfillshëm dhe në të njëjtën kohë zoti Rama për të njëjtën sasi parash, të cilat në fakt merren nga buxheti i bashkive, ankohet se tani nuk mund të ndërtohen më rrugë. Pra, sipas Ramës, 10 milionë $ janë ndihmë shumë e vogël për biznesin e vogël dhe një shkatërrim për buxhetin e të gjitha bashkive të Shqipërisë. Në rast se 10 milionë $ janë një ndihmë shumë e vogël për biznesin e vogël, atëherë këto 10 milionë $ dollarë janë edhe një dëm shumë i vogël për buxhetin e bashkive.

E treta, zoti Rama vrapoi t’i japë ngjyra politike plagosjes së kryetarit të Bashkisë së Lezhës, kur vetë ky i fundit dëshmoi për një sulm si pasojë e një konflikti personal për shkak të detyrës dhe jo nga ekzekutues anonim si në rastin e Kryetarit të PD-së së Hasit, për të cilin shefi aktual i opozitës së sotme nuk ka thënë asnjë fjalë ngushëllimi për tre fëmijët e mbetur jetim.

E katërta, gazeta zyrtare e Partisë Socialiste “ZP” tanimë nën kontrollin e plotë të drejtuesit aktual të PS-së, zotit Rama, ka hequr dorë nga çdo lloj etike. Mjafton të lexosh vetëm titujt në faqen e parë. Edhe në këtë rast kemi një imitim edhe më të shëmtuar se gazeta e opozitës ’97-98. Pak a shumë, kjo është opozita që zoti Rama si shefi aktual i PS-së, po sjell politikën shqiptare, më shumë një opozitë e vjetër sesa e re. Gjithsesi, kjo sjellje politike e Edi Ramës mund të jetë edhe e përkohshme, sa për të marrë votat e laburistëve-socialistë të zotit Ruçi, me qëllim marrjen zyrtare të drejtimit të Partisë Socialiste.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Lajmet e Fundit

Te Fundit