Home 30 vite KOHA JONE Stefan Çapali...

Stefan Çapaliku: Për një Institut Shqiptar të Kulturës

151
0

(Botuar me 7 mars 2006)

Për një Institut Shqiptar të Kulturës

Nga Stefan Çapaliku

Çështjet e imazhit të Shqipërisë në botë dhe veçanërisht në familjen e vendeve europiane, edhe pas pesëmbëdhjetë vjetësh demokraci vazhdojnë të jenë nëpër faqet e gazetave dhe sloganet e politikanëve pa pasur kurrfarë vëmendjeje institucionale nga shteti shqiptar. Gjithë çfarë dëgjohet mbi imazhin e vendit tonë jashtë vazhdon të vijë prej kronikave të zeza, thua se ky popull s’prodhon gjë tjetër veçse drogë, krim, prostitucion dhe faqe të tjera të nxira. Në të vërtetë, nuk është se këtu prodhohet diçka më shumë. I vetmi prodhim autentik, i pareshtur gjer më sot dhe i rrezikuar prej izolimit dhe mungesës së kompeticionit mbetet kultura në përgjithësi dhe krijimtaria artistike në veçanti, të cilat vazhdojnë të konsumohen kuturu brenda vendit thua se vazhdojmë të jetojmë në ishullin e Robinsonit apo në diktaturën komuniste. Nga ana tjetër të vjen jashtëzakonisht mirë kur viziton faqen e internetit www. artistetshqiptare. com, (një iniciativë kjo e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës me mbështetjen e Fondacionit “Soros”), në të cilën gjen biografitë e disa dhjetëra apo njëqind artistësh shqiptarë që punojnë në orkestrat, teatrot, galeritë a botuesit e huaj dhe që në mënyrë individuale, sporadike dhe pa kurrfarë mbështetjeje kanë arritur të çajnë në tregun artistik europian.

Të gjithë ata artistë të tjerë shqiptarë që kanë mbetur në këtë vend me shpresën se do mund një ditë të jenë të pranishëm në këtë treg global vlerash vazhdojnë të shohin ëndrra në diell. Asnjë program shtetëror distribucioni, asnjë projekt serioz dhe asnjë iniciativë ligjore nuk i përkrah në këtë fushë.

Dihet prej të gjithëve se vende të mëdha si Mbretëria e Bashkuar kanë të shtrirë në të gjithë botën atë që thirret “British Council”, apo Republika Federale e Gjermanisë ka “Goethe Institut”, Italia gjithashtu është e pranishme “Istituto italiano di cultura”, Austria me “Kulturkontakt”, etj., etj. Por është gati ironike kur mëson se edhe vende të tjera që na rrethojnë, po kaq problematike në pikëpamje të zhvillimit politik dhe ekonomik si bie fjala Maqedonia apo Serbia prej kohësh i kanë ndërtuar dhe po i shijojnë ato që quhen qendra të kulturës maqedonase apo serbe nëpër botë.

Në zemër të Parisit, përballë qendrës “George Pompidou” gjendet Qendra e Kulturës Serbe, po kështu në Manhatan të New York-ut ke Qendrën e Kulturës Maqedonase, në mes të Vjenës është Qendra e Kulturës Rumune e kështu me radhë. Madje vende multietnike si Maqedonia po përhapin padashje edhe një pjesë të kulturës sonë. Së shpejti do jetë aktori shqiptar Bajrush Mjaku që do shfaqë në Qendrën e Kulturës Maqedonase në New York monodramën e tij “Babai”. Pra s’do mend se edhe Shqipërisë i duhet me domosdo ndërtimi i Institutit Shqiptar të Kulturës, i cili të ketë statusin e fondacionit shtetëror me seli në Tiranë dhe fillimisht me dy qendra të tjera; një në Romë e një në Athinë dhe me ambicien që jo vonë të hapë edhe tri të tjera në vendet ku promovohet arti i përbotshëm siç janë Berlini, Parisi dhe New Yorku.

Është e kotë të shpresojmë se një rol të tillë analog me Institutin Shqiptar të Kulturës do mund ta luajnë përfaqësitë tona diplomatike. Ata s’kanë as asetet, burimet njerëzore dhe besueshmërinë e nevojshme në mjediset e atjeshme artistike për ta kryer një mision të tillë. E vetmja gjë që mund të kërkohet në këtë kuadër nga strukturat e politikës sonë të jashtme është rihapja e drejtorisë së marrëdhënieve kulturore me jashtë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, strukturë e cila u mbyll në mënyrë arbitrare në vitin 1997.

Instituti Shqiptar i Kulturës nuk do ishte një shërbesë e çmuar vetëm për komunitetin e artistëve shqiptarë, por në një vështrim më të gjerë të konceptit të kulturës, edhe për njerëzit e shkencës, profesoratin e universiteteve si dhe lidershipin e shoqërisë civile. Personalisht, por jo vetëm, jam i bindur se një nismë e tillë institucionale do kishte efekte të jashtëzakonshme në fushatën e pandërmarrë ende të përmirësimit të imazhit tonë në botë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Lajmet e Fundit

Te Fundit