Vlerësohen me Certifikatën e Karrierës shtatë punonjës policie, drejtori Hita: Kanë shërbyer për më shumë se 4 dekada
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita vlerësoi me Certifikatën e Karrierës, shtatë punonjës policie që kanë shërbyer për më shumë se katër dekada në strukturat e Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij Hita u shpreh se sot është një ditë vlerësimi, respekti dhe mirënjohjeje për shtatë kolegët të cilët pas një rruge të gjatë dhe dinjitoze në radhët e Policisë së Shtetit, mbyllin një kapitull të rëndësishëm të jetës së tyre profesionale.
“Secili prej jush ka lënë gjurmë në strukturat ku ka shërbyer dhe ka kontribuuar në ndërtimin e një policie më profesionale dhe më të besueshme”, theksoi Hita. Ai nënvizoi se pensioni nuk është fundi i kontributit. “Është fillimi i një etape të re në jetën tuaj, për më shumë kohë për veten, për familjen që ka qenë mbështetja juaj më e madhe gjatë viteve të shërbimit, shpesh duke ndarë me ju vështirësitë, sakrificat dhe mungesat që sjell kjo detyrë”, tha ai.
Hita theksoi se lidhja e tyre me Policinë e Shtetit nuk mbaron sot. “Përvoja, profesionalizmi dhe vlerat që keni ndërtuar ndër vite do të mbeten një referencë e vyer për brezat e rinj. Ndaj, edhe pas daljes në pension, dera e Policisë së Shtetit do të jetë gjithmonë e hapur për ju, për mendimet, këshillat, sugjerimet dhe eksperiencën tuaj të vyer”, theksoi Hita.
Punonjësit e Policisë që dolën në pension falënderuan Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për vlerësimin që iu bëri për kontributin dhe përkushtimin gjatë punës disadekadëshe në strukturat e Policisë së Shtetit dhe i uruan atij, suksese në përmbushjen e kësaj detyre kaq të rëndësishme dhe fisnike që ai ka marrë përsipër, siç është drejtimi i Policisë së Shtetit, për t’iu shërbyer qytetarëve. Gjithashtu, ata falënderuan eprorët dhe kolegët, për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin që kanë patur gjatë viteve të karrierës, si dhe iu uruan atyre, suksese të mëtejshme.
Në ceremoni morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të Akademisë së Sigurisë, kolegë të punonjësve të Policisë që mbyllën karrierën. Për kontributin e dhënë ndër vite, me rastin e daljes në pension, u vlerësuan me Certifikatën e Karrierës, drejtues i parë Albert Dervishaj, drejtues i parë Skënder Kalemi, drejtues Dritan Avdyli, drejtues Remzi Brahimi dhe kryekomisarë Nikolin Thana, Idajet Shatro dhe Arben Ibro.
KOHA JONË SONDAZH

