Artistja shqiptaro-greke Aulona Lupa
Aulona Lupa ishte 5 vjeҫ kur familja e saj emigroi në Greqi. Tani artistja e sukseshme shqiptaro-greke ka nisur të korrë frytet e sakrificave të mëdha dhe është aktore teatri, kinemaje, regjisore dhe pedagoge në Athinë.
Kur e pyet Aulonën, nëse i kujtohet çasti kur e kuptoi se donte të bëhej aktore dhe t’i përkushtohej aktrimit, ajo mendohet pak dhe përgjigjet me një buzëqeshje të lehtë: “Jo…”
Më pas përpiqet të rrëmojë në kujtesë dhe të rikthejë kujtimet e asaj kohe. “Nuk e di nëse me kalimin e viteve e kam rindërtuar këtë kujtim për t’i dhënë një pikënisje gjithçkaje. Por mbaj mend shumë qartë filmin e parë që kam parë në kinema. Ishte ‘Amélie’. Kishim shkuar me klasën dhe filmi më tërhoqi menjëherë. Besoj se aty lindi dashuria ime për kinemanë.”
Dita që ndryshoi gjithçka
Megjithatë ajo kujton mjaft mirë ditën kur u pranua në shkollën e aktrimit në Athinë. “E mbaj mend shumë qartë ditën kur mora vesh se isha pranuar në Shkollën e Aktrimit. Kisha dhënë provimet bashkë me një shoqe dhe morëm lajmin se ishim pranuar të dyja në të njëjtin vit. Ndjeva një lumturi të jashtëzakonshme, një ndjenjë që, për të qenë e sinqertë, nuk e kam përjetuar shumë herë në jetën time. Dhe gjithashtu edhe një optimizëm të madh se, që nga ai moment, gjithçka do të ndryshonte, se gjërat do të ishin ndryshe. Dhe mendoj se vërtet ndryshuan.
Ndryshimi për të cilën flet Aulona nuk ishte vetëm profesional, por edhe personal. Ai lidhej me identitetin dhe me emrin e saj.
Gjatë shpalljes së emrave të kandidatëve të pranuar në Konservatorin e Athinës, tregon ajo, thirrën nga lista edhe emrin tim Aulona Lupa dhe unë ngrita dorën dhe thashë ‘këtu’, pa e korrigjuar emrin, kujton ajo. Më tej ajo sqaron: “deri në atë moment unë prezantohesha si Maria Lupa. Maria është emri im i pagëzimit, të cilin e mora pasi erdha në Greqi. Gjatë gjithë fëmijërisë sime, në një farë mënyre e kisha fshehur emrin Aulona dhe ai kishte kaluar në plan të dytë. Por kur e dëgjova emrin tim të vërtetë në konservator diçka brenda meje u ndje papritur në paqe. Dhe që nga ajo ditë iu riktheva emrit tim të parë, emrit tim shqiptar. Besoj se ai ishte momenti kur kuptova se ky fillim i ri do të më afronte më pranë vetes sime, identitetit dhe origjinës sime.
Mes dy identiteteve
Megjithatë Aulona nuk e përkufizon veten përmes një identiteti të vetëm kombëtar. “Nuk ndihem as vetëm greke dhe as vetëm shqiptare. Ndihem edhe greke edhe shqiptare, por njëkohësisht asnjëra plotësisht. Më shumë ndihem migrante, një migrante krenare. Kam ndjesinë se kjo është bashkësia së cilës i përkas. Nuk ndihem e lidhur vetëm me emigrantët shqiptarë. Ndihem e lidhur me migrantët në përgjithësi, sepse besoj se ndajmë sfida dhe përjetime të përbashkëta.”
“Në fillim të rrugëtimit tim artistik ky dyzim ishte një fushë eksplorimi për të kuptuar përvojat e mia dhe ndjenjat që lidhen me migrimin, sepse kishte shumë gjëra të groposura prej vitesh për shkak të turpit të thellë që shpesh shoqëron migrimin. Me kalimin e kohës migrimi u bë pjesë qendrore e identitetit tim artistik, ndërsa tani mendoj se është kthyer në një pjesë shumë qendrore të këtij identiteti. Ndoshta është pjesa më e madhe e mozaikut të identitetit tim artistik.
Aktrimi dhe mësimdhënia
Vitet e fundit pjesë e jetës së saj profesionale është bërë edhe mësimdhënia. Gjithçka nisi kur kërkonte një kurs për aktrim në film dhe kuptoi se nuk ekzistonte një program që t’u përgjigjej nevojave të saj. Për këtë arsye, vendosi të krijonte vetë një të tillë dhe themeloi seminarin “Acting on Camera”, i pari i këtij lloji në Greqi.
Ajo tregon se puna me figura të njohura të kinemasë greke gjatë organizimit të kursit ishte një përvojë shumë e vlefshme. “Në njëfarë mënyre, me duket sikur kam bërë një master jozyrtar përmes këtij bashkëpunimi,” thotë ajo.
Aulona tregon se mësimdhënia i dha një distancë dhe perspektivë që si aktore shpesh i kishte munguar dhe i ka ndryshuar edhe mënyrën se si e sheh aktrimin. “Si pedagoge kupton sa të ndjeshëm dhe të brishtë janë aktorët. Aktrimi kërkon që të ekspozosh veten vazhdimisht. Instrumenti yt, mjeti shprehës nuk është diçka e jashtme, por je ti vetë: trupi, zëri dhe jeta emocionale. Dhe suksesi apo dështimi nuk prekin vetëm veprën, por vetë personin.
Përmes punës me studentët, ajo thotë se tani ka më shumë mirëkuptim për vështirësitë emocionale që shoqërojnë profesionin dhe me pasionin e madh për aktrimin po frymëzon edhe studentët e saj të dramës.
“Aulona është shumë e apasionuar pas asaj që bën. E do shumë këtë punë dhe e përcjell pasionin e saj që nga sekonda e parë. Ajo na ka çliruar nga kompleksi i të bërit gabime dhe është vërtet shumë e këndshme të punosh me të.” – thotë Nikos Selevakos, një nga studentët e Aulonës
Nga aktore në producente
Ndër shumë role që ka luajtur si aktore Aulona veçon atë të Stelës, në filmin “Hold onto Me” të regjisores, Myrsini Aristidou, i cili u prezantua këtë vit në Sundance Film Festival, festivali më i madh i filmit të pavarur në SHBA. “Projekti i këtij filmi ishte i veçantë për mua, sepse Myrsinin e kam mike të afërt, dhe e kam ndjekur filmin që nga fazat e para të zhvillimit. Ndaj përvoja ishte shumë personale sesa do të kishte qenë, po të ishte një film ku thjesht merrja pjesë si aktore.”
Në vitin 2025 Aulona realizoi edhe filmin e saj të parë me metrazh të shkurtër. Ideja filloi si dëshirë për të krijuar një rol për veten, por më pas projekti mori një drejtim tjetër. Historia u ndërtua nga elemente dhe fragmente përvojash personale, mes tyre edhe një aksident që kishte përjetuar në fëmijëri nipi i saj. “Kështu lindi një histori e re, e ndërtuar si një mozaik përvojash,” tregon ajo për filmin, i cili aktualisht ndodhet në postproduksion.
Për çfarë ndihet krenare
Kur pyetet se për çfarë ndihet deri tani më krenare, Aulona mendon për pak dhe përgjigjet: “Mendoj se sot jam krenare për veten, sidomos sepse kam ndaluar së kërkuari vazhdimisht arsye për të qenë krenare.”
Për Aulonën krenaria nuk lidhet më me arritje të caktuara, por me një ndjenjë ekuilibri mes jetës personale dhe punës. Përvojat e migrimit, fillimet e reja dhe të jetuarit mes kulturave të ndryshme kanë ndikuar në mënyrën se si ajo e sheh jetën dhe karrierën.
Dhe ndoshta kjo është ajo që e përkufizon më shumë Aulonën: jo një moment i vetëm suksesi, por një proces i vazhdueshëm zhvillimi dhe kërkimi personal, diku mes Aulonës dhe Marisë, mes vendeve, mes roleve, mes sigurisë dhe mundësive.
Katerina Nika Autore
KOHA JONË SONDAZH

