Zvërnec/ Përplasje me protestuesin: Arrestohet roja private nga policia, reagon kompania
Policia ka arrestuar rojën private të përfshirë në incidentin me një protestues në Zvërnec, ngjarje e ndodhur një ditë më parë dhe që ka sjellë reagime të shumta. Paralelisht, për rastin ka reaguar edhe kompania që ka marrë përsipër zhvillimin e projektit në zonë.
Shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sqaron në deklaratën e saj se kompania e sigurisë ishte kontraktuar për garantimin e ruajtjes së zonës private dhe se ajo dispononte licencat dhe autorizimet përkatëse. Megjithatë, pas shqyrtimit të materialeve filmike dhe të publikuara, kompania e konsideron sjelljen e rojës të papranueshme dhe njofton ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënies kontraktuale me këtë subjekt sigurie.
Në reagim theksohet se në asnjë rast nuk janë dhënë udhëzime për veprime në kundërshtim me ligjin apo për cenim të të drejtave të qytetarëve. Kompania distancohet nga veprimet e ndodhura gjatë incidentit, duke nënvizuar se ndërhyrja ndaj një qytetari që ushtronte të drejtën e protestës jashtë territorit privat dhe përfshirja e tij brenda tij për përdorim force është e papranueshme dhe e dënueshme.
Gjithashtu, shoqëria shpreh keqardhje për ngjarjen dhe i bën thirrje institucioneve kompetente që të zhvillojnë një hetim të plotë, të pavarur dhe transparent, si dhe të marrin masat e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. Kompania deklaron se është e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet dhe të gjitha palët e interesuara.
Në vijim, theksohet rëndësia e marrëdhënies me komunitetin lokal dhe angazhimi për komunikim më të ngushtë në të ardhmen. Ndërkohë, kompania shprehet se projekti i zhvillimit synon të respektojë standardet më të larta ndërkombëtare dhe të harmonizohet me natyrën dhe ekosistemin e zonës.
Nga ana tjetër, policia ka bërë të ditur se në pranga është vënë shtetasi 32-vjeçar me iniciale G. B., banues në Durrës, ndërsa dy persona të tjerë, A. G. dhe G. V., po hetohen në gjendje të lirë për përfshirje në ngjarje. Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës, lidhur me menaxhimin e tubimit dhe masat e marra gjatë incidentit.
KOHA JONË SONDAZH

