Kryebashkiaku socialist kundër Ramës: Divjaka nuk mund të preket si Bashki, do ndjekim rrugët institucionale
Kundër shkrirjes së Bashkisë së Divjakës dhe bashkimit me Lushnjën ka dalë dhe kryebashkiaku socialist Josif Gorrea, i cili iu bashkua protestave të banorëve të zonës. Ai kundërshton draftin e PS, duke argumentuar se Divjaka plotëson kriteret për të mbetur bashki më vete. Gorrea thekson se Divjaka ka territor dhe popullsi më të madhe se disa bashki që nuk preken nga reforma, duke sjellë si shembull Roskovecin. Sipas tij, historia, identiteti dhe pasuritë natyrore si Laguna e Karavastasë e bëjnë Divjakën një bashki me rëndësi të veçantë.
”Madhësia e territorit. Në qarkun Fier, Divjaka është numri 3, është Fieri, Lushnja, pastaj vjen Divjaka. Ne kemi 309 mijë kilometër katrorë territor. Roskoveci që do qëndrojë bashki, janë njerëz punëtorë, por territori i tyre është 118 km katror. Popullsia e bashkisë Divjakë është 56 mijë banorë, në Censin e fundit ne jemi 25 mijë banorë, Roskoveci është 16 mijë, gati 10 mijë më pak. Po e marrim nga relievi. Relievi i Divjakës është fushor, një nga bashkitë më fushore, kemi rreth 20 mijë km fushë. 3 mijë kodër dhe 17 mijë fushë e pastër. Identiteti. Për herë të parë emri i qytezës, fshati Divjakë lind rreth viti 1440. Është shumë më herët. Kjo trevë jeton ndërmjet Apolonisë dhe Dyrrahut. Dy kryeveprat botërore të kulturës, artit dhe shkencës. Shumë e vjetër në identitet. Divjaka ka natyrë të jashtëzakonshme, ka lagunë, ka toka pjellore, ka ujëra pafund, ka pelikanin kaçurrel, ka flamengo”, thotë Gorrea.
Nga ana tjetër ai sqaron se do të ndjekin rrugën institucionale për të zyrtarizuar qëndrimin e tyre, përfshirë konsultime publike me të gjitha njësitë administrative. ”Këshilli Bashkiak ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku janë shprehur kundër. Dje me ka ardhur dosja nga kuvendi. Ne jemi duke e shqyrtuar, do ndjekim të gjitha hapat. Ne zyrtarisht do të mundohemi që t’i përgjigjemi pikë për pikë, kërkesave, amendamenteve që komisioni ka vendosur. Do bëjmë dëgjesa publike në të gjitha njësitë. Do ndjekim rrugët institucionale, të rregullt të plotë, për të bërë të qartë identitetin, fuqinë ekonomike dhe pasuritë natyrore që bashkia Divjakë ka. Ne pritëm ardhjen e dosjes, kemi krijuar një grup pune. Kemi ftuar edhe opozitën të na bëhen pjesë, nëse kanë elementë. Pasi ta përpilojmë këtë dokument, do bëjmë edhe qasjen e duhur, për ta bindur qeverinë shqiptare që bashkia Divjakë është identiteti kombëtar, që nuk duhet humbur, duhet të qëndrojë e fortë”, theksoi Gorrea.
KOHA JONË SONDAZH

