12 vjet pa u pastruar, ministri Klosi hap aksionin 3 ditor në Berat
Për të parën herë, 12 vjet pas ndërhyrjes së fundit në lumin Osum, filloi mëngjesin e sotëm pastrimi dhe thellimi i shtratit të tij. Ndërhyrja është e pjesë e aksionit tre ditor që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ndërmarrë për pastrimin, rehabilitimin dhe gjelbërimin në qarkun e Beratit.
Mëngjesin e sotëm nën drejtimin e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Z. Blendi Klosi, qindra vullnetarë, forcat e armatosura të ushtrisë, punonjës të administratës, nxënës të shkollave, akvitivistë të shoqërisë civile, biznese të ndryshme në këtë qark kanë filluar pastrimin sipas një plani të mirëorganizuar dhe të detajuar nga shtabi i punës pranë Prefekturës së qarkut.
Vetë Ministri Klosi gjatë gjithë ditës ka inspektuar nga afër disa pika ku po zhvillohet aksioni që nga zona ku po ndërhyhet për pastrimin dhe thellimin e shtratit të Osumit, e më pas në zonën e spitalit, në rrugët dhe sheshet e qytetit.
Gjatë një prononcimi për mediat ministri Klosi theksoi se ky aksion është jetik për qytetin që ai të jetë i pastër, për banorët për turistët por mbi të gjitha është jetik që qyteti të mos përmbytet më.
“Sot është një ditë e jashtëzakonshme për mua si ministër i Mjedisit pasi pas asaj që ndodhi në Berat kur qyteti u përmbyt nga prurjet e lumit Osum ne vendosëm të gjithë duke bashkërenduar forcat me pushtetin lokal, me prefekturën, duke kërkuar ndihmën edhe shumë faleminderit kompanisë operatore TAP dhe biznesit që na ofroi kaq shumë mjete duke bërë një aksion jetik për qytetin. Jetik pasi ne po pastrojmë lumin dhe shpresojmë shumë që me shirat normale qyteti të mos jetë më nën rrezikun e përmbytjeve. Jetik për qytetin sepse mendoj që bëjmë një aksion shumë të madh pastrimi për jetën e vetë qytetarëve të Beratit. Jetik për qytetin sepse mendojmë që një qytet që pret mbi 100 mijë vizitorë në vit presim që vitin tjetër, të shumëfishojmë numrin e turistëve që do të vizitojnë Beratin dhe është jetik për këtë dimension që qyteti të jetë i pastër.” tha ministri Klosi duke shtuar se deri në vitin 2020 falë operacionit mbarëkombëtar: ”Pastrojmë Shqipëinë që duam”, do të kemi një vend më të pastër dhe më të gjelbërt ”Është një aksion ku janë mobilizuar të gjitha institucionet, është një aksion ku janë mobilizuar shumë kompani private, janë mobilizuar nxënësit e shkollave dhe përveçse pastrojmë edhe do të mbjellim pemë pranë lumit, në qytetin e Beratit dhe të Urës Vajgurore për të mos lejuar që qyteti të vazhdojë të bëhet pis. Operacioni ynë mbarëkombëtar “Pastrojmë Shqipërinë që duam” pra “Pastrim dhe gjelbërim 2020” do të na krijojë mundësinë që ne të bashkojmë të gjitha forcat për të pasur një Shqipëri të pastër dhe të pyllëzuar si askund tjetër deri në vitin 2020”,-përfundoi fjalën e tij ministri Klosi.
Në segmentin Ura e Velabishtit-Uznovë, 10 mjete nga TAP pastrojnë dhe gërryejnë shtratin e lumit që i tejmbushur nga aluvionet dhe mbetjet e më shumë se një dekade mospastrimi, doli nga shtrati dhe përmbyti qytetin gjatë reshjeve të forta të shiut rreth dy javë më parë.
Vullnetarët dhe të gjithë ata që i janë përgjigjur thirrjes së ministrit Klosi janë shpërndarë në të gjtha segmentet e përcaktuara. Pastrohet në lagjet Goricë dhe 13 Shtatori, si dhe në rrugët e sheshet në aksin Varreza Burdullias-Qafë Kala. në aksin Ish Merkato-Qafë Kala, dhe në rrugët kryesore në njësinë Administrative Otllak, Sinje, Roshnik, Velabisht. Në anët e lumit përgjatë rrugës kryesore të Beratit po bëhet pastrimi nga kallamishtet dhe cdo ndotje tjetër.
Aksioni i nisur ditën e sotme do të vijojë edhe më 16 dhe 17 dhjetor për të përmbyllur në këtë mënyrë një ndërhyrje masive 3 ditore me qëllim pastrimin, rehabilitimin dhe gjelbërimin në qarkun e Beratit. Aksioni është në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Pastrojmë Shqipërinë që duam”.

