“A i mban mend porositë që t’kam lanë?” – Sot në ditëlindjen e tij, Gjergj Luca në një bashkëbisedim prekës me të atin
Nga Albert Vataj
Në një ditëlindje, kur njeriu zakonisht numëron vitet që ka jetuar, Gjergj Luca zgjodhi të numërojë diçka tjetër, fjalët që i ka lënë i ati. Porositë. Mësimet. Gjurmët. Ato fjalë të thjeshta që koha nuk i ka tretur, sepse janë bërë pjesë e karakterit.
Dalja publike e radhës e sipërmarrësit Gjergj Luca është ndryshe nga të tjerat. Është një rrëfim intim, i ndërtuar si një bashkëbisedim imagjinar me të atin, aktorin e madh të skenës dhe ekranit shqiptar, Ndrek Luca, i cili u nda nga jeta më 13 janar 1993.
Sot, në ditëlindjen e tij, Gjergj Luca e sjell të atin jo përmes një fotografie, një kujtimi apo një fjalie përkujtimore, por përmes një bisede. Një bisede ku rakia bëhet simbol i sofrës së dikurshme, heshtja bëhet prani dhe mungesa shndërrohet në zë.
Ai në videomesazh shprehet:
“Mbramë gjithë natën me babën tim, tue ba muhabet, u ulëm e pimë nga nji gotë raki. E më merr në pyetje, sa herë kam ditëlindjen, dhe e nis gjithmonë bisedën:
– Hë mor babë, a i mban mend porositë e mia që t’kam lanë?
– Për Zotin, mor babë, shumë më ke lanë. Shumë më kanë humbë rrugës, po ato ma kryesoret i mbaj mend.”
Dhe këtu nis një prej atyre dialogjeve që, edhe pse imagjinarë, kanë një të vërtetë më të thellë se shumë biseda reale.
– Po kush janë ato porosi që mban mend? – pyet i ati.
– Bab, janë ma shumë ato gjana që më kanë lanë ma shumë gjurmë. Ato që më dalin përditë përpara, – përgjigjet i biri.
Por Ndreka këmbëngul. Ai do t’i dëgjojë një për një. Do të dijë nëse fjalët e tij kanë mbetur gjallë tek i biri.
– Po cilat janë? Kush janë? Du me ditë a i ke harrue, a si ke harrue.
Dhe Gjergj Luca i rendit, si të ishte duke hapur një arkiv të shpirtit:
– Më ke lanë porosi mos me vjedhë, me respektu njerëzit, me respektu e me ndihmu ma shumë të dobtit, me i dashtë fëmijët, me i falë dashni njerëzve, me punu, me punu, me punu. Se veç nëpërmjet punës vjen mirësia, ecën përpara jeta dhe ruhet fytyra.
Është kjo fjalia e fundit që e përmbledh ndoshta më fuqishëm gjithë filozofinë e këtij rrëfimi:
“Dhe ruhet fytyra.”
Sepse për një brez të tërë, fytyra nuk ishte vetëm pamje. Ishte nder. Ishte emër. Ishte fjala e mbajtur. Ishte mënyra se si njeriu qëndronte përballë vetes dhe të tjerëve.
Por dialogu nuk ndalet këtu.
– Po hë mor babë, a kanë kenë noj fije produktive kto fjalë qi unë t’kam lanë?
Përgjigjja e Gjergjit vjen me një ironi të hidhur mbi kohën:
– Për Zotin, mor babë, me punu, shumica e njerëzve që kanë mbetë në këtë vend fillojnë e qeshin.
– Heu bre! Luj vendit! Si qeshin?
– Qeshin, se thonë: “Çfarë është ky gamar që vetëm punon e punon?”
Dhe atëherë vjen pyetja e thjeshtë, por therëse:
– Po pse, a ka ndonjë mënyrë tjetër për me jetu?
Gjergji përgjigjet se koha ka sjellë mënyra të tjera. Se në këtë realitet të ri, puna nuk është gjithmonë vlera që shpërblehet; ndonjëherë më shumë duket se shpërblehen zhurma, mashtrimi, arroganca, mungesa e respektit.
Dhe në këtë pikë, bashkëbisedimi merr një kthesë të fortë satirike:
– Po ç’ka asht ajo punë, ai sistem, që unë nuk e kam pritë?! – pyet Ndreka.
– Ky sistem quhet demokraci, – i përgjigjet Gjergji.
– Ma thuaj edhe nji herë, – i thotë i ati. – Do me thanë, me rrejt je njeri i preferum, me vjellë je i mençur, e mos me të thanë kurrë “puna e mbarë” ecën përpara?
– Po mor babë, njikështu asht.
– Heu bre burrë… Po a thu të kam edukue keq, mor djal?
Është ndoshta pyetja më e dhimbshme e gjithë këtij dialogu.
Sepse pas ironisë politike, pas zhgënjimit shoqëror, pas thumbimit ndaj një realiteti ku vlerat shpesh përmbysen, qëndron një pyetje shumë më njerëzore:
A kam gabuar që të mësova të jesh i drejtë?
Dhe Gjergj Luca i përgjigjet jo me fjalë, por me jetën e tij:
– Mor babë, unë tue punue jam. Tue rritë fëmijë të shëndetshëm jam. Ata që punojnë si unë më duan dhe më falin dashni. Po ajo pjesa tjetër që rri në shtëpi e nuk punon, bashkë me njerëzit që na komandojnë, ai asht problem i madh, mor babë.
Pastaj vjen pyetja tjetër, ajo që çdo bir do të donte t’ia përgjigjej një ditë të atit:
– A thu fjalët e mia të kanë dëmtue në këtë jetë?
Përgjigjja është një deklaratë besnikërie ndaj trashëgimisë:
– Unë mirë jam. Njerëzit që punojnë më duen. Njerëzit që nuk punojnë e duen me ba tallava më shajnë prej mjesit deri në darkë. Por nuk kam heqë dorë. Nuk kam heqë dorë prej djersës, prej punës, prej të vërtetës, prej të moralshmes. Nuk kam heqë dorë prej trashëgimisë që më ke lanë, o babë.
Dhe pastaj fjalia që duket sikur e mbyll jo vetëm bisedën, por edhe një testament të tërë:
“Kjo për hir të njasaj fytyre që du me e rujt me dinjitet.”
Në fund, Gjergj Luca i drejtohet të atit me një përulësi që nuk ka nevojë për retorikë:
– Qofsh mirë me Zotin aty ku je. Të du fort, për çdo këshillë dhe për çdo testament që më ke lanë.
Ky nuk është thjesht një postim ditëlindjeje.
Është një kujtesë e gjallë për një baba që prej 33 vitesh i përket përjetësisë, por që vazhdon të jetojë në mënyrën se si i biri e koncepton punën, përgjegjësinë, familjen, nderin dhe marrëdhënien me njerëzit.
Ndrek Luca nuk i ka lënë të birit vetëm një mbiemër të njohur. I ka lënë një busull morale.
I ka lënë porosi të thjeshta, por në një kohë kur shumëçka kërkon të blihet pa u fituar, të merret pa u merituar dhe të duket pa qenë, ato marrin peshën e një filozofie jetësore.
Në këtë kuptim, bashkëbisedimi i Gjergj Lucës me të atin është më shumë se një kujtim familjar. Është një përballje me pyetjen e vjetër: Çfarë mbetet nga një njeri pasi ai nuk është më?
Po, mbetet fjala, mbetet vepra, mbetet mënyra se si i ka mësuar fëmijët të ecin, mbetet fytyra që ata përpiqen të ruajnë.
Dhe ndoshta ky është kuptimi më i thellë i një trashëgimie: jo ajo që babai i lë djalit në duar, por ajo që i lë në ndërgjegje.
Në ditëlindjen e tij, Gjergj Luca nuk duket se po feston vetëm vitet e veta. Ai po bën një kthim te rrënjët. Te një zë që nuk dëgjohet më në skenë, por që vazhdon t’i flasë nga brenda. Te një baba që iku nga kjo botë, por la pas një pyetje që ndoshta nuk plaket kurrë:
“A i mban mend porositë që t’kam lanë?”
Dhe përgjigjja e birit është vetë mënyra se si ai zgjedh të jetojë: “Nuk kam heqë dorë prej djersës, prej punës, prej të vërtetës, prej të moralshmes. Nuk kam heqë dorë prej trashëgimisë që më ke lanë, o babë.”
Sepse disa etër nuk vdesin.
Ata thjesht pushojnë së foluri me zë dhe fillojnë të flasin përmes jetës së bijve të tyre.
KOHA JONË SONDAZH

