Celulari i lidhur më bombë në makinë, dëshmon pronari nga Vlora: Ja ku dyshoj
Është zbardhur dëshmia e 39-vjecarit Endrit Sabaudinaj në Vlorë, të cilit i vendosën tritol në makinë ditën e djeshme, por fatmirësisht nuk shpërtheu.
Gazetari Enrik Mehmeti raporton për “BalkanWeb” se në dëshminë e tij, 39-vjecari ka thënë se nuk ka pasur konflikte të mëparshme apo kërcënime.
“S’kam pasur konflikte të mëparshme dhe kërcënime. Kam disa kohë që kam marrë një lokal me qira”- ka thënë ai në dëshminë e tij.
Theksojmë se lokali i marrë me qira tek ‘Uji i Ftohtë’ është i njohur për një ngjarje të ndodhur në fund të marsit, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë dhe kjo është një nga pistat ku po heton policia.
Ka qenë vetë pronari i mjetit ai që sinjalizoi policinë pasi pa një qese të zezë plastike të dyshimtë pranë mjetit të tij të parkuar me targa AA 233 OX pranë zonës së ‘Ujit të Ftohtë’.
Policia ka kryer shpërthim të kontrolluar dhe ka shoqëruar 6 persona lidhur me ngjarjen. Sipas uniformave blu po verifikohet celulari i lidhur me eksplozivin si dhe karta SIM e cila rezulton e blerë në tregun e zi.
Njoftimi i policisë:
Më datë 15.12.2017, rreth orës 18:55, Salla Operative Vlorë është njoftuar nga një telefonatë prej shtetasit E.S., 30 vjeç, pasi dyshon se rreth 2 m larg, përpara mjetit të tij tip ”Benz”, në lagjen ”Uji i Ftohtë”, dallon një qese plasmasi të zezë dhe dyshon se ka lëndë eksplozive.
Lajmëruesi ka qenë vetë pronari i makinës tip “Benz” me targë AA 233 OX. 30- vjeçari ka bërë të ditur për Policinë se në momentin që po hipte në automjet, të cilin e kishte parkuar në zonën e Ujit të Ftohtë, ka konstatuar një pako të dyshimtë të mbështjellë me një qese të zezë.
Menjëherë, forcat e policisë shkuan në vendin e ngjarjes dhe veprimi i parë ishte vendosja e një perimetri sigurie duke i paraprirë ndonjë shpërthimi, pasi kishte dyshime se lënda eksplozive mund të kontrollohej me telekomandë.
Ndërsa për asgjësimin e pakos së dyshimtë, Policia e Vlorës thirri në ndihmë forcat xheniere në Tiranë, të cilat pas disa orësh mbërritën në vendin e ngjarjes dhe bënë asgjësimin e pakos me shpërthim të komanduar.

