
Pas kaosit të një jave më parë, këtë të hënë Kuvendi tentoi kthimin në normalitet me disa mbledhje komisionesh, por demokratët braktisën punimet.
Në disa prej komisioneve, një prezencë simbolike e deputetëve demokratë përcolli mesazhin në emër të opozitës: “Nuk mund të rrimë në komisione sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ndaj kërkoj thirrjen në seancë dëgjimore të min. të Brendshëm dhe dr. të Policisë, që të kuptohet përse kanë zgjedhur kërbaçin”.
Edhe mazhoranca ruajti të njëjtën qasje, në respekt të protestës nga njëra anë, por njëkohësisht kundër dhunës.
”Ne kemi përgjegjësinë tonë për të reflektuar, duhet ta kishim bërë më shpejt dhe më mirë. Nuk jemi ne problemi juaj. Nëse për ne protesta është çështje reflektimi; për ju është çështje ekzistence”, u shpreh deputeti i PS, Fatmir Xhafaj.
Qëndrime të ngjashme u mbajtën nga demokratët edhe në komisionet e tjera, pas të cilave deputetët e pakicës u larguan nga komisionet përkatëse.
