FAMILJA BUJQËSORE DHE AKTET E MARRJES SË TOKËS NË PRONËSI/PËRDORIM

Shkruar nga Besmir Lesaj-
FAMILJA BUJQËSORE DHE AKTET E MARRJES SË TOKËS NË PRONËS/PËRDORIM
Hyrje:
- Diskutimi mbi terminologjinë e përdorur mbi përfituesit e Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi apo Përdorim (në vijim AMTP), disa kohë më parë[1] konsideroheshin si jo thelbësore në lidhje me të drejtat që burojnë nga AMTP-ja, por një qasje e ndryshme në procedurat e ndjekura nga institucionet përgjegjëse për emetimin, kontrollin dhe regjistrimin (ҫ’regjistrimin) e AMTP-ve[2], ashtu si edhe gjykatat në vendimarrjen e tyre[3], në këndvështrimin tim ka ngritur disa probleme, që si emërues të përbashkët kanë emërtimin “familje bujqësore”.
- Emërtesa si “familje bujqësore” apo jo, nuk është një problematikë e natyrës gjuhësore, por cënim i të drejtave të ligjshme të pronarëve të tokave bujqësore, të përfituara nga pajisja me AMTP. Po të analizojmë trajtimin që i bëhet familjes bujqësore nga ligji nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar (nenet nga 222 deri 230), dhe po të përfshijmë në zbatimin e tij edhe familjet që kanë marrë AMTP-të (për të qënë të saktë “anëtarët e familjeve përfituese të AMTP-ve”), atëherë do vihej re një qasje drejt “avullimit” të të drejtave të tyre të pronësisë, mbi pasuritë (lexo ngastrat) të shkruajtura në AMTP.
- Për ta bërë më të thjeshtë tëmën që do trajtohet:
- Në qoftë se pajisja me AMTP është bërë më 1992,
- për 4 anëtarë që ishin në certifikatën familjare të 1.8.1991,
- dhe sot (datën kur aplikohet për regjistrim kontratë shitjeje, këmbimi, dhurimi, e të tjera) nga ajo familje janë larguar dy nga anëtarët përfitues (1.8.1991), dhe po ashtu janë shtuar dy anëtar të rinj (mund të jetë bashkëshorte, fëmijë të lindur pas 1.8.1991 ose 10.1992, e të tjerë),
atëherë nëse trajtohet familja e pajisur me AMTP si “familje bujqësore”, bazuar në parashikimet e neneve nga 222 deri 230, të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, pronësia mbi sipërfaqen e AMTP-së së mësipërme, për pjesën që janë pajisur dy anëtarët e larguar nga certifikata e 1.8.1991, do “transferohej” tek anëtarët e rinj të familjes.
- Kjo lloj qasje nuk haset në mënyrë sporadike, në një numër të caktuar praktikash/ҫështjesh, pasi për regjistrimet e AMTP, duke filluar nga data 4.2.2021, vlen sa parashikuar në shkronjat (a) dhe (b), të pikës 7, të vendimit nr. 1174, date 24.12.2020 “Për procedurat e regjistrimit të AMTP-ve, saktësimin e kufijve e sipërfaqeve, si dhe normat për sipërfaqet shtetërore shtesë e pronat shërbyese”.
- Për sa i përket transaksioneve mbi pasuritë e regjistruar mbi bazë AMTP-të, me shkresën nr. 5584/1 Prot, datë 31.7.2014 të ish-Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, konfirmuar si qëndrim me shkresën nr. 5802/1 Prot., datë 25.6.2019 të Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, rezulton se pronarë të këtyre pasurive/ngastrave, konsiderohen anëtarët e familjes, që në datën e përpilimit të aktit (shitje, këmbim, pjestim, dhurim, e të tjera), janë në certifikatën familjare të kryefamiljarit, që rezulton i shënuar në AMTP.
- Për të qënë më të saktë, në pamundësi për të gjithë për të pasur akses në shkresat e mësipërme, citoj: “ … ZQRPP gjen me vend të vendos për dijeni edhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për mënyrën e veprimit për raste të ngjashme, duke sqaruar se, meqënëse familja bujqësore është një familje në ndryshim të vazhdueshëm pasi anëtarët e saj mund të shtohen apo pakësohen dhe duke qënë se pasuria e paluajtshme e kësaj familje regjistrohet në ZRPP në emër të kryetarit të saj, pa përcaktuar bashkëpronarët, atëherë ҫdo veprim që do të kryhet për pasurinë në fjalë, si mund të jetë pjesëtimi apo kalimi i pasurisë do të bëhet referuar certifikatës së gjendjes civile në ҫastin e kryerjes së veprimit.”[4]
- Si dhe: “Referuar dispozitës ligjore të sipërcituar (shkronja (b), neni 5, ligji nr. 8337, datë 30.4.1998), por edhe përcaktimeve ligjore të Kodit Civil (neni 222 e në vijim), ndodhur para faktit se familja bujqësore është një familje në ndryshim të vazhdueshëm pasi anëtarët e saj mund të shtohen apo pakësohen dhe duke qënë se pasuria e paluajtshme e kësaj familje regjistrohet në ZRPP në emër të kryetarit të saj, pa përcaktuar bashkëpronarët, atëherë ҫdo veprim tjetërsimi që ka të bëjë me shitje/dhurim/pjestim që do të kryhet në lidhje me këto pasui, duhet të bëhet referuar ҫertifikatës së gjendjes civile të ҫastit të kryerjes së veprimit të tjetërsimit të kësaj pasurie (shkrimi i theksuar Bold është i shkresës).”[5]
Trajtimi:
- Si gurë themeli për pajisjen e familjeve me AMTP, ka shërbyer ligji nr. 7051, datë 19.7.1991 “Per token” (në vijim ligji 7501) dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 255, datë 2.8.1991 “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore”.
- Fillimisht nevojitet të diferencohet vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 306, datë 30.6.1994 “Për masat që do të merren për zonat e përmbytura nga ndërtimi i hidrocentraleve në rrethet Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë”, i cili në vlerësimin tim, gabimisht përfshihet në grupin e akteve të nxjerra për zbatim të ligjit 7501.
- Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 306, datë 30.6.1994 “Për masat që do të merren për zonat e përmbytura nga ndërtimi i hidrocentraleve në rrethet Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë”, është akt i pavarura nga ligji 7501, i llojit sui generis, pasi ka dalë për të përballuar një situatë emergjente, të paparashikuar për tu trajtuar nga ligji apo aktet nënligjore të asaj kohe.
- Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 306, datë 30.6.1994 “Për masat që do të merren për zonat e përmbytura nga ndërtimi i hidrocentraleve në rrethet Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë” gjithsesi është objekt i trajtimit sipas ligjit nr. 20/2020, datë 5.3.2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në republikën e shqipërisë”, që përbën gjithashtu një ligj sui generis që ka për qëllim të përmbyllë proceset kalimtare të pronës deri më 31 dhjetor 2028 (neni 82), që vlerëson kriteret ligjore për regjistrimin e AMTP të paregjistruar më pare (neni 7), trajton rastet kur AMTP nuk mund të regjistrohen (neni 8), si dhe mënyrën se si do veprohet për sa i përket AMTP-ve të regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme (neni 9).
- Ligji 7501 është nxjerrë bazuar në ligjin nr. 7491, datë 29.4.1991 “Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese” si dhe i nënshtrohet edhe ligjit nr. 6340, datë 26.6.1981 “Kodi Civil i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”[6].
- Neni 11 i ligjit nr. 7491, datë 29.4.1991 “Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese”, parashikon se: “Subjekte të së drejtës së pronësisë janë shteti, personat juridikë dhe fizikë”. Familja bujqësore, si entitet i krijuar si rrjedhim i pajisjes me AMTP, nuk parashikohet si subjekt i të drejtës së pronësisë.
- Në nenin 68 të ligjit nr. 6340, datë 26.6.1981 “Kodi Civil i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” kemi: “Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë pasuritë janë në pronësi të shtetit, të kooperativave bujqësore dhe të personave të veçantë”. I tillë parashikim gjithashtu përjashton që, mbi bazë të Kodi Civil në fuqi në momentin e miratimin të ligjit 7501, të arrihet në konkluzionin që familja bujqësore është entitet më vete, me të drejta pronësore, si rrjedhim i pajisjes me AMTP.
- Paragrafi 2, i pikës 2 si dhe fjalia e dytë, e pikës 3, e Vendimi të Këshillit të Ministrave nr. 452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore” parashikojnë pajisjen me tokë edhe të familjeve me banim në qytet. Pajisja është bërë nëpërmjet AMTP (në përdorim) të cilat, me akte nënligjore të mëvonshme, u kaluan në AMTP (në pronësi)[7].
- Për sa më sipër del se edhe familje me banim në qytet janë pajisur me AMTP, jo të gjitha familjet në fshat janë pajisur me AMTP[8], janë dhënë me AMTP edhe sipërfaqe brenda vijës kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave të banuara[9] dhe se për tu konsideruar “familje bujqësore” nuk mjafton pajisja me AMTP, por duhet:
- Të krijohet si entitet, nga vullneti i shprehur me shkrim i anëtarëve që plotësojnë kriteret e nenit 223, të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
- Të ketë të individualizuar nëpërmjet dokumentacionit provues, atë që në nenin 222, të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, konsiderohet “ekonomi bujqësore”.
- Të ketë të nënshkruar aktin e zgjidhjes së kryetarit të saj (familjes bujqësore).
- Të rregjistrohet në organet përkatëse[10], duke depozituar aktet e mësipërme.
- Si fillim rezulton diferenca mes “familjes bujqësore” si rrjedhim i pajisjes me AMTP, me parashikimin në nenin 222, ku kuptohet se në familjen bujqësore sipas përcaktimeve të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, mund të përfshihen edhe pasuri të luajtshme, që janë krijuar si kontribut i anëtarëve të familjes bujqësore (shembull makineritë bujqësore, furnizimi me farëra bujqësore, e të tjera). Ndërsa në AMTP-të, të konsideruarat “familje bujqësore”, përfitojnë në bashkëpronësi vetëm tokën bujqësore, pa gjetur hapësirë për përfshirjen e pasurive të tjera, në mungesë të një regjistrimi të rregullt sipas ligjit (që ngelen në pronësi dhe disponim të lirë të individëve pjestarë të familjes bujqësore).
- Së dyti, fjalia e dytë e nenit 44, të ligjit nr. 6340, datë 26.6.1981 “Kodi Civil i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, parashikon se: “Krijimi i njësive ekonomike me llogari më vete, pa llogari likuiduese në bankë bëhet sipas varësisë me urdhër të ministrit a të drejtuesit të institucionit tjetër qendror ose me vendim të komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit, në bazë të propozimit që bën vetë ndërmarrja.”.
- Së treti, neni 70, i ligjit nr. 6340, datë 26.6.1981 “Kodi Civil i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ka të parashikuar: “Prona shtetërore i përket gjithë popullit dhe është forma më e lartë e pronës socialiste. Shteti është pronar i vetëm i të gjithë pronës shtetërore. Janë pronë vetëm e shtetit: toka dhe pasuritë e nëntokës, minierat, pyjet, kullotat, ujërat, burimet natyrore të energjisë, uzinat, fabrikat, stacionet e makinave dhe të traktorëve, bankat, rrugët e komunikacionit dhe mjetet e transportit hekurudhor, ujor e ajror, portet, telegrafët, telefonat, stacionet e radios dhe të televizionit, kinematografia. Pronë e shtetit është edhe çdo pasuri tjetër që krijohet në sektorin shtetëror ose që shteti fiton sipas ligjit.”. Si rezultat kooperativat nuk kishin toka, pyje, kullota, e të tjera në pronësi. Kjo për të bërë diferencimin me parashikimin e nenit 5, të ligjit 7501, ku dhe kemi: “Familjet anëtare të kooperativës bujqësore, pas ndarjes së tokës kanë të drejtë të shkëputen dhe të dalin subjekt me vete, duke marrë në pronësi tokën bujqësore që u takon nga terësia e subjektit ku bëjnë pjesë. Sasia dhe vendi ku do të jepet toka, përcaktohet nga komisioni i tokës.”. Kjo vihet edhe më shumë në pah, po të marrim në vlerësim edhe nenin 74 të ligjit nr. 6340, datë 26.6.1981 “Kodi Civil i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”: “Janë pronë e kooperativës bujqësore ndërtesat, makinërite, pajisjet, mjetet e transportit, veglat dhe mjetet e punës, kafshët e punës e të prodhimit, kulturat drufrutore, produktet bujqësore e blegtorale, si edhe mjete të tjera të nevojshme për veprimtarinë e saj.”.
- Në të njëjtën linjë me ligjin 7501 dhe akteve të tjera të analizuar më lart, është edhe ligji nr. 7983, datë 27.7.1995 “Për shitblerjen e tokës bujësore, livadheve dhe kullotave”, ku dhe kemi:
- Neni 2: “Tokë bujqësore e familjes”-Toka bujqësore që i është dhënë në pronësi familjes sipas dispozitave të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”.”
- Neni 4: “Kur familja dëshiron ta tjetërsojë pronësinë mbi tokën bujqësore, livadhet e kullotat, i paraqet regjistruesit dokumentet e shënuara më poshtë: … b. Një prokurë të posaçme të noterizuar, në të cilën pjesëtarët e familjes bujqësore që në momentin e tjetërsimit gëzojnë zotësi për të vepruar dhe që kanë qënë anëtarë të familjes në momentin e marrjes në pronësi të kësaj toke (nënvizim i imi).”.
- Si rezultat, në të dy rastet e përdorimit të termit “familje bujqësore”[11], mund të kuptohet se përbën një lapsus, pasi shpjegimet përkatëse në këto nene, referojnë të një trajtim të ndryshëm nga sa parashikuar në nenet 222 deri 230 të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë” (që kishte hyrë në fuqi në momentin e miratimin të ligjit të sipërcituar).
- Po të marrim në konsideratë sa parashikuar në nenet 1 dhe 4, të ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, ku vërehet se pajisja me AMTP (në rastin konkret në përdorim), i transformon përfituesit e AMTP-ve në “familje bujqësore”, kjo do krijonte dy diferencime, që në vlerësimin tim bien në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë:
- Qëllimi i ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 është rregullimi i kalimit të AMTP (në përdorim) në AMTP (në pronësi), duke përcaktuar procedurën ligjore përkatës. Për sa trajtuar edhe në pikat e tjera më lart, do kishim “familje bujqësore” për familjet që bëjnë kalimin nga AMTP (në përdorim) në AMTP (në pronësi), por nuk do realizohej i njëjti “kalim”, për familjet e pajisura drejtpërdrejt me AMTP (në pronësi).
- Ligji nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, ka hyrë në fuqi më 15.1.1996, ҫka do diferenconte familjet e pajisura me AMTP (në pronësi) para asaj date, si “familje jo bujqësore”, ndërsa ata të pajisur pas datës së mësipërme në “familje bujqësore”.
- Ligji është nxjerrë në zbatim të ligjit 7491, datë 29.4.1991 “Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese”, por sa analizuar deri tani, parashikimet e nenit 1 dhe 4 të ligjit, bien ndësh me nenin 11 të Dispozitave Kryesore Kushtetuese.
- Vendimi i Këshillit të Ministrave 231, datë 19.5.1993 “Për tokat që refuzohen të merren në pronësi ose në përdorim dhe zgjidhjen e kërkesave të shtetasve për lënien e tokës”, nuk ka asnjë referencë që e lidh pajisjen me AMTP (ose refuzimin për të marrë në pronës ose përdorim) me entitete të veçanta siç është edhe “familja bujqësore”. Referimi i bërë në vendimin e mësipërm është “familje”[12].
- Më datë 1.5.1998, ka hyrë hë fuqi ligji nr. 8312, datë 26.3.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”, që si qëllim kishte rregullimin e problematikave të konstatuar me tokat bujqësore që nuk rezultonin të ishin ndarë dhe të atyre tokave bujqësore që rezultonin të ishin ndarë por më pas refuzuar nga përfituesit ë tyre. Ky ligj i referohet përfituesve të AMTP-ve si “familjet” dhe “individë të ndryshëm” (nenet 1 dhe 2), gjë që risjell edhe njëherë të njëjtën linjë trajtimi sikurse edhe ligji 7501.
- Në lidhje me shronjën (b), të nenit 5, të ligjit nr. 8337, datë 30.4.1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”, cituar edhe në shkresat e ish-ZQRPP-së dhe ASHK-së, përmendura në hyrjen e këtij punimi, lind nevoja të sqarohet:
- Aktet që vërtetojnë përbërjen e familjes bujqësore në çastin e kalimit të pronësisë, të vërtetuar nga certifikata e gjendjes civile, vërtetimi i pushtetit lokal dhe deklarata e përbashkët e anëtarëve të familjes, referojnë të momenti ku familja përfituese ka fituar pronësinë, që korrenspondon me emetimin e AMTP-së bazuar në ligjin 7501, për të qënë në linjë edhe me vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara nr. 1, datë 6.1.2009[13].
- Shkronja (ҫ) e të njëjtit nen, parashikon si dokumentacion të domosdoshëm: “Prokurën noteriale të përfaqësimit, kur kalimi i pronësisë nuk kryhet nga gjithë anëtarët e familjes bashkëpronarë të pasurisë së paluajtshme (nënvizim i imi)”.
- Neni 7 i ligjit, parashikon se: “Veprimet për kalimin e pronësisë për pronat që nuk janë të regjistruara në bazë të ligjit nr. 7843, datë 19.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, mund të behen vetëm pasi të zbatohen rregullat e regjistrimit fillestar të pasurisë së paluajtshme”, ndërkohë që shkronja (b), e nenit 24, të ligjit nr. 7843, date 19.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, referon për zbatim ligjin 7501, gjë që risjell edhe njëherë atë që kemi analizuar që në fillim të këtij punimi (pikat 8-11).
- Vendim i Këshillit të Ministrave 224, datë 19.2.2009 “Për procedurat e krijimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e korrigjimeve, të kryera nga komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë (KV)”:
- I referohet subjektit të pajisur me AMTP që ka nevojë për korrigjime si “familje bujqësore”[14].
- Në dokumentacionin e kërkuar për të pajisur me AMTP të re (të saktë), kërkohet[15]: “Certifikatën e gjendjes familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile, e komunës dhe/ose bashkisë, ku të pasqyrohet numri i frymëve të familjes bujqësore ose individi, në favor të të cilit do të lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes më:
-1.8.1991, për ish-anëtarët e kooperativës bujqësore;
-1.10.1992, për punonjësit e ish-ndërmarrjeve bujqësore;” …
… vërtetimin e faktit se ka qenë anëtar i ish-kooperativës bujqësore, më 1.8.1991 ose punonjës i ish-ndërmarrjes bujqësore, më 1.10.1992[16].
- Komisioni vendor, në bazë të dokumentacionit të ri, të krijuar pranë tij, vendos për korrigjimin ose jo të aktit të marrjes së tokës në pronësi. Ky vendim duhet të përmbajë: Familjen bujqësore, që fiton të drejtën e pronësisë, ku janë pasqyruar të gjithë pjesëtarët dhe pjesët takuese, që ata kanë në këtë bashkëpronësi …[17]
- Si rezultat, edhe pse vendimi i mësipërm referon te “familja bujqësore”, kur trajton procedurat mbi korrigjimin e AMTP-ve, ky lloj përkufizimi rezulton jo i saktë, duke marrë për bazë sa parashikuar në nenet 222 deri 230, të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
- Në thjeshtim të sa më sipër, (shembull) një anëtar i ri (mëvonshëm) i familjes bujqësore (neni 223 i Kodit Civil aktual), që ka ka kontribuar në mbajtjen e ekonomisë bujqësore (neni 224 i Kodit Civil aktual), mund të kërkojë pjesën e vet në pasurinë e familjes bujqësore (neni 227 i Kodit Civil aktual), e cila i jepet në natyrë ose para (neni 228 i Kodit Civil aktual). Në të njëjtat kushte, për sa i përket pasurive të përfituar mbi bazë të AMTP-ve, nuk mundet që anëtarët e rinj të familjes (datë reference 1.8.1991 dhe/ose 1.10.1992), të kërkojnë pjesë nga pasuria e përfituar me AMTP dhe as kundërvleftën e pjesës së kërkuar.
Përfundimi:
- Me pajisjen me AMTP, të regjistruar apo jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nuk transformohet familja përfituese në familje bujqësore. Kjo passjell që për atë familje, nuk zbatohen parashikimet e neneve nga 222 deri të 230 të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
- Familja bujqësore është vetëm ajo familje që regjistrohet si e tillë, duke i’u nënshtruar nga momenti i regjistrimit, dispozitave të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenet nga 222 deri 230.
- Nuk mundet që në aktet noteriale (shitje, pjestim, këmbim, dhurim, e të tjera) apo vendimet e gjykatave (paditës/të paditur pjestarë të certifikatës familjare të momentit të ngritjes së padisë, që nuk rezultojnë në datat e përpenduar në pikën 15/ii të këtij punimi; arsyetime mbi familjet e pajisura me AMTP si “bujqësore”, duke zbatuar nenet nga 222 deri 230 të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, e të tjera) të konsiderohen pronar të pasurive/ngastrave të shënuara në AMTP, pjestarët e “rinj” të familjes, që nuk kan qënë pjestar më 1.8.1991 për ish-anëtarët e kooperativës bujqësore, 10.1992, për punonjësit e ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe 31.12.1994 për familjet që u janë përmbytur tokat nga ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës. Nuk mund të kërkohet dhe të vlerësohet si përcaktuese e pronësisë, certifikata familjare e momentit të nënshkrimit të akteve, si kërkesëpadia, ankimi apo rekursi, shitja, shkëmbimi, pjestimi, këmbimi, dhurimi, e të tjera.
- Do këshilloja që, edhe gjykatat që kanë në trajtim çështje me/për AMTP-të, në paraqitjen e rrethanave të faktit si dhe argumentimin e vendimarrjes, të shmangnin përdorimin e termit “familje bujqësore”, për sa kohë që siç u argumentuar më lart, është një term jo i saktë ligjor.
Punuar nga: Besmir Lesaj
[1] Si pikënisje e termit “familje bujqësore” rezulton se është neni 1, i ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”
[2] Neni 1, dhe pika 13, neni 3, të i ligjit nr. 111/2018, datë 7.2.2019 “Për kadastrën”; Kreu II, i ligjit nr. 20/2020, datë 5.3.2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në republikën e shqipërisë”; Vendimi nr. 1174, date 24.12.2020 “Për procedurat e regjistrimit të AMTP-ve, saktësimin e kufijve e sipërfaqeve, si dhe normat për sipërfaqet shtetërore shtesë e pronat shërbyese”
[3] Nr. 00-2024-679 i Vendimit (5), datë 11.1.2024 i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë [paragrafi 18]; Vendimi unifikues i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë nr. 393, datë 26.10.2022 [paragrafët 179, 204 dhe 213]; Vendimi unifikues i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë nr. 128, datë 7.4.2023 [paragrafi 20]; Nr. 00-2024-3278 (439) i Vendimit, date 19.7.2024 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë [paragrafi 30];
[4] Shkresa nr. 5584/1 Prot, datë 31.7.2014 e ish-Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
[5] Shkresa nr. 5802/1 Prot., datë 25.6.2019 e Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës
[6] Ligji nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ka parashikuar në nenin 1168 të tij, që hyrj në fuqi do bëhet më 1 nëntor 1994
[7] Neni 5, i ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”
[8] Shiko pikën 4, te vendimi të Këshillit të Ministrave nr. 452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”; Fjalinë e fundit, të pikes 2, të vendimi të Këshillit të Ministrave nr. 413, datë 27.7.2000 “Për trajtimin e problemeve të ngritura nga familjet që u janë përmbytur tokat nga ujëmbledhësi i hidrocentralit të Fierzës”; Pikën 1, të vendmit nr. 231, datë 19.5.1993 “Për tokat që refuzohen të merren në pronësi ose në përdorim dhe zgjidhjen e kërkesave të shtetasve për lënien e tokës”
[9] Fjalia e dytë, pika 2, neni 2, i ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”
[10] Deri më 1 nëntor 1994, vlen sa parashikuar në nenin 44 të ligjit nr. 6340, datë 26.6.1981 “Kodi Civil i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ndërsa pas datës 1 nëntor 1994 ka një dokument zyrtar të aksesushëm në linkun: https://www.instat.gov.al/media/3454/metotologjia-e-censusit-te-bujqesise-2012_finale.pdf
[11] Në ndryshim nga përdorimi i fjalës “familje”, pa pjesën “bujqësore” pas, të shkruar në 10 (dhjetë) raste
[12] Shiko edhe termin “familje fshatare” në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 428, datë 5.10.1992 “Për kriteret e dhënies së përkrahjes ekonomike familjeve fshatare me sipërfaqe të kufizuar toke dhe të ardhura të pakta”
[13] “Sipas legjislacionit shqiptar sistemi i regjistrimit te pasurise se paluajtshme nuk ka efekt krijues, por thjesht publikues, njohes, pasi jane aktet baze mbi te drejtat reale te pronesise qe krijojne, ndryshojne apo mbarojne te drejtat perkatese dhe jo regjistrimi i akteve”
[14] Shkronja (b), pika 3 dhe shkronja (a), pika 7, vendimi nr. 224, datë 19.2.2009 “Për procedurat e krijimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e korrigjimeve, të kryera nga komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë (KV)”
[15] Shkronja (b), pika 3, vendimi nr. 224, datë 19.2.2009 “Për procedurat e krijimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e korrigjimeve, të kryera nga komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë (KV)”
[16] Shkronja (d), pika 3, vendimi nr. 224, datë 19.2.2009 “Për procedurat e krijimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e korrigjimeve, të kryera nga komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë (KV)”
[17] Shkronja (a), pika 7, vendimi nr. 224, datë 19.2.2009 “Për procedurat e krijimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e korrigjimeve, të kryera nga komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë (KV)”