Kullimin bashkia – (Anti)përmbytjen qeveria

Nga Gjovalin Gjeloshi

Në prag të nisjes së dimrit, një grup gazetarësh të televizioneve qëndrore e lokale, intervistonin drejtorin e bujqësisë së një bashkie, me shqetësimin parësor se, cilat ishin masat që po merrte bashkia për të përballuar përmbytjet e tokave bujqësore? Drejtori përpiqej të u shpjegonte gazetarëve (që nuk dallonin dot përmbytjen nga moskullimi i tokave), se bashkia përpiqet të sinkronizojë masat e veta me ato që merr qeveria, por nuk është në gjendje që me mjetet e veta teknike dhe me fuqinë e saj financiare, të përballojë përmbytjet në rast se ndodhin apo të marrë masa që të mos ndodhin.

Po një drejtor bujqësie në një bashki tjetër, u thoshte gazetarëve se, bashkia qoftë ligjërisht (nuk merret), por edhe materialisht e financiarisht, nuk i përballon dot përmbytjet. Të nesërmen gazetarët me tituj bombastik (ashtu i dinë ata që nuk e njohin fushën për të cilën flasin e shkruajnë), shpallën “dorëzimin” e bashkisë dhe në nëntitull komunikonin thënien e drejtorit: Nuk i përballojmë dot përmbytjet. Mirpo fjala “dorëzim” nuk i pëlqeu kryetarit të asaj bashkie dhe i kërkonte drejtorit të tij që të ia sqaronte më tej domethënien e deklarimit përpara gazetarëve…

Swiss Digital Desktop Reklama

Kullimi dhe ujitja- dy nocione të fjalorit bujqësor dhe dy procese të agroteknikës në përgjithësi, nga më të rëndësishmit në kultivimin e bimëve bujqësore. Por ndërsa shërbimi i dytë për bujqësinë, ujitja, pavarësisht rëndësisë që ka dhe ndihmës që jep shteti për ta përmirësuar, konsiderohet si shërbim privat në kopështin apo fermën personale, kullimi dhe më tutje, largimi i ujrave të tepërta e në këtë mes edhe përballimi i përmbytjeve, do të mbetet përherë një detyrë publike. Një detyrim që duhet ta kryejnë organet qëndrore dhe lokale të pushtetit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Po atëhere, si janë ndarë kompetencat ligjërisht midis pushtetit vendor- bashkisë dhe atij qëndror-qeverisë, për ta realizuar këtë shërbim të rëndësishëm për territorin (tokën) dhe për njerëzit? Mendoj se është ndër të paktat shërbime që iu ofrohen shtetasve, ku janë ndarë saktësisht detyrat e të dy pushteteve dhe secili prej tyre e ka të qartë funksionin që ka për të kryer. Teknikisht kullimi i tokave bujqësore ndahet në dy kategori: kullimi i madh- ku përfshihen kanalet e para dhe të dyta kulluese dhe kullimi i vogël- ku bëjnë pjesë kanalet e treta dhe vijat kulluese të ngastrave. Në tokat apo territoret që shtrihen nën nivelin zero (sipërfaqe të konsiderueshme në të gjithë pjesën perëndimore dhe juglindore të Shqipërisë), në grupimin “kullimi i madh” bëjnë pjesë edhe hidrovoret. Në këtë mënyrë, te kullimi i madh ka detyrime kryesisht qeveria-me mirëmbajtjen e kanaleve të para kulluese (kolektorët) dhe funksionimin e hidrovoreve, të cilat e marrin ujin e grumbulluar dhe e dërgojnë në lumenj apo dete; si dhe bashkia, me mbajtjen në gadishmëri të kanaleve të dyta kulluese. Te kullimi i vogël, nuk është më qeveria, por ka detyrime bashkia dhe vet fermeri. Ndarje më e qartë, nuk bëhet. Sistemi kullues funksionon si një rrjetë tubash kapilar që fillon nga ato me seksion më të vogël (vija kulluese)- me përgjegjës fermerin dhe përfundon te seksioni më i madh (kolektori) që ka përgjegjës shtetin. Por ndërsa rrjedha e ujit të tepërt fillon nga ngastra (vija kulluese e kanali i tretë), shërbimi për këtë rrjetë duhet të nis nga e kundërta e rrjedhës: funksionimi i hidrovorit-pastrimi e mbajtja në gadishmëri e kolektorit (kanalit të parë)-pastrimi e thellimi i kanalit të dytë. Me fjalë të tjera: duhet të punojë së pari shteti, pastaj bashkia dhe në fund fermeri ose duhet të koordinojnë punët e veprimet të tre njëherësh.

Përmbytjet (pa dashur të justifikojmë askënd), janë fatëkeqësi natyrore. Ato ndodhin edhe nëse rrjeti i kanaleve që përmendëm më sipër, funksionon për mrekulli. Por përmbytjet ndodhin edhe për shkaqe subjektive: thyerja e argjinaturave apo digave që kanë si shkak veprimet antiligjore të njerëzve apo kujdesin e pakët për mirëmbajtjen e tyre; prishja e urave (këmbëve të tyre) që ka ardhur si rezultat i shfrytëzimit të inerteve të shtratit të lumit për qëllime përfitimi apo si rrjedhojë e projektimeve dhe ndërtimeve jashtë kushteve teknike. Përmbytjet e tokave bujqësore që janë në kuota nën nivelin e detit, ndodhin edhe për shkak të fryerjes së lumenjëve prej reshjeve të shumta dhe kolektorët shkarkues nuk funksionojnë-arsye objektive, por edhe si rezultat i mospastrimit dhe mosthellimit në kuotat e duhura hidrualike të kanaleve kryesor kullues dhe prej mosfunksionimit të hidrovoreve, detyrë që nuk kryhet mirë prej institucionit përgjegjës (qeverisë) – arsye subjektive. Dhe më tej: uji vazhdon me ditë të tëra të qëndrojë në parcelë, sepse nuk funksionojnë si duhet kanalet e dyta dhe të treta kulluese- detyrë të cilën nuk e ka kryer mirë bashkia dhe fermeri.

Në këto rreshta nuk bëjmë fjalë që në punën e tyre institucionet qëndrore e lokale duhet t’i ndajnë detyrat e tyre “me thikë” dhe të mos koordinohen mes tyre. Jo! Gjatë këtyre afro dy viteve që funksionon kjo ndarje detyrash, nëpër Shqipëri gjenë shumë shembuj pozitiv, ku Bordet Rajonale të kullimit kanë bashkëpunuar shumë mirë me drejtoritë e bujqësisë të bashkive për të kryer detyrat veças, por me synime të përbashkëta. Nëse bashkia e ka përqëndruar punën në hapjen e kanaleve kulluese të një zone, edhe Bordi i Kullimit ka planifikuar që t’i përgjigjet punës së bashkisë po në atë zonë, me qëllimin final që “uji të rrjedhë”. Por synimi ynë ishte të ceknim edhe rëndësinë e bashkëpunimit, por kryesisht ndarjen e përgjegjësive, nisur nga kompetencat e shkruara për secilin institucion dhe punës konkrete që bëjnë: përmbytja në rastin më të mirë (rastin më të keq po konsiderojmë arsyet objektive) vjen nga mosfunksionimi i hidrovoreve dhe kolektorëve ujëmbledhës, detyrë të cilën vazhdon ta kryej qeveria, sepse ajo i ka fondet dhe mjetet për ta kryer këtë funksion dhe kullimi i tokave (nëse uji e ka rrugën të hapur drejt detit apo lumit), është përgjegjësi direkte e bashkisë së bashku me fermerët, që edhe ata duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë.

Sipas revistës “Drini”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?