Ndrek Luca, portreti i mjeshtrit të madh të karakterit, vullkani shpirtëror i roleve ikonike

Nga Albert Vataj
Ndrek Luca mbetet i adhuruari i roleve ikonike të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, si dhe shembulli më domethënës i forcës së karakterit dhe thellësisë shpirtërore të shprehur në art. Ai arriti të mbetej i madh në çdo përmasë njerëzore, që nga e përditshmja rutinore, e deri te sublimiteti i aktit krijues, si shprehje e një virtuoziteti të lartë etiko-estetik. Pavarësisht rrethanave dhe tipizimit të karaktereve që i duhej të jetësonte, ai i falte skenës vetveten, duke e shndërruar ëndrrën e tij artistike në një ngjarje të amshuar.
Ndrek Luca mbrujti me shpirt gjithçka që deshi dhe i dha jetë çdo roli me një zemër që pulsonte vitalitet e me një mendje të ndriçuar. Ai mishëroi te personazhet e tij përmasa gjigante njerëzore, duke i bërë ato të pavdekshme në galaksinë e pamatshme të artit skenik e kinematografik.

Prolog
Ndrek Luca mori udhën e amshimit në moshën 69-vjeçare. Ai kishte ende për të dhënë, për të bërë e për të treguar; arti skenik, qytetaria dhe demokracia e sapolindur e asaj kohe kishin ende nevojë për të. Mirëpo ai e kishte “vendosur” të ikte. Edhe në frymëmarrjen e fundit, në mbylljen e siparit, ai mbeti i përhershëm: me gjallërinë karakteristike, temperamentin shpërthyes, kumbimin e zërit, qeshjen e shpenguar dhe ashpërsinë e dlirë prej malësori. Ai mbeti i gjallë në prapaskenë, jo thjesht si frymor, por si një shpirtje e përjetshme që i blatua asaj bote që i përmbushi ëndrrën.

Shuarja e një ylli
Me 16 janar të vitit 1993, Ndrek Luca u nda nga jeta. U fik një nga yjet e skenës, një pishtar që dha dritë e ngrohtësi në dimrin e gjatë të përballjeve, si në skenë ashtu edhe në jetë. Me ikjen e tij u ndërpre fizikisht prurja e mëtejshme e një tradite të pasur e unike.
Ai, së bashku me një plejadë krijuesish, interpretuesish, skenaristësh e kineastësh, arriti të tregonte madhështi edhe nën privacione, represion e mbikëqyrje ideologjike. Mbetën viganë të panënshtruar, të cilët do të kujtohen gjithmonë për artin që bënë, shpirtin që dhuruan dhe sakrificat që i shndërruan në vepra arti.

Malësori i madh i skenës
Në ato kohëra ku nuk mjaftonte vetëm talenti, por duhej shumë më tepër, Ndrek Luca projektonte caqet e së mundshmes. U ngjiz si mjeshtër i sfidave të vështira dhe si një nga aktorët me individualitetin më të veçantë artistik, i shquar për interpretime të thella e përjetime përshkuese. Loja e tij skenike ndriçohej nga një botë e pasur e brendshme, ndërsa ndjeshmëria e tij e furnizonte çdo rol me shkëlqim.
Ai iu përkushtua me mish e me shpirt si teatrit, ashtu edhe kinematografisë, duke lënë pas figura që u bënë pjesë e paashmangshme e kulturës sonë kombëtare.

Fenomeni “Ndrek Luca”
Me forcën e artit të deklamimit dhe shpirtin e papajtuar me padrejtësitë, Ndrek Luca arriti të ruante të intakt karakterin e tij prej malësori. Këtë e dëshmoi fuqishëm në rolet ikonike të veriorëve: që nga malësori tipik te “Plagë të vjetra”, e deri te Baca te “Gjetajt”, një burrë i drejtë e i gatshëm për sakrificë. I tillë “Bacë” ishte ai edhe në jetën e përditshme.
Siç shprehej Stanislavski, aktori “ngjitet në skenë për të luftuar, e për këtë duhet të ketë planin e vet që të arrijë fitoren”. Si Artist i Popullit, Ndrek Luca kishte si plan përkushtimin maksimal mendor, fizik e shpirtëror. Synimi i tij parësor ishte zbulimi i të vërtetës në skenë. Ai studionte thellësisht dramën, skenarin dhe psikologjinë e personazhit.
Marian Shestani, në veprën “Shkodra – Kontributet në traditat kulturore e artistike shqiptare”, do të shkruante për të: “Në bazë të logjikës së tij qëndronte njohja e jetës. Zotëronte mirë skenën, hynte thellësisht në rol, transformohej në mënyrë krijuese e të vetëdijshme në personazhin që interpretonte, duke ruajtur karakterin konvencional të lojës e duke mos rënë në naturalizëm. Ndrek Luca ishte i madh në thjeshtësinë e vet.”

Vizioni dhe krijimtaria
Aktor me intelekt të lindur dhe vizion të qartë, i impulsiv, ngulmues dhe gjithmonë i çiltër me spektatorin, ai ishte i pajisur me aftësinë e vetëkërkimit. Luca ishte aktor i idesë dhe jo i efektit sipërfaqësor.
Ai realizoi me përkryerje role klasike e moderne në teatër, si: Jago te “Otello”, Lekë Gjoka te “Toka jonë”, Pali te “Vajza nga fshati”, Guri Bardhi te “Përleshja”, Ribakovi te “Orët e Kremlinit”, Maksimura te “Në anën tjetër”, Xhiri te “Arturo Ui”, Deli Pjetra, e shumë të tjerë.
Në kinematografi mbeten të paharruara interpretimet e tij si: Tomori (“Detyrë e posaçme”), Dom Pali (“Komisari i dritës”), Lu Ta Hai (“Shtrëgata”), Jonuz Bruga (“Ushtimë në bregdet”), Ramiu (“Dueli i heshtur”), Gjin Maneshi (“Plagë të vjetra”), Pjetër Mustakuqi (“Operacioni zjarri”), Ndrio (“Udha e shkronjave”), etj.
Përveç aktrimit, ai lëroi me sukses edhe dramaturgjinë. Rrugëtimin e nisi në vitin 1952 me komedinë me një akt “Nuska”, për të vijuar me drama të njohura si: “Shtatë shaljanët” (1957), “Votra e huaj” (1958), “Nënë më fal”, “Letër në malësi”, “Një firmë me revole”, “Oborri i përbashkët”, “Jerina”, si dhe komeditë “Ëndërr në diell” e “Nusha”. Për jetën dhe veprën e tij, Dr. Luigj Martini ka botuar monografinë e plotë “Ndrek Luca” (Shkodër, 2016).

Nga Dukagjini në panteonin e artit
Ndrek Luca u lind në Dukagjin më 3 shtator 1927. Familja e tij u shpërngul në Shkodër që kur ai ishte i small. Edhe pse u largua nga malësia, ai ruajti në shpirt e karakter energjinë e asaj toke.
Pas përfundimit të Shkollës së Aviacionit në Jugosllavi dhe kthimit në atdhe, pasioni i fëmijërisë e shtyu që në vitin 1950 të kërkonte aktivizimin me Teatrin e Ushtrisë. Falë talentit dhe mbështetjes së regjisores Zina Andri, po atë vit kaloi si aktor profesionist në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Roli i tij i parë në këtë skenë ishte ai i Shpend Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës (11 nëntor 1950), një pikënisje që i hapi rrugën një karriere më se 30-vjeçare.
Nga viti 1951 deri në daljen në pension më 1987, Ndrek Luca realizoi mbi 100 role skenike. Flori Slatina, në veprën “Jeta e vepra e artistëve”, vëren se ai krijoi role të shkëlqyera si në komedi, ashtu edhe në dramë, pa i ndarë kurrë këto dy gjini.
Përkrah bashkëshortes së tij, aktores së njohur Mimika Luca, ai dha një kontribut të çmuar në artin shqiptar. Në vitet ’80 u sprovua edhe në regji, ku në vitin 1981 vuri në skenë me sukses në Teatrin e Operës dhe Baletit operën “Toka jonë” (libreti nga ai dhe Kolë Jakova, muzika nga Pjetër Gaci).
Për meritat e tij, që në vitin 1967 u nderua me titullin “Artist i Merituar” dhe më pas me titullin e lartë “Artist i Popullit”, si dhe u laureua me Çmimin e Republikës e çmime të tjera me peshë.

Mjeshtri i roleve komplekse
Në kinematografi, Ndrek Luca u shqua veçanërisht për mjeshtërinë në realizimin e roleve antagoniste (negative), duke u dhënë atyre vërtetësi absolute. Prifti te “Komisari i dritës”, kapter Ramiu te “Dueli i heshtur”, Gjini te “Plagë të vjetra”, Pjetër Mustakuqi te “Operacioni Zjarri”, Ndrio te “Udha e shkronjave” apo Pashai te “Balada e Kurbinit”, mbeten ndër kulmet e kinematografisë sonë.
Loja e tij shquhej për besueshmëri dhe mungesë të plotë shtirjeje. Pas shembjes së regjimit komunist, ai bëri gjithashtu një punë të madhe për njohjen dhe rehabilitimin e figurës së Gjergj Fishtës, mësuesit të tij të parë.
Performancat e tij u kurorëzuan me çmime të shumta, mes të cilave tre medaljonet e festivaleve të filmit:
1976: Medaljon në Festivalin e I të Filmit (“Rrugicat që kërkonin diell” – Gani Herri)
1983: Medaljon në Festivalin e V të Filmit (“Flaka e maleve” – Zejtari)
1990: Medaljon në Festivalin e IX të Filmit (“Balada e Kurbinit” – Pashai)

Epilog
Ndrek Luca vazhdon të jetë i gjallë mes nesh përmes galerisë së pasur të personazheve që la pas. Pavarësisht periudhës komplekse në të cilën krijoi, ai e mbajti të intakt dinjitetin, prejardhjen dhe emrin e tij.
Shembull si mik, koleg, bashkëshort e prind, Ndrek Luca diti të sfidojë rrethanat e vështira, të triumfojë me dinjitet dhe të përjetësohet në panteonin e vlerave tona kombëtare.

KOHA JONË SONDAZH

