Ka më sekrete shteti? Operacioni i SPAK që po zgjeron dosjen e Agasit
Një hetim i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ka çuar në caktimin e disa masave sigurie ndaj zyrtarëve dhe personave që dyshohet se kanë ndihmuar në shmangien e hetimeve ndaj të dyshuarve për përfshirje në veprimtari kriminale.
Në qendër të operacionit është edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa është vendosur edhe pezullimi i saj nga detyra. Sipas SPAK-ut, Hyseni dyshohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Prokuroria pretendon se ajo ka përdorur informacion të klasifikuar për t’i dhënë ndihmë Ergys Agasit, i cili është i arrestuar dhe po hetohet në kuadër të dosjes së lidhur me aferën e AKSHI-t. Në njoftimin e saj, SPAK i referohet në mënyrë specifike paragrafit të dytë të nenit 302 të Kodit Penal, që lidhet me dhënien e ndihmës në rrethana të lidhura me krimin e organizuar.
Hyseni ndodhej në Azerbajxhan
Vlora Hyseni ndodhej në Azerbajxhan, pjesë e një forumi ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit, ku Shqipëria përfaqësohej mes rreth 100 shteteve pjesëmarrëse. Përveç masës së arrestit në shtëpi, Gjykata ka vendosur edhe pezullimin e saj nga funksioni. Hetimi duket se është fokusuar te personat që dyshohet se kanë ndihmuar Ergys Agasin të shmangë autoritetet, duke u zgjeruar përtej episodit fillestar të dosjes së AKSHI-t.
Dy masa të tjera sigurie
Në kuadër të të njëjtit hetim, prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, kanë ekzekutuar edhe dy masa të tjera sigurie. Njëri prej personave të ndaluar është Fatjon Kalluçi, me detyrë shef sektori në Policinë Shkencore. Ndaj tij rëndon, sipas SPAK, akuza për nxjerrje të të dhënave sekrete. Personi tjetër është Embro Sulejmani, i cili punon si kryekamerier në restorantin e kompleksit të vilave qeveritare në Durrës, ambient i administruar nga shoqëria “Agroturizëm Kodra e Kuajve”. Sulejmani dyshohet për përkrahje të autorit të krimit. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, ai dyshohet se ka ndërhyrë në sistemin e kamerave të sigurisë së restorantit pas arrestimit të Ergys Agasit. Një nga pistat që po verifikohet lidhet me mundësinë që fshirja e pamjeve të jetë bërë për të eliminuar gjurmët e qëndrimit të Agasit në këtë ambient. Megjithatë, motivi dhe rrethanat konkrete mbeten pjesë e hetimit.
Kontrolle në Durrës
Paralelisht me ekzekutimin e masave të sigurisë, agjentë të BKH-së dhe forca të Policisë kanë ushtruar kontrolle në disa ambiente, bazuar në urdhra të lëshuar nga gjykata. Forcat RENEA dhe njësitë speciale janë parë në zonën e Shkozetit në Durrës, ku kontrollet kanë zgjatur për disa orë. Sipas SPAK, kontrolle janë kryer edhe në kompleksin e vilave në këtë zonë, i cili është lidhur në raportime të mëparshme me persona të njohur të botës së krimit në Durrës.
Kontroll edhe në banesën e ish-drejtorit të Policisë
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm i operacionit ka qenë kontrolli i banesës së ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Kontrollet lidhen me të dhëna të siguruara nga telefonat e Ergys Agasit dhe Uljan Shpatarakut. Ky i fundit është arrestuar më herët dhe është identifikuar nga autoritetet si shofer i Agasit. SPAK dyshohet se ka përdorur të dhënat e përftuara nga komunikimet dhe materialet e sekuestruara për të zgjeruar hetimin dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë pasur dijeni apo rol në veprimtarinë e hetuar. Pas kontrollit në banesën e tij, Ilir Proda është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje. Hetimi vijon dhe pritet që veprimet e SPAK dhe vendimet e GJKKO-së të hedhin më shumë dritë mbi rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe mbi lidhjet që mund të kenë ekzistuar mes tyre dhe personave të hetuar në dosjen e AKSHI-t.
Rama shkarkon nga detyra Vlora Hysenin
Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, pasi Gjykata e Posaçme miratoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest me burg” dhe “pezullim nga detyra”. “Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkroi Rama në X.
PD: FBI dhe policia e SHBA të arrestojë Vlora Hysenin, ka bërë një kërcënim real për NATO-n
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar që autoritetet amerikane, përfshirë FBI-në dhe policinë e SHBA-së, të ndërhyjnë ndaj Vlorës Hyseni, duke e akuzuar atë se përbën një kërcënim për NATO-n. Berisha shkruan se Hyseni është një person që ka bërë “një kërcënim real për NATO-n” dhe kërkoi që ajo të arrestohet nga autoritetet amerikane. Deklarata e Berishës vjen në kuadër të akuzave të tij publike ndaj Vlorës Hyseni. ”Për Vlora Hysenin, e cila thuhet se është me shërbim jashtë vendit, në rast se ajo është në shoqërim të Edi Ramës, u bëj thirrje FBI-së dhe policisë së SHBA ta arrestojnë jo vetëm si një kriminele ordinere, anëtare të një organizate kriminale më të rrezikshme në Evropë, por ta arrestojë edhe si një person, e cila me grupin e vet, si anëtare grupi, ka përbërë një kërcënim real të vërtetë për aleancën e Atlantikut të Veriut”,-tha më herët kreu i PD-së.

