Vijnë ndihmat e BE-së, Xhaçka: Transparencë në shpërndarje
Vendet anëtare të Unionit dhe jo vetëm, kanë dorëzuar zyrtarisht ndihmat e akorduara për Shqipërinë pas përmbytjeve të dhjetorit 2017. Prezente kur nisi shpërndarja e ndihmave në Komandën Mbështetëse në Vaqarr, ishte ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka dhe përfaqësuesit diplomatikë të këtyre vendeve.
”Mbështetja dhe asistenca e ofruar në kohë nevoje është një tjetër demonstrim i solidaritetit të fortë të familjes europiane, por edhe i taksa-paguesve europainë. Momente të tilla vetëm sa forcojnë akoma dhe më shumë miqësinë midis popujve duke i zgjeruar mundësitë për ne si politikanë, që kemi si detyrë gjithmonë të zbulojmë një arsye më shumë dhe një mjet më efikas për forcimin e marrëdhënieve midis shteteve fqinje, qofshin ato apo jo. Në emër të qeverisë shqiptare ju siguroj se të gjitha donacionet do përdoren për të ndihmuar edhe për të rikuperuar gjendjen pas katastrofës dhe mbi të gjitha, ju siguroj se shpërndarja e tyre do të jetë e hapur dhe transparente sipas nevojave reale që kanë të gjithë ata banorë që janë prekur dhe vuajnë sot pasojat e përmbytjes”-tha Xhaçka.
Ndërkohë ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, tregoi gatishmërinë e familjes europiane për ndihmë dhe kontribut në rast nevoje por vlerësoi edhe investimin e qeverisë në drejtim të parandalimit të permbytjeve.
”Dëshiroj të falënderoj të gjithë ju për këto arritje që janë bërë tashmë edhe përsa i përket parandalimit të rezultateve negative që sjellin përmbytjet sepse ajo që kemi parë është që Shqipëria është më mirë e përgatitur se më parë, kjo edhe në sajë të investimeve që janë bërë në lumin Vjosë. Dëshiroj t’ju falënderoj ju që jeni këtu përpara nesh për punën e shkëlqyer që keni bërë sepse ju keni qenë atje gjatë gjithë kohës me të gjithë ata njerëz që kanë patur këto probleme dhe kanë përjetuar fatkeqësitë dhe duke qenë atje ju iu keni dhënë atyre shpresë”,-theksoi Vlahutin.
Përveç produkteve ushqimore dhe veshmbathjeve, vendet anëtare të BE kanë ofruar edhe mjete dhe pajisje të ndryshme logjistike, për të përballuar situata të tjera të ngjashme.

