Zjarret në vend, PD: Nuk shuhen me propagandë, Rama dështoi! Qytetarët s’janë dëmshpërblyer

Partia Demokratike ngre akuza të forta ndaj qeverisë për mënyrën se si është menaxhuar situata e zjarreve, duke e cilësuar reagimin institucional si të pamjaftueshëm përballë një rreziku që, sipas saj, ishte i parashikueshëm. Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, deklaron se në vend të përgatitjes dhe marrjes së masave konkrete, qeveria është fokusuar te propaganda. Sipas tij, paralajmërimet për mundësinë e përhapjes së zjarreve nuk janë shoqëruar me një reagim të duhur nga institucionet. Muçollari akuzon gjithashtu qeverinë se ka lënë pa mbështetje qytetarët e prekur nga zjarret, duke mos ofruar dëmshpërblimet e nevojshme për humbjet e shkaktuara.

Deklarata e plotë

Pas zjarreve dramatike në Fier dhe Himarë, Edi Rama u shfaq në vendngjarje dhe u tha qytetarëve se ‘ajo që nuk na vret, na bën më të fortë’. Me fjalë të tjera, Kryeministri u tha banorëve: të keni shëndetin, sepse qeveria kaq bën. Por shkatërrimi i shkaktuar nga zjarret nuk mund të relativizohet me batuta. Përmasat e dëmit lidhen drejtpërdrejt me masat parandaluese, kapacitetet zjarrfikëse, investimet dhe reagimin e qeverisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për banesat e djegura dhe qindra hektarët e shkrumbuar nga Veriu në Jug, Edi Rama duhet të japë llogari.

Swiss Digital Mobile Reklama

Partia Demokratike drejton publikisht këto pyetje:

Pse Shqipëria vazhdon të ketë mungesa të rënda në pajisje dhe burime njerëzore për shuarjen e zjarreve?

Përse zona të tëra mbeten ende jashtë mbulimit të këtij shërbimi jetik?

Çfarë ndodhi me dy avionët zjarrfikës? A u vunë realisht në operim dhe a kishte Shqipëria pilotë të trajnuar për përdorimin e tyre?

Ku janë 130 mjetet e reja zjarrfikëse të premtuara nga qeveria? Përse në terren vazhdojnë të qarkullojnë automjete të vjetruara, disa prej të cilave raportohen edhe pa furnizimin e nevojshëm me ujë?

Ku është fondi prej 4.3 miliardë lekësh për emergjencat civile dhe për çfarë është përdorur?

Përse fondet e buxhetit ndryshohen me akte normative dhe zhvendosen drejt qëllimeve të tjera?

Si mund të gjenden 4.2 milionë euro për spektaklin e Kanye Ëest, pothuajse sa fondi vjetor për emergjencat civile, por të mos ketë mjete të mjaftueshme kur digjen shtëpitë dhe pasuria kombëtare?

Zjarret nuk shuhen me propagandë. Nuk shuhen as me pamjet e avionëve amerikanë, të cilat Taulant Balla ua paraqiti shqiptarëve sikur qeveria kishte ngritur një flotë të vetën mbi Dajt.

Qeveria e Edi Ramës dështoi edhe këtë sezon. Nuk mori masat e nevojshme për të mbrojtur vendin, megjithëse paralajmërimet për temperatura ekstreme dhe thatësirë të zgjatur ishin të qarta.

Qeveria nuk ekziston kur qytetarët përballen me fatkeqësinë. Nuk ekziston as pas saj, kur duhet të bëjë bilancin dhe të dëmshpërblejë familjet. Shumë qytetarë vazhdojnë të presin edhe sot kompensimin për përmbytjet dhe zjarret e viteve të mëparshme. Kjo tregon se braktisja nuk përfundon kur fiken flakët: ajo vazhdon në zyrat e shtetit.

Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për dështimin e qeverisë së tij, duhet të japë llogari duke dhënë dorëheqjen.

Zjarret nuk janë një fatalitet i pamenaxhueshëm.

Një qeverisje serioze dhe e përgjegjshme që punon çdo ditë në terren për parandalimin ia del të kontrollojë dukuri të tilla. Dhe një qeverisje serioze dhe e përgjegjshme u përgjigjet me shpejtësi qytetarëve kur preken duke i dëmshpërblyer në kohën e në masën e duhur.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?