Home Aktualitet Basha në PPE:...

Basha në PPE: Një bandë ka marrë peng demokracinë, do çlirojmë shqiptarët

25
0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha merr pjesë në asamblenë politike të Partisë Popullore Europiane, partia me grupin më të madh parlamentar në Parlamentin Europian në Bruksel.

Kreu i PD-së foli për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, të cilat i konsideron “masakër elektorale”. Ai tha se zgjedhjet demokratike janë faktor kyç për integrimin europian të Shqipërisë.

“Zgjedhjet janë një nga kriteret më të rëndësishme për rrugëtimin europian të çdo vendi. Ato kanë të bëjnë drejtpërdrejt me demokracinë ndërkohë që 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë. Kjo është një sfidë e jashtëzakonshme për ne, për Partinë Demokratike sepse nga njëra anë ne e dimë fare mirë se ndryshimi në Shqipëri mund dhe do të vije vetëm përmes procesit të integrimit europian të vendit. Nga ana tjetër procesi i integrimit europian të vendit nuk mund të ecë përpara me një vend ku qeveria në vend që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme është kapur për herë të dytë në flagrancë duke manipuluar në mënyrë masive dhe sistematike zgjedhjet që nga vjedhja e të dhënave personale të shtetasve tek keqpërdorimi i administratës, tek intimidimi dhe shantazhimi i punonjësve publike dhe i zgjedhësve dhe ç‘është më e keqja tek vazhdimi i aleancës me krimin. Këto janë edhe prioritetet që kam diskutuar me partnerët dhe aleatët tanë ku padiskutim ndarja e politikës me krimin mbetet një imperativ për Shqipërinë për të ecur përpara”, deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha.

Ngërçi me mazhorancën

I pyetur për dialogun mes qeverisë dhe opozitës në Shtator kur nis punën dhe Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit, Lulzim Basha u shpreh se vendit duhet t’i rikthehet demokracia funksionale.

“Dialogu politik është mjet nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi ynë është të çlirojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga një bandë plaçkitësish që e kanë marrë peng demokracinë e vendit. Dhe në funksion të kësaj ne do të bëjmë gjithçka brenda dhe jashtë parlamentit, brenda dhe jashtë vendit në mënyrë që Shqipërisë një orë e më parë t’i kthehen kushtet dhe mundësitë për një demokraci funksionale nga e cila varet pastaj gjithçka: rendi dhe siguria, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe dhënia fund e hemorragjisë së emigracionit së të rinjve”, deklaroi Lulzim Basha.

Ngecja e negociatave

Sa i përket mungesës së datës për Konferencën e parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, kryedemokrati u shpreh se mesazhi i Europës është “një demokraci funksionale”.

“Burokracia europiane ka një mënyrë të shprehuri, e cila racionalizon vendimet politike të Këshillit Europian, ndërsa për Shqipërinë dhe shqiptarët gjërat janë të qarta, pa demokraci nuk ka Europë, nuk ka rrugë të shkurtër drejt Europës, siç nuk kishte rrugë të shkurtër drejt NATO-s, apo drejt heqjes së vizave, ndaj pavarësisht prej zbukurimeve apo propagandës, sado e fuqishme të jetë e vërteta është e thjeshtë dhe e qartë. Shqipëria do të ecë përpara atëherë kur demokracia të funksionojë, ku shteti i së drejtës të funksionojë dhe pa diskutim që 25 Prilli jo vetëm nuk ka zgjidhur gjë, po ka shtuar problemet në këtë drejtim. Ndaj unë, Partia Demokratike, opozita kemi një detyrë akoma më të madhe karshi shqiptarëve e Shqipërisë, e në veçanti dëshirës së tyre, dëshirës sonë të përbashkët për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, për të zgjidhur problemin më të madh që Shqipëria sot ka, problemin e konfirmuar më 25 Prill që është rrënja e demokracisë”, u shpreh dje në Bruksel, kreu i PD-së, Lulzim Basha

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit