BE: Sundimi i ligjit, rëndësi qendrore për procesin e pranimit
Bashkimi Europian kërkon nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi forcim të sundimit të ligjit.
Këto u thanë në një takim ndërqeveritar në Bruksel, ku u vendos që të hapen katër kapituj të rinj në negociatat e pranimit me Malin e Zi, raporton EUobserver.
Gjatë takimit u vijuan kritikat për mungesën e sundimit të ligjit në Turqi dhe në rajonin e Ballkanit e më gjerë.
Në konkluzionet e takimit mbi Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, dhe Serbinë u theksua se, sundimi i ligjit ka “rëndësi qëndrore” në procesin e pranimit në BE.
Në takim iu bë thirrje Shqipërisë të bëjë më shumë për të luftuar krimin e organizuar.
Gjithashtu u tha se, ka shqetësime serioze në lidhje me rritjen e politizimit të institucioneve shtetërore dhe rritje të mangësive në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit dhe lirisë së medias, në Maqedoni.
Ndërsa në lidhje me hapjen e kapitullit të parë të negociatave për anëtarësim në BE të Serbisë iu kërkua kësaj të fundit që të përparojë në “normalizimin” e marrëdhënieve me Kosovën dhe që Beogradi të miratojë regjimin e sanksioneve me Rusinë.
Bisedimet për normalizimin e marrdhënieve pritet të rifillojnë në Bruksel në janar pas një pauze për shkak të zgjedhjeve në Kosovë.
BE-ja gjithashtu ka udhëzuar qeverinë e re të Kosovës të miratojë ligje të reja “, si çështje me prioritet”, për t’i mundësuar EULEX-it, ngritjen e një gjykate të krimeve të luftës së Kosovës në Hagë. Gjykata pritet të hapet dhe të nisë punën e saj në fillim të vitit 2015.