“Çmimi Sakharov” për kryeopozitaren dhe aktivistët e tjerë, 11 javë kundër Lukashenkos
Bashkimi Europian vlerësoi opozitën bjelloruse për rezistencën e saj ndaj regjimit të presidentit Aleksandër Lukashenko.
Çmimi Sakarov për mbrojtjen e demokracisë iu akordua udhëheqëses politike të opozitës, Svetlana Tikanovskajës, bashkëpunëtoreve të ngushta dhe bashkëshortit të saj, nobelistes Svetlana Aleksieviç dhe aktivistëve gra e burra që protestojnë prej 11 javësh kundër presidentit Lukashenko.
Presidenti i Këshillit Europian, David Sasoli, deklaroi të enjten se ata mbrojtën me kurajë, tolerancë dhe vendosmëri lirinë e të menduarit dhe të shprehurit.
“Është rritur admirimi ynë për popullin bjellorus, por njëherazi shqetësimi nga raprezalja e Lukashenkos, me aktet e tij të torturës, të mohimit të së vërtetës. Ky kundërshtar është shumë i pushtetshëm, por ka diçka që dhuna nuk e mposht dot: të vërtetën. Prandaj mesazhi ynë është: jini të fortë, mos u dorëzoni në betejat tuaja sepse ne do na keni përkrah.”
27 vendet e BE-së këtë muaj miratuan sanksione ndaj zyrtarëve bjellorusë të dyshuar se manipuluan zgjedhjet e fundit presidenciale, duke i dhënë Lukashenkos 80 për qind të votave dhe mandatin e gjashtë në krye të shtetit.
Që pas 9 gushtit, në vend vazhdon revolta qytetare e cila është tentuar të shtypet me dhunë, me arrestime dhe me disa viktima.
Opozitarja Tikanovskaja, ish-mësuesja e anglishtes që edhe pse pa përvojë politike, garoi në zgjedhje për të zëvendësuar bashkëshortin e burgosur politikisht, por ajo ka kërkuar që të përsëritet procesi zgjedhor.
Ajo është shpërngulur në Lituani pasi i druhet jetës në atdheun e saj.
Ceremonia e dorëzimit të Çmimit Sakarov për opozitën bjelloruse do mbahet në dhjetor në Strasburg të Francës.
KOHA JONË SONDAZH

