ISIS ekzekuton 150 femra, refuzuan të martohen me militantët
Militantë të Shtetit Islamik (IS), kanë ekzekutuar 150 femra, të cilat më pas i kanë djegur në një varrezë masive, transmeton zeri.info.
Ato janë masakruar në Irak, për shkak se kanë refuzuar të martohen me militantët. Disa prej viktimave thuhet se kanë qenë shtatzënë, raportojnë mediat turke.
Në një deklaratë të lëshuar të martën nga ministria e të Drejtave të Njeriut në këtë vend, thuhet se militantët kanë sulmuar femrat në provicën Al-Anbar në perëndim të Irakut, të cilat më pas i kanë vrarë dhe djegur trupat në një varrezë masive në Fallujah.
Sipas agjencionit turk, Anadolu, disa prej grave të vrara kanë qenë shtatzënë.
"Më së paku 150 femra, përfshirë gra shtatzënë, janë ekzekutuar në Fallujah, nga militanti me emër Abu Anas Al-Libi, të cilat janë vrarë pse kanë refuzuar që të pranojnë martesën me militantët’, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Sipas kësaj ministrie, po ashtu shumë familje janë detyruar që të largohen nga province, pasi që qindra banorë janë kërcënuar me vdekje.
IS, tashmë është zgjeruar në shumë pjesë në perëndim të provincës Anbar, me qëllimin e saj që të zgjerohet sa më shumë në Irak dhe Siri.
Ky ekzekutim ka ardhur pasi që muajin e kaluar militantët kanë vrarë më së paku 50 burra, gra, dhe fëmijë në provincën fisnore në Irak, të quajtur Al Bu Nimr.
Një anëtar i këtij fisi, ka treguar se militantët kanë rreshtuar 50 personat në një vend publik, dhe më pas i kanë vrarë një nga një.
Prej tyre 40 ishin burra, 6 gra dhe 4 fëmijë.