Komentet e Draghit rrisin euron/ Para’ për bankat që huazojnë nga BQE dhe japin hua për ekonominë
Euro fitoi pikë përballë dollarit amerikan, gjatë ditës së enjte, pasi Banka Qendrore Europiane deklaroi se do të shtyjë rritjen e normave të interesit, të paktën deri në mes të vitit 2020.
Gjithashtu, Draghi njoftoi se do të paguhen bankat që marrin hua ‘cash’ nga Banka Qendrore Europiane dhe i kalojnë te familjet dhe kompanitë. Tensionet tregtare dhe frika për një recesion global i kanë vënë tregjet në vështirësi gjatë javëve të fundit.
Banka qendrore deklaroi se norma bazë e interesit u mbajt e pandryshuar në 0% dhe interesi për depozitat bankare në -0.4%. Menjëherë pas vendimeve të BQE, euro u rrit drejt 1.1290 dollarëve amerikane.
“Prezenca e zgjatur e pasigurive që lidhen me faktorët gjeopolitike, rritja e kërcënimeve nga proteksionizmi dhe dobësia në tregjet në zhvillim po dëmtojnë ekonominë globale”, tha Draghi në konferencën periodike për mediat.
Gjithashtu, Draghi siguroi se Këshilli Drejtues i BQE është i vendosur të veprojë nëse situata përkeqësohet, ndërsa të gjitha instrumentat në dispozicion do të përshtaten sipas nevojës.
Draghi prezantoi edhe parashikimet mbi ekonominë dhe inflacionin. Referuar vlerësimeve, Prodhimi i Brendshëm Bruto në Eurozonë pritet të rritet me 1.2% gjatë vitit 2019, në rritje me 0.1 pikë përqindje krahasuar me vlerësimin e marsit.
Për vitin 2020, BQE parashikon se ekonomia do të rritet me 1.4%. Gjithashtu, institucioni i Frankfurtit rriti lehtë parashikimin për inflacionin në 1.3%, gjatë këtij viti dhe 1.4% për vitin 2020.
KOHA JONË SONDAZH

