Kryeministri japonez për pengjet: Nuk i pranojmë shantazhet!

Video-kërcënimi i fundit i militantëve të Shtetit Islamik është quajtur një shantazh i prapranueshëm nga kryeministri japonez, Shinzo Abe.

Në orët e para të ditës, personazhi i famshëm tashmë, Xhon xhihadisti, u shfaq duke kërcënuar dy japonezë të marrë peng.

Shteti Islamik kërkon për lirimin e tyre 200 milionë dollarë, shumë kjo që përkon me atë që ka premtuar Japonia të dhurojë si kontribut në luftën kundër organizatës terroriste që ka shpallur Kalifatin në Irak dhe Siri.

Gjatë një konference të përbashkët me Presidentin palestinez, Mahmud Abaz në Ramallah, Abe bëri të ditur se Japonia do të bëjë çdo gjë për t’i liruar pengjet, që deri tani janë identifikuar të jenë gazetari i pavarur, Kenxhi Goto dhe kontraktori ushtarak, Haruna Jukava

Megjithatë, ai theksoi edhe një herë se terrorizmi dhe islami janë gjëra krejt të ndryshme.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk do të dorëzohet përballë çdo forme terrorizmi. Për këtë do të punojmë të gjithë bashkë”, u shpreh Abe.

Sipas kërcënimit të terroristëve, qeveria japoneze ka 72 orë kohë për të paguar shumën e kërkuar.

SHKARKO APP