Merkel para Davutoglusë: Islami, pjesë e jetës gjermane
Islami është pjesë e jetës gjermane, deklaroi të hënën Kancelarja gjermane, Angela Merkel, edhe pse një grup i konsiderueshëm kundër Islamit dhe refugjatëve manifeston çdo javë në qytetin lindor të Dresdenit.
Organizatorët e PEGIDA-s kanë shfrytëzuar rastin e sulmeve terroriste në Paris në një përpjekje për të rritur numrin e pjesëmarrësve në manifestimet e tyre.
E vërteta është se numri i tyre është rritur që nga fillimi i kësaj lëvizjeje tetorin e kaluar.
Rreth 18.000 njerëz manifestuan në Dresden të Gjermanisë një javë më parë, ndërkohë që policia është angazhuar për një pjesëmarrje më të madhe sot, duke parë valën e irritimit dhe frikës nga vdekja e 17 personave në Francë.
Por, duke qëndruar pranë Kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu, në një konferencë shtypi në Berlin, Merkel tha se ajo beson se islami është pjesë e Gjermanisë.
"Mund të them se ish-presidenti ynë federal, Christian Wulff, ka thënë se islami është pjesë e Gjermanisë. Kjo është ajo që edhe unë mendoj", deklaroi Merkel, pjesëmarrëse gjithashtu në një manifestim për tolerancën organizuar nga grupimet e komuniteteve myslimane dhe turke në vend.
"Unë jam kancelarja e të gjithë gjermanëve. Kjo përfshin të gjithë ata, që jetojnë këtu, pavarësisht se nga vijnë", theksoi Angela Merkel.
PEGIDA parashikon për sot edhe manifestime në Hanover, Berlin dhe Kasel.

