Papa Leoni XIV: Përballë ankthit për të pasur, Jezusi premton atë që vlen më shumë
Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa, Papa, duke komentuar Ungjillin e së dielës, tha se feja “çliron zemrat tona nga ankthi i të pasurit dhe i arritjes”, dhe u bën thirrje të krishterëve të “zbulojnë para të gjithëve se vëllazëria dhe paqja janë thirrja jonë”.
Në lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore Papa, duke komentuar Ungjillin e kësaj së diele nga Ungjilli i shën Gjonit, saktësoi se vendi i përgatitur nga Jezu Krishti për çdo burrë e çdo grua në shtëpinë e Zotit, në Amshim, është botë e re, “brenda mundësive të të gjithëve” dhe në të cilën “mirëpritja e zhduk përjashtimin e begatia nuk sjell më pabarazi”. Një botë e ndryshme nga ajo “në të cilën ne jemi ende për udhë”, ku “vëmendja tërhiqet nga vendet ekskluzive, nga përvojat brenda mundësive të pakicës”. “Në Zotin, secili është, më në fund, vetvetja”.
Jezusi i premton njerëzimit një botë të re. Një botë që i mirëpret të gjithë, ku ka gëzim e vëllazëri, e ku çdo njeri ka “vlerë të pafundme”. Kur në Darkën e Mbrame, para se të vdiste, i siguron apostujt se do të përgatisë “një vend” për ta, në mënyrë që aty ku është ai, të jenë edhe të gjithë dishepujt e tij, i garanton “se në Zotin ka vend për të gjithë”. Papa Leoni XIV e shpjegoi këtë në Mbretëreshën Qiellore, me pamje në drejtim të Sheshit të Shën Pjetrit nga studioja e tij në katin e tretë të Pallatit Apostolik, duke theksuar se fjalët e Krishtit, në dritën e Pashkëve, “zbulojnë kuptimin e tyre të plotë”, ngrohin “zemrën”, japin “shpresë”. Përballë vdekjes, Jezusi flet për një shtëpi, këtë herë shumë të madhe: është shtëpia e Atit të tij dhe Atit tonë, ku ka vend për të gjithë. Biri e përshkruan veten si shërbëtorin që përgatit dhomat, në mënyrë që çdo vëlla e çdo motër, me të mbërritur, ta gjejë të vetën gati dhe të ndihet gjithmonë i pritur e, më në fund, i gjetur.
Çka vlen më shumë
Nëse në realitetin në të cilin jetojmë, njeriu tërhiqet nga ajo që është elitare, e veçantë dhe e rezervuar vetëm për disa, Jezusi ofron diçka të ndryshme. Në botën e vjetër, në të cilën ende udhëtojmë, ajo që tërheq vëmendjen janë viset ekskluzive, përvojat e disponueshme për disa, privilegji i hyrjes aty ku askush tjetër nuk mundet. Megjithatë, në botën e re në të cilën na çon i Ngjalluri, çka është më e vlefshme, është brenda mundësive të të gjithëve.
Vendi që kërkojmë gjatë gjithë jetës sonë
Jo sepse për të gjithë, “bota e re” e premtuar nga Jezusi “e humbet tërheqjen e saj”, sqaron Papa. Përkundrazi, “hapja” për të gjithë “të jep gëzim”, sepse “mirënjohja zëvendëson konkurrencën; pranimi fshin përjashtimin; begatia nuk sjell më pabarazi”. Për më tepër, “askush nuk ngatërrohet me askënd tjetër, e askush nuk humbet”. Vdekja kërcënon të fshijë emrat dhe kujtimet, por në Zotin, çdo njeri është më në fund vetvetja. Vërtet, ky është vendi që kërkojmë gjatë gjithë jetës sonë, ndonjëherë të gatshëm të bëjmë gjithçka, veç për të fituar pak vëmendje e pak njohje.
Vëllazëria dhe paqja: fati ynë
Propozimi i Jezusit është propozim feje, ftesë për të pasur besim në Zotin e në Të; besim që “i çliron zemrat tona nga ankthi i të pasurit dhe i marrjes” dhe “nga mashtrimi i ndjekjes së një pozicioni prestigjioz për të qenë i vlefshëm për diçka”.
Gjithkush tashmë ka vlerë të pafundme në misterin e Zotit, i cili është realiteti i vërtetë. Duke dashur njëri-tjetrin ashtu siç na deshi Jezusi, ne i japim vetes këtë vetëdije. Është urdhërimi i ri: ne kështu parashikojmë parajsën në tokë, duke u zbuluar të gjithëve se vëllazëria dhe paqja janë fati ynë.
Të hapur për të gjithë e të vëmendshëm ndaj secilit
Në praktikë, përfundon Papa, “në dashuri”, “ndërmjet një mori vëllezërish dhe motrash, secili zbulon se është unik”. Prej këndej inkurajimi për t’iu lutur Marisë në mënyrë që “çdo bashkësi e krishterë të jetë shtëpi e hapur për të gjithë dhe e vëmendshme ndaj secilit”.
R.SH. / Vatikan
KOHA JONË SONDAZH

