SHBA-ja do të dërgojë raketa të avancuara në Ukrainë
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha se do t’i dërgojë Ukrainës një numër të vogël të sistemeve të raketave të teknologjisë së lartë me rreze të mesme veprimi, armë kritike që liderët ukrainas kanë kërkuar që t’u dërgohen, teksa po hasin në vështirësi që të pengojnë përparimin e Rusisë në rajonin e Donbasit.
Sistemet e raketave janë pjesë e pakos së re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 700 milionë dollarësh që SHBA-ja ka ndarë për Ukrainën. Në këtë pako do të përfshihen edhe helikopterë, sisteme kundërtanke Javelin, makina taktike, pjesë rezervë për armë të tjera, thanë zyrtarët amerikanë, të cilët shtuan se zyrtarisht kjo pako e ndihmës do të bëhet publike të mërkurën.
Vendimi i SHBA-së për të dërguar këto sisteme të raketave ka për qëllim që të krijojë një balancë midis dëshirës për të ndihmuar Ukrainën që të luftojë sulmet me artileri të Rusisë, teksa sigurohet që të mos i dërgojë armë Kievit që mund të godasin objektiva thellë brenda territorit të Rusisë, pasi një gjë e tillë besohet se do të përbënte një përshkallëzim të luftës.
Në një shkrim të publikuar në The New York Times, presidenti Biden konfirmoi se ai ka vendosur që t’i “ofroj ukrainasve sisteme më të avancuara të raketave dhe municioneve që do t’iu mundësojnë atyre të kryejnë sulme më precize ndaj caqeve kyçe në fushëbetejën në Ukrainë”.
Në fillim të javës, presidenti Biden tha se SHBA-ja nuk do të dërgojë në Ukrainë “sisteme të raketave që mund të godasin brenda Rusisë”. Çdo sistem i armëve mund të godasë caqet në Rusi, nëse të njëjtat janë pranë kufirit. Në pakon e re të ndihmës amerikane, Uashingtoni pritet të përfshijë raketa me rreze gjysmë veprimi, që në përgjithësi mund të fluturojnë rreth 70 kilometra.
Ukrainasit e kanë siguruar SHBA-në se ata nuk do të hedhin raketa brenda territorit të Rusisë, thanë disa zyrtarë të lartë të administratës amerikane, raporton Associated Press. Një zyrtar theksoi se sistemet e avancuara të raketave do t’iu mundësojnë forcave ukrainase që të kryejnë sulme më precize ndaj objektivave ruse brenda Ukrainës.
Ukraina mund të përdorë raketat në rajonin lindor të Donbasit, edhe për të penguar sulmet me artileri të Rusisë apo për të larguar forcat e Moskës nga pozicione ku ka luftime të ashpra, sikurse është qyteti Severodonjeck.
KOHA JONË SONDAZH

