Takimi i tretë radhazi për kreun e KE, Macron: Do kemi dakordësi në pak orë
Samiti dyditor i liderëve të vendeve anëtare të BE për emërimet në postet më të rëndësishme të institucioneve evropiane ka përfunduar pa sukses. Takimi i radhës është parashikuar për të martën dhe socialdemokrati Frans Timermans duket më i favorizuari për presidencën e Komisionit Europian.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian takohen sërish në Bruksel për të tretën ditë radhazi në përpjekjen për të caktuar presidentin e ardhshëm të organit ekzekutiv.
Frans Timermans, kandidati i nominuar nga grupi i dytë më i madh parlamentar në BE, raportohet si favoriti për pozicionin e kreut të ri të Komisionit Europian.
Vendet lindore, si Hungaria dhe Polonia, janë shprehur kundër kandidaturës së zyrtarit holandez, ndërsa Franca vijon të shfaqë rezerva për rivalin gjerman të Timermans, Manfred Veber.
Pas takimit 18 orësh, presidenti francez Emanuel Makron dhe kancelarja gjermane Angela Merkël u shprehën të hënën optimistë për arritjen e një kompromisi.
Në kuadër të takimeve G20 në Japoni fundjavën e kaluar, raportohet se socialdemokrati Timermans do të jetë pasardhësi i presidentit aktual, Zhan-Klod Junker, ndërsa kundërshtari tjetër konservator, Veber, do të kryesojë Parlamentin Europian.
Për presidencën e Këshillit Europian përflitet si kandidaturë drejtuesja aktuale e Bankës Botërore, Kristalina Gjeorgiva, ndërsa kryediplomatja italiane Federika Mogerini mund të pasohet nga kryeministri belg Sharl Mishel ose politikania daneze, Margret Veshtager.
Kandidatët do të duhen të marrin mbështetjen e të paktën 21 nga 28 liderëve të BE-së, që përfaqësojnë 65 për qind të popullatës europiane.
Kandidaturat do të hidhen për votim më tej në Parlamentin Europian ku duhet të përkrahen nga të paktën gjysma e 751 eurodeputetëve aktualë.
KOHA JONË SONDAZH

