Zjarret masive alarmojnë Francën, mbi 220 mijë të evakuuar në zonën e Bordeaux

Situata e zjarreve masive në jugperëndim të Francës vijon të mbetet alarmante, ndërsa flakët që kanë përfshirë rajonin e Girondës janë ende jashtë kontrollit. Autoritetet franceze kanë nisur një operacion të gjerë për përballimin e emergjencës, pasi zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe kanë detyruar qindra mijëra banorë të largohen nga zonat e rrezikuara.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 42 mijë hektarë sipërfaqe tokësore janë përfshirë nga flakët, ndërsa më shumë se 220 mijë persona janë evakuuar që prej 22 korrikut, kur nisën vatrat e para të zjarrit. Zonat pranë qytetit të Bordeaux janë ndër më të rrezikuarat, pasi zjarri është afruar rreth 15 kilometra nga periferitë e tij.

Përhapja e shpejtë e flakëve po favorizohet nga temperaturat e larta, bimësia e tharë dhe erërat e forta që po vështirësojnë punën e ekipeve të emergjencës. Zjarrfikësit po përballen me një situatë të ndërlikuar, ku ndryshimi i drejtimit të erës dhe intensiteti i zjarrit e bëjnë të vështirë kontrollin e tij.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në terren janë angazhuar mijëra zjarrfikës, efektivë të ushtrisë dhe forca të sigurisë, të cilët po punojnë pa ndërprerje për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara. Kapiteni i zjarrfikësve Nicolas Braz e cilësoi zjarrin si “të çrregullt dhe të pakontrollueshëm”, duke paralajmëruar se ai po krijon edhe vorbulla të fuqishme ere që e bëjnë situatën edhe më të rrezikshme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez e përshkroi situatën si “shumë të pafavorshme”, ndërsa presidenti Emmanuel Macron ka garantuar mbështetjen e qeverisë për komunitetet e prekura nga katastrofa.

Ndërkohë, vala e zjarreve nuk ka prekur vetëm Francën. Edhe Spanja po përballet me vatra të mëdha zjarri, ku dhjetëra mijëra persona janë detyruar të braktisin banesat e tyre pranë Madridit dhe Avilës. Temperaturat ekstreme dhe kushtet e thata kanë rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të zjarreve në të gjithë rajonin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?