Home POLITIKE Bylykbashi: T...

Bylykbashi: Të dënohen autorët e krimeve të komunizmit. SPAK nuk e bën, duhet një strukturë e re

8
0

Deputeti që fitoi mandatin më 25 prill, Oerd Bylykbashi kërkon dënimin e të gjithë atyre që vranë poetin Havzi Nela dhe mijëra shqiptarë të tjerë në kampin e përqëndrimit të Tepelenës, në Spaç, Qafë Bar dhe të tjerë. Sipas tij nuk mjafton retorika e dekomunistizimit, por duhen dënuar autorët e vrasjes së tyre nga njeriu para se t’i dënojë Zoti.

”Drejtësia do të ndajë ndërgjegjen e shoqërisë nga e keqja e komunizmit që ngadalë po rimerr qytetarinë diku me emër rruge, diku me foto diktatori diku me përkujtime provokuese e aq më keq me emërime në majat e pushtetit dhe drejtësisë të atyre që duhen dënuar”.

Për Bylykbashin SPAK dhe BKH nuk e bëjnë dot, ndaj dhe thekson se duhet një strukturë e re, e painfektuar nga mbetjet e komunizmit, për hetimin, nxjerrjen para drejtësisë dhe dënimin e krimeve të diktaturës. ”Një strukturë si ajo që Gjermania ngriti në 1958 dhe e ka funksionale ende sot për të hetuar e ndjekur penalisht kriminelët nazistë”,-shkruan në facebook.

Postimi i plotë

Për më shumë se një “in memoriam” për Havzi Nelën! Sot përkujtohet Havzi Nela si simbol i përpjekjes individuale për liri. Vrasja e tij ka lënë gjurmë në memorien tonë. Po a mjafton thjesht shenja si vraga e një plage të mbyllur në sipërfaqen e kujtesës? A mjafton konvulsioni i kujtesës që kap një herë në vit shumë njerëz që e kujtojnë me hartime apo ricitime të poezive të tij në të cilat klithma për liri ther shpirtin?

Më 23 gusht, pak ditë më vonë se përvjetori i poetit martir është Dita e Shiritit të Zi (Black Ribbon Day), dita zyrtare europiane e kujtesës së krimeve të stalinizmit, komunizmit, nazizmit dhe fashizmit. Këshilli i Europës i barazon krimet e komunizmit me ato të fashizmit si krime kundër njerëzimit. E për to nuk ka parashkrim të ndjekjes penale kurrë!

Sot rrjetet sociale mbushen me foton e Havzi Nelës, por a nuk do ishte mirë që të hartohen dosjet me foton dhe provat për hetimin dhe dënimin e atyre që vranë poetin martir dhe mijëra shqiptarë të tjerë në kampin e përqëndrimit të Tepelenës, në Spaç, Qafë Bar, etj? Ata kanë emra dhe një pjesë jetojnë ende me bindjen se ia hodhën, madje se bënë shumë mirë atëherë dhe se pushtetin e kanë sërish në dorë që të mbrohen. Veçanërisht tani që kanë rikapur pushtetin e Drejtësisë.

Eshtë vonë t’i hetojmë e gjykojmë ata kriminelë? Pak ditë më parë, më 2 gusht, prokuroria gjermane konfirmoi se do të nisë procesi gjyqësor ndaj një roje të një kampi përqëndrimi. Roje i thjeshtë, jo komandant, sepse komandantëve ua kanë dhënë tashmë faturën. Akuzohet se ka marrë pjesë dhe asistuar në ekzekutimin e qindra të burgosurve. Është plot 100 vjeç. Për gjermanët dhe botën e qytetëruar nuk është vonë dhe krimineli që kryen krime kundër njerëzimit nuk është kurrë plak. Është kriminel që duhet dënuar. Nuk e bëjnë për hakmarrje, as denazifikim, por për drejtësi.

Ndaj retorika e dekomunistizimit mua nuk më mjafton. As hartimet e ndjera për Havzi Nelën e martirë si ai. Duhen dënuar autorët e vrasjes së tyre nga njeriu para se t’i dënojë Zoti. Drejtësia do të ndajë ndërgjegjen e shoqërisë nga e keqja e komunizmit që ngadalë po rimerr qytetarinë diku me emër rruge, diku me foto diktatori diku me përkujtime provokuese e aq më keq me emërime në majat e pushtetit dhe drejtësisë të atyre që duhen dënuar. Tek ne nuk kanë mbetur pa dënuar rojet e thjeshta, por krekosen lirisht ata që urdhëruan krimet gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit xhahilë, dëshmitarët dhe spiunët që futën në gropë njerëz vetëm se donin liri, roje kampesh e burgjesh apo roje kufiri që vranë me bindje ideologjike djem e vajza në kërkim të lirisë.

Kjo nuk është punë për SPAK e BKH. Duhet një strukturë e re, e posaçme, e painfektuar nga mbetjet e komunizmit, për hetimin nxjerrjen para drejtësisë dhe dënimin e krimeve të diktaturës. Një strukturë si ajo që Gjermania ngriti në 1958 dhe e ka funksionale ende sot për të hetuar e ndjekur penalisht kriminelët nazistë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit