Home Aktualitet E nderuar Amb...

E nderuar Ambasadore Kim, për fat të mirë shumica e shqiptarëve janë pro SHBA-ve!

536
0

Nga Alban Daci

E nderuar ambasadore, së pari dua të falenderoj Ju dhe vendin që ju përfaqësoni për angazhimin tuaj të vazhdueshëm e të pa lodhur në mbrojtje të kauzave të shqiptarëve, të demokracisë së Shqipërisë dhe të mbështetjes të vazhdueshme që keni dhënë, pa u kursyer në proceset e integrimit të Shqipërisë në zonën euroatlantike. Për qëllime personale, apo për pushtetin e ndonjë politikani në Shqipëri, këto ditë po bëhen lojëra fjalësh me konceptimin e “sovranitetit” të PD apo të Shqipërisë!

Në historinë bashkëkohore të Shqipërisë ka dy momentet të rëndësishme të sovranitetit:

1. Momenti i parë ka të bëjë pikërisht me krijimin e Shtetit shqiptar dhe me tendencën për ta shuajtur, sepse fqinjët dhe jo vetëm, kërkonin ta zhduknin këtë krijesë të re e të brishtë shtetërore dhe ishte angazhimi konkret mbi konceptin e vetëvendosjes së popujve i presidentit Wilson dhe bashkë me të edhe i SHBA-ve, që si tempull demokracie shpëtuan edhe popuj të vegjël si Shqipëria për të mbijetuar! Shqiptarët e vërtetë ju janë mirënjohës përhere për këtë gjë!

2. Momenti i dytë dhe më famëkeq është instalimi i diktaturës komuniste duke krijuar modelin e sovranitetit absolut, që në fakt interpretohej si izolim total i vendit duke mbetur i izuluar me vendet e tjera demokratike e kështu duke humbur shumë opsione e shance të rëndësishme të proceseve euroatlantike.
Koncepti I sovranitetit, për fatin e mirë nuk është ai i viteve 800, sepse proceset ndërkombëtare për të krijuar paqe, stabilitet dhe siguri kanë dhënë leksione, se limitimi vullnetar i sovranitetit është rezultati më i mirë për të bashkëpunuar dhe për të pasur opsione më të mira në një botë gjithnjë me globale. Shembuj më të mirë të modeleve të limitit vullnetar të sovranitetit janë krijimi i bashkëpunimit europian që sot quhet BE e po ashtu Nato.

Këto, dy organizma kush e njeh të kaluarën dhe historinë, janë rezultat i konflikteve të kaluara dhe shtetet duke hequr sovranitetin për paqen dhe për të mirën madhore të bashkëpunimit! BE, pa ndihmën edhe SHBA-ve e sidomos pa planin Marshall nuk do të ishte konkretizuar dhe realizuar!

Po ashtu, as Shqipëria nuk do të ishte anëtarësuar në NATO pa ndihmën e SHBA-ve dhe nuk do të kishte bërë progres të mirë në procesin e demokratizimit pa angazhimin konkret të SHBA-ve!

Në fakt, shumica e shqiptarëve nuk e pranojnë e nuk e besojnë se marrëdhëniet e popullit me SHBA-të janë motiv për të cenuar sovranitetin. Nuk ka një rast që SHBA-të të kenë cenuar sovranitetin e Shqipërisë, duke përjashtuar rastet kur për hir të proceseve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, Shqiperia me procedura të marrëveshjeve ndërkombëtare ka pranuar ta limitoj sovranitetin e saj për arsye madhore si të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Rajon!

Nëse analizojmë me fakte, në fakt ato që kanë cenuar sovranitetin e vendit duke e kthyer në shërbim personal dhe të pushtetit të tyre, janë politikanët e tranzicionit shqiptarë. Ata, e kanë cenuar sovranitetin e vendit, sepse me politikat e tyre të papërgjegjshme dhe korruptive e kanë boshatisur Shqipërinë duke prodhuar eksode pafund të largimit të shqiptarëve nga fillimi i viteve ’90 e deri më sot.

Nuk ka akt me lartë tradhtie e cënimi të sovranitetit se sa boshatisja e tij, largimi i qytetarëve të tij, që të pa shpresë marrin rrugët drejt demokracive perëndimore për të siguruar të ardhmen ose jetë normale që politikanët e vendit të tyre nuk ua mundësuan. Cënimi më madh që mund t’i bëhet sovranitetit të vendit është korrupsioni i ushtruar përmes politikës apo pushtetit, sepse bëhet duke cënuar rendin kushtetues dhe pastaj nuk dihet se në interesat e kujt vendosen në shërbim aksionet korruptive. Cenuesit më të mëdhenj të sovranitetit që bëjnë korrupsion e tradhtojnë besimin e qytetarëve. Historia e korrupsionit madhor duehet të marr fund njëherë e mirë në Shqipëri dhe vetëm këtë nuk e realizojnë dot shqiptarët pa ndihmën dhe eksperiencën e SHBA-ve.

Angazhimi i vazhdueshëm, i palodhshëm i SHBA-ve janë një shpresë për demokratizimin e vendit dhe bashkë me të edhe të rikthimit të shpresës që shqiptarët të mund të jetojë në mënyrë dinjitoze dhe me krenari në vendin e tyre, Shqipërinë!

Për fat të mirë, shqiptarët sot nuk janë ata të fillim viteve ’90, janë të informuar dhe po adhtu tashmë, edhe pse në formën e brishtë të saj, kanë krijuar një traditë të mirë për demokracinë duke e kuptuar atë si formën më të mirë të qeverisjes dhe të garantimit të liriv e të drejtave themelore të njeriut.

Proceset e Rajonit kanë krijuar rrethana e sidomos për shqiptarët të besojnë e të kenë nevojë, në mënyrë reciproke më shumë se kurrë për bashkëpunimin e impenjimin e SHBA-ve. Koncepti i sovraniteti ose i cënimit të tij që po trumpohet këto kohë për interesa personale të ndonjë politikani është edhe kundër realitetit të popullit shqiptar, i cili vetëm në Ballkan ndodhet në disa realitete të ndryshme sovraniteti, pa llogaritur këtu edhe mijëra shqiptarë që kanë emigruar në Europë, SHBA dhe Kanada.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit