Home Aktualitet Edlira Muka, ...

Edlira Muka, CEO e Grupit BALFIN: Pas pandemisë vijnë 115 milionë euro investime të reja

657
0

Intervistë me Edlira Muka, CEO e Grupit BALFIN

Për grupin BALFIN, një ndër më të mëdhenjtë në vend, 2020-a ka shënuar ecuri relativisht të kënaqshme, në një mjedis të vështirësuar nga pandemia.

Edlira Muka, CEO e Grupit BALFIN, veçon se kontribuuesit kryesorë në ecurinë pozitive të Grupit në vitin 2020 ishin në sektorin e shitjeve me pakicë në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe  Malin e Zi; sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri dhe Austri, si dhe performanca e sektorit bankar.

Ajo shton se në total, në vitin 2021, kompanitë e Grupit BALFIN do të realizojnë rreth 115 milionë euro investime.

Si ka qenë ecuria e kompanive të grupit në vitin 2020? Cilat u prekën më shumë dhe më pak nga pandemia e Covid-19 (nëse mund të jepni shifra konkrete, sipas sektorëve të ndryshëm ku operoni).

Viti 2020 ka qenë i paprecedentë për të gjitha aktivitetet sociale, ekonomike, politike dhe sidomos për shëndetësinë. Ndryshe nga krizat e mëparshme, kjo pati shtrirje globale, në një kohë shumë të shkurtër preku të gjitha shtetet.

Duke marrë në konsideratë pandeminë, mund të themi se Grupi BALFIN, gjatë vitit 2020, pati ecuri të kënaqshme. Në vitin 2020, xhiro totale e Grupit ka pësuar një rënie prej 5% në raport me vitin 2019, por në disa sektorë të caktuar, ka pasur edhe rritje.

Sektori minerar, pavarësisht vështirësive dhe rënies së xhiros, ka performuar më mirë se viti 2019. Kjo si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Sektori bankar gjithashtu ka performuar më mirë se një vit më parë dhe kjo ka ardhur si pasojë e menaxhimit më të mirë të portofolit të kredi-dhënies dhe rritjes së këtij portofoli.

Në sektorin e shitjeve me pakicë, përsëri kemi të bëjmë me një performancë më të mirë sesa viti 2019. Në fillimet e pandemisë u ndeshëm me vështirësi të shumta logjistike, por kjo nuk zgjati shumë, pasi edhe partnerët tanë ndërkombëtarë na u përgjigjën me korrektësi. Për Grupin BALFIN, ky sektor pati ecuri më të mirë si pasojë e zgjerimit të pikave të shitjes, rritjes së blerjeve online, por edhe si pasojë e miradministrimit të shpenzimeve operative.

Sektori i pasurisë së paluajtshme gjithashtu ka performuar më mirë në krahasim me vitin 2019. Tërmeti i vitit 2019 dhe vetë pandemia e vitit 2020 kanë sjellë rritjen e kërkesës për koncepte të reja banimi, si ato që Grupi BALFIN ka zhvilluar në Austri dhe Shqipëri.

Nëse do të duhej të bëja një përmbledhje të kontribuuesve kryesorë në ecurinë pozitive të Grupit gjatë vitit 2020, do të veçoja: sektorin e shitjeve me pakicë në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi; sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri dhe Austri, si dhe performanca e sektorit bankar.

Pandemia dhe karantina për të frenuar përhapjen e saj i gjetën bizneset të “papërgatitura”. Cili ishte reagimi juaj ndaj kësaj situate?

Ashtu si edhe u pa, emergjenca e krijuar nga pandemia e Covid-19 i kapi të gjithë të papërgatitur, përfshirë këtu institucionet ndërkombëtare të shëndetësisë. Kështu ishte edhe për ne dhe të gjitha bizneset e tjera në botë. Megjithatë nuk mund të them që nuk kishim asnjë instrument në gatishmëri.

Në momentin që u vlerësua se pandemia do të vinte edhe në Shqipëri, ne aktivizuam Ekipin e Emergjencave. Kjo është një strukturë me pozicione të mirëpërcaktuara, për të menaxhuar rastet e emergjencave dhe përbëhet nga anëtarët e Bordit Drejtues të Grupit BALFIN, si dhe anëtarë të tjerë, sipas ekspertizës së fushave me rëndësi. Një nga vendimet e para që u morën ishte miratimi i një sërë masave, që do të siguronin shëndetin e punonjësve, klientëve, partnerëve dhe komuniteteve pranë nesh.

Mjekët e brendshëm të Grupit, në të gjitha shtetet ku ne operojmë, u aktivizuan që në fillim dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm, duke këshilluar punonjësit dhe familjarët e tyre, por edhe duke u siguruar që të ndiqeshin të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së virusit. Përveç përkujdesjes për shëndetin e të gjithë punonjësve të shoqërive të grupit që janë rreth 6000, kemi siguruar mbarëvajtjen dhe vazhdimësinë e biznesit në shoqëritë e grupit.

Duke qenë një grup investimesh që operon në disa tregje, përfshirë tregun e Bashkimit Europian, në praktikat e veta të punës, Grupi BALFIN administron rregullisht likuiditetet, ku dhe në situata normale ne gjithnjë krijojmë e ruajmë rezerva për rastet e emergjencave. Për shkak të krizës në disa sektorë, programi i investimeve pati ngadalësim e shtyrje në kohë, që nuk kanë ndikuar në performancën e përgjithshme të Grupit.

Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe kemi identifikuar dhe miratuar projekte të reja investimi, të cilat në vitet në vijim do t’i sjellin përftime Grupit dhe vendeve ku do të zbatohen.

Në afatin e gjatë, si e ndryshoi pandemia konceptin e menaxhimit të riskut, punës online, etj., për grupin tuaj?

Duke punuar me partnerë ndërkombëtarë, vetë Grupi BALFIN, si edhe shoqëritë në pronësi të Grupit, kanë ndërtuar me kohë një përvojë të mirë të menaxhimit të punës në distancë, online. Prej disa vitesh, ne kemi tashmë një platformë për zhvillimin e mbledhjeve online, apo për ndarjen e informacioneve dhe dokumenteve kudo. Duke qenë të shtrirë në shtatë shtete, kjo ka ardhur si nevojë e domosdoshmëri që më parë.

Kjo infrastrukturë ekzistuese na e bëri pak më të lehtë për t’u përshtatur me punën nga shtëpia, edhe pse shumica e punonjësve preferojnë zyrën.

Për sa i përket administrimit të riskut, kjo është një praktikë funksionale e mirëstrukturuar prej kohësh nga ana e Grupit BALFIN. Pandemia na ndihmoi për të parë edhe hapësira të reja ku mund të përmirësohemi, sidomos për të parashikuar më mirë situata të ngjashme si ajo që jetuam në vitin 2020.

Sa e shfrytëzuat këtë situatë për të bërë blerje të më të vegjëlve, apo për të diversifikuar portofolin?

Ne jemi një grup investimesh, i cili është gjithnjë në kërkim të mundësive të reja në tregun rajonal e më gjerë. Pandemia na ka ndihmuar në përshpejtimin e disa proceseve, si dhe na ka bërë të shikojmë nga një këndvështrim tjetër disa investime të planifikuara.

Viti 2020 ishte i rëndësishëm për sektorin e shitjeve me pakicë, pasi pavarësisht pandemisë kemi zgjeruar rrjetin e shitjeve, dyqanet e shoqërive të Grupit në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi. Paralelisht me zgjerimin e rrjetit është investuar në përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve. Gjithashtu është investuar në përmirësimin e dyqaneve tona online, duke u ofruar blerësve gjithçka që gjendet në dyqanet fizike ta kenë në shtëpinë e tyre, duke e porositur online.

Në vitin 2020 kemi identifikuar dhe kemi nisur punën për konkretizimin e disa investimeve në zhvillimin e pasurive të paluajtshme, në turizëm apo në ndërtimin e hapësirave të banimit, me një koncept krejt të ri për tregun.

Përveç investimeve të përmendura më sipër, për Grupin BALFIN ka qenë me rëndësi forcimi dhe miradministrimi i portofolit aktual të investimeve dhe ruajtja e paprekur e vendeve të punës, në mënyrë që asnjë prej punonjësve të shoqërive të grupit të mos ndihej i kërcënuar në një vit aspak të qetë.

Grupi juaj ka zgjeruar investimet në ndërtim dhe turizëm. Sa potencial shihni në sektorët përkatës?

Është e vërtetë që portofoli i Grupit BALFIN është zgjeruar në sektorin e zhvillimit të pasurive të paluajtshme dhe në turizëm me projekte të reja. Përveç Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ne i jemi qasur me sukses edhe Austrisë.

Ne jemi fokusuar te zhvillimi i hapësirave për banim me një vizion krejt të ri. Po ndërtojmë komunitete, lagje, që kanë infrastrukturë të plotë të një standardi shumë të lartë, me hapësira rekreative dhe shërbime të plota. Kjo i bën projektet tona lehtësisht të dallueshëm dhe shumë të kërkuar për banim, por edhe si investim i sigurt. Kjo është një pikë e fortë e suksesit të të gjitha projekteve tona në zhvillimin e pasurisë së paluajtshme. Këtë vizion e kemi zbatuar në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Austri me të njëjtin standard të lartë duke krijuar besim të lartë te klientët tanë.

Turizmi mbetet një sektor shumë i rëndësishëm sidomos në Shqipëri, ku ka mundësi për rritjen e standardit të ofertës që aktualisht ka vendi. Një nga zhvillimet më të rëndësishme ka qenë arritja e marrëveshjes me një ndër grupet më të mëdha të hotelerisë në botë, “Accor”.

Në bashkëpunim me ta, ne do të ndërtojmë një hotel me pesë yje në rivierën shqiptare. “M Gallery” do të jetë hoteli i parë i këtij standardi në Shqipëri. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme për Shqipërinë, pasi është e vështirë të tërheqësh partnerë të përmasave të “Accor” kur ka ende punë në përmirësimin e infrastrukturës publike.

Realizimi i investimeve në turizëm kanë nevojë për vëmendje të veçantë dhe kërkon infrastrukturë rrugore, porte, aeroporte, energji dhe ujë i kombinuar me skema incentivuese që janë të nevojshme për zhvillimin e këtij sektori strategjik për Shqipërinë. Sfidë mbetet edhe identifikimi dhe trajnimi i fuqisë punëtore në ofrimin e një shërbimi të standardeve të larta, për të konkurruar me alternativat e tjera turistike në rajon dhe Europë.

Si ka qenë shpejtësia e rimëkëmbjes këtë vit deri tani dhe si pritet ecuria deri në fund të vitit, sipas sektorëve përkatës ku operoni?

Pritshmëritë tona janë pozitive, por çdo gjë do të varet nga dinamikat e zhvillimet e muajve në vijim, sidomos në raport me pandeminë.

Diversifikimi i portofolit të investimeve në sektorë të ndryshëm ndihmon në sigurimin e një kthimi të qëndrueshëm të investimit total për Grupin, pavarësisht luhatjeve në tregun ndërkombëtar. Në total, në vitin 2021, kompanitë e Grupit BALFIN do të realizojnë rreth 115 milionë euro investime.

Në vjeshtën e këtij viti (2021), në Shkup do të përurohet një nga investimet më të rëndësishme të Grupit, “East Gate Mall”. Kjo qendër tregtare do të jetë e treta e këtij lloji në pronësi të “BALFIN Group”, pas suksesit me TEG dhe QTU në Tiranë. Grupi BALFIN tashmë është një ndër investitorët më të mëdhenj të huaj në Maqedoninë e Veriut. Në Tiranë po punohet për zgjerimin e qendrës tregtare TEG dhe do të afrohen disa brande të reja të njohura ndërkombëtare.

Ndërkohë, në vitin 2021 kemi filluar investimin në një koncept të ri për sektorin e shitjeve me pakicë. Do të ndërtojmë në Korçë një “Retail Park”, projekt që do ta përcjellim edhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke qenë më pranë klientit me të gjitha shërbimet dhe kanalet e shitjes.

Po në sektorin e shitjeve me pakicë, deri më tani, zgjerimi i rrjetit të dyqaneve ka ecur sipas parashikimit, si dhe është rritur numri i partnerëve. Është rritur rrjeti i dyqaneve në të gjithë Ballkanin Perëndimor, me një ritëm shumë të lartë duke qenë më pranë klientëve në më shumë qytete.

Ashtu siç e përmenda edhe më sipër, në turizëm ne jemi të fokusuar në realizimin e hotelit të parë “M Gallery në vend, në bashkëpunim me “Accor Group”. Ky do të jetë hoteli i parë i standardeve të tilla në Shqipëri.

Për investimeve në zhvillimin e pasurive të patundshme, një tjetër moment i rëndësishëm është investimi më i fundit në Vjenë, Austri. Ky është investimi i dytë në zhvillimin e pasurive të patundshme në Austri për Grupin BALFIN. Ndërkohë në Shqipëri po zhvillohen disa projekte banimi me një filozofi krejt të ndryshme dhe të re.

Investimi në konsolidimin e mundshëm në sektorin bankar në Shqipëri, si dhe shtrirja në rajon është pjesë e strategjisë së Grupit. “Tirana Bank”, pjesë e Grupit që prej vitit 2019, do të vazhdojë të zgjerojë numrin e degëve, por të përmirësojë edhe shërbimet dhe zgjidhjet online, e-banking. Gjithashtu, “Tirana Bank” do të jetë e pranishme në Prishtinë, brenda vitit 2021, me një zyrë përfaqësie.

Sektori i nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve po penalizohet disi nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Megjithatë, edhe këtu ne jemi optimistë, duke parë që çmimet e ferro-nikelit dhe ferro-kromit në tregjet ndërkombëtare po rriten. Prandaj ne po vijojmë të investojmë në këtë sektor, duke rritur prodhimin, standardet, kushtet e punës dhe krijimin e më shumë vendeve pune.

E gjithë tabloja e mësipërme dhe besimi te profesionalizmi dhe përkushtimi i njerëzve që punojnë në Grupin BALFIN na bën ta shikojmë në vitin 2021 me optimizëm ecurinë e Grupit, të tregjeve dhe industrive ku ne operojmë dhe rrjedhimisht, edhe të vendeve ku jemi të pranishëm./Monitor.al/

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit