Home POLITIKE Enigmat në ka...

Enigmat në kampin e ”ferrit”, shqiptarët kanë frikë të dalin apo pasiguri për jetën në Shqipëri?

20
0

Nga: Redjon Shtylla

Nga kampi i ”ferrit”, dolën edhe 19 shqiptarë, por në ”Al-Hawl” ka ende. Të dielën u riatdhesuan nga Siria, 5 gra shqiptare dhe 14 fëmijë. I pranishëm në Rinas dhe i përfshirë në këtë proces, kryeministri Edi Rama tha se në të vërtetë ishte një procedurë e vërshirë.

Në kampin ”Al-Hawl” vijojnë të qëndrojnë 17 persona, shumica fëmijë. Mes të mbeturve në kampin e ”ferrit” është Eva Dumani, Myrvete Dibra me 2 fëmijë, Hajrije Taushani me 2 fëmijë, Elona Shuli së bashku me 2 motrat, vëllain dhe djalin e saj të mitur, si dhe Emanuela Daci me 3 fëmijë. Konsulli i Shqipërisë në Liban, i cili ka qenë ura lidhëse për riatdhesimin e shqiptarëve, tha se për momentin, Eva Dumani nuk do që të vijë.

Eva dhe Endri Dumani ishin përkatësisht 8 dhe 6 vjeç, kur babai i tyre i rrëmbeu 7 vjet më parë dhe së bashku me ta shkoi drejt Sirisë për t’iu bashkuar xhihadistëve në Shtetin Islamik. Atje shkoi edhe gjyshja e tyre Mentije Dumani për ti shpëtuar, por mbeti e burgosur deri sa ndërroi jetë. Pas 6 vitesh, mamaja e Endrit, Mide Ndregjoni, arriti që në tetor të 2020 të rishohë djalin e saj. Peng i mbetet ende fakti që e bija, Eva, nuk pranoi të rikthehej dhe që ndodhet atje.

Dylber e Asie Shuli nga fshati Zargocan i Pogradecit, nuk e kanë ndaluar thirrjen me dorë në zemër për të shpëtuar mbesat dhe nipërit e tyre. Ai thotë se mbesa e tyre e madhe, Elona, ka kërkuar ndihmë dhe është e mërzitur. Kreu i Antiterrorit shqiptar, Gledis Nano ishte i pranishëm në punën dhe riatdhesimin e 5 grave shqiptare dhe 14 fëmijëve shqiptarë nga “Al Hawl”, i cili tha se janë edhe 30 familjarë të tjerë që kanë mbetur në kamp. Sipas tij, ata ende nuk janë identifikuar dhe po punohet për rikthimin e tyre.

Kurse ish-Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, thotë se Komuniteti Mysliman Shqiptar ka përgjegjësi për besimtarët që shkuan për të luftuar me ISIS-in. Ai thotë se ka xhami që nuk e njohin autoritetin e Komunitetit dhe kjo përbën një dështim për të vetë institucionin. Gurra nuk la pa përmendur edhe ”korrupsionin fetar”, kur foli për këtë problematikë.

Shumë enigma dhe shumë errësirë ka në këto kampe, aty ku jeta është në pikëpyetje në çdo sekondë. Fakti që shumica nuk duan të kthehen është një pengesë e madhe për autoritet shqiptare që shkojnë atje për ti shpëtuar. Shumë flitet për frikë për daljen nga këto kampe dhe gjithashtu edhe për pasiguri për jetën në Shqipëri. Siguria në kampin ”Al-Hawl” është ekstremem, askush nuk mund të futet dhe të dalë aq lehtë, ndaj dhe procesi i shpëtimit të shqiptarëve kërkon shumë punë dhe muaj përpjekje. Për operacionin e rradhës, shpresat janë të Eva Dumani dhe gratë së bashku me fëmijët e mbetur atje të shpëtohen.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit