Nisma e Qeverisjes Globale dhe vlerat e saj për botën e tanishme
Në një realitet ndërkombëtar të karakterizuar nga dinamika të ndërlikuara gjeopolitike dhe sfida të shumta globale, çështja e qeverisjes globale po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Në këtë kontekst, nismat që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve globale po tërheqin vëmendje të shtuar.
Një ndër këto iniciativa është Nisma për Qeverisjen Globale, e prezantuar nga Presidenti i Kinës, Xi Jinping, në shtator të vitit 2025. Kjo nismë paraqet një vizion për një rend ndërkombëtar më të balancuar, më përfaqësues dhe më funksional, duke u mbështetur në pesë parime themelore: barazia sovrane, respektimi i ligjit ndërkombëtar, multilateralizmi, qasja me njeriun në qendër dhe orientimi drejt rezultateve konkrete.
Megjithatë, pyetjet mbi zbatueshmërinë dhe ndikimin real të kësaj nisme në kontekstin aktual global mbeten të hapura, veçanërisht në një kohë kur rivalitetet ndërkombëtare dhe interesat strategjike shpesh mbizotërojnë mbi bashkëpunimin.
Për një analizë më të thelluar të kësaj nisme dhe për të kuptuar implikimet e saj në arenën ndërkombëtare diplomati i karrierës, ish ambasadori Sokol Gjoka në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) thotë se diplomacia mbetet rruga kryesore për paqen globale.
CMG: Si e vlerësoni Nismën e Qeverisjes Globale të propozuar nga presidenti Xi Jinping në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Tianjin? Në një kontekst global të karakterizuar nga konflikte, rivalitet gjeopolitik dhe kriza ekonomike, si e shihni rolin konkret të kësaj nisme në uljen e tensioneve dhe promovimin e stabilitetit?
Sokol Gjoka: Pavarësisht se ju i referoheni Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, nisma e presidentit Xi Jinping është diçka më e hershme. Mendoj se i ka fillesat e veta që pas mbylljes së çështjes së pandemisë në rang global. Aty ku u panë rivalitetet, diferencat, ku u panë problematika, dhe natyrisht të gjitha këto kishin të bënin jo vetëm me jetën e njeriut dhe individit, pra që kishte të bënte me të drejtat e njeriut, por dhe me çështje të zhvillimeve kombëtare e zhvillimeve globale.
Kështu që theksimi më pas, nga presidenti Xi Jinping në Tianjin në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, i nismës për qeverisje globale, ishte edhe një lloj axhustimi i mendimeve të tij të hedhura edhe më përpara dhe natyrisht nisma të tilla kanë dalë shpesh kohët e fundit. Dhe këto i bashkëngjiten në një farë mënyre organizmave globale që janë pjesë e politikave multilaterale, pra politikave shumëpalëshe.
Që do të thotë, nisma që kërkojnë diku të bëjnë zbatim të politikave të organizatave ndërkombëtare, diku kërkojnë të plotësojnë për shkak të mosfunksionimit të organizatave ndërkombëtare dhe diku kërkojnë që të shtrijnë ndikimin e politikave multilaterale edhe në zona e rajone të tjera, madje dhe në kontinente të tjera, ku ato nuk janë shumë të pranishme dhe ku popullsia e këtyre vendeve, këtyre rajoneve apo kontinenteve ndeshet me probleme të mëdha.
Kështu, nisma të tilla duhen parë dhe konsideruar në rrafshin konkret: sa ato janë funksionale, sa ato ndikojnë në politikat globale dhe sa ato i çojnë vendet, grupvendet, por edhe qarqet e ndryshme qeverisëse larg tensioneve, larg luftërave, por drejt zhvillimeve globale. Çdo nismë që kontribuon pozitivisht është e mirëpritur, mendoj unë, dhe është një vlerë e shtuar për politikat multilaterale.
Ndaj edhe nisma e presidentit kinez, parë në rrafshin e parë, në këndvështrimin e parë, të jep përshtypjen që është në zbatim të disa politikave ndërkombëtare të cilat janë të materializuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, por megjithatë ajo ka edhe synimet e veta, parë në këndvështrimin e një fuqie globale siç është Kina, qoftë në rrafshin politik, qoftë në rrafshin financiaro-ekonomik, apo edhe në rrafshin social-zhvillimor dhe në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
CMG: Ju folët për rëndësinë që mund të ketë kjo nismë në rrafshin konkret, ku kemi parasysh krizat globale me dy luftëra që po zhvillohen aktualisht. Si mund të interpretohet kjo nismë? A mund të konsiderohet si një alternativë për diplomacinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, konkretisht në periudha të tilla krize?
Sokol Gjoka: Luftërat kanë një bazë pse zhvillohen. Dhe bazat e zhvillimit të një lufte janë të karaktereve të ndryshme. Janë gjeopolitike, gjeostrategjike. Janë për shkak të pabarazisë zhvillimore, për shkak të interesave dhe influencës së fuqive të mëdha ndaj vendeve më të vogla. Janë për shkak të mungesës së burimeve natyrore, ku kërkohet pastaj mundësi mbijetese nga popullsitë e prekura, por janë dhe për shkaqe me baza nacionaliste, mbi baza fetare, dhe janë pafund.
Problemi është se si dhe sa duhet t’i përqasemi situatave problematike, situatave konfliktuale. Nëse do t’i përqasemi me mjete ushtarake, mendoj se kjo është metoda e fundit, sepse kur mbaron fuqia e diplomacisë, fillon fuqia ushtarake, dhe mendoj se gjithmonë diplomacisë i duhet dhënë terren, i duhet dhënë mbështetje, sepse diplomacia është ajo që mund të kapërcejë situata konfliktuale, por në fund të fundit diplomacia është ajo që bën edhe rezymenë dhe përmbylljen e luftërave dhe të konflikteve, sepse palët do të ulen dikur në një tryezë bisedimesh, do të nënshkruajnë një dokument dhe do të mbyllen edhe problematikat midis tyre.
Të gjitha këto janë të ravijëzuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, që është statuti i marrëdhënieve ndërkombëtare midis vendeve, kombeve dhe grup-vendeve të ndryshme. Nëse do të shkohet drejt politikave të multilateralizmit për mbajtjen në këmbë të kësaj ngrehine të rëndësishme ndërkombëtare, siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe veçanërisht Këshilli i Sigurimit, që është institucioni përgjegjës i Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale, atëherë gjërat mund të evitohen.
Por duke qenë se kemi një krizë në rendin global, në qeverisjen globale, në Këshillin e Sigurimit, kur nuk ka vendimmarrje në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku ka rënë fuqia e sovranitetit të vendeve, atëherë pikërisht gjendet terreni për t’u zhvilluar luftërat me interesa të ndryshme, dhe ndaj aktualisht kemi edhe shpërthimin e luftërave.
Ju përmendët dy prej tyre kryesore, por janë disa të tjera, kryesisht në Afrikë. Nuk përmendet Sudani, ku janë me qindra të vrarë, me miliona të shpërngulur; janë kërcënimet nga klima, të cilat po sjellin gradualisht edhe refugjatët klimaterikë që do të quhen në të ardhmen, etj. Konfliktet gjallojnë aty-këtu, por që duhen menaxhuar, dhe menaxhimi është te veprimtaria konkrete e institucioneve. Nëse institucionet nuk funksionojnë, do t’i lihet rrugë veprimtarisë unilaterale të më të fortit, i cili vepron pastaj në rajone e vende të ndryshme për të imponuar politikat e veta.
CMG: Si mund të ndihmojë kjo nismë për qeverisje globale në modernizimin e institucioneve globale për të reflektuar realitetet e reja të shekullit XXI, pasi duket që po jetojmë ndryshime të rëndësishme globale?
Sokol Gjoka: Është e vërtetë ajo që thatë që po përjetojmë ndryshime të rëndësishme globale, të cilat nuk po respektojnë rendin ndërkombëtar. Kështu që po shkohet në një rend të ri, ku institucionet ndërkombëtare po anashkalohen, ku po anashkalohet vendimmarrja e përbashkët ndërkombëtare dhe po i lihet gjithnjë e më shumë hapësirë vendimmarrjes unilaterale, pra të njëanshme, dhe veçanërisht të fuqive të mëdha.
Respektimi i sovranitetit, i integritetit territorial të vendeve, respektimi i të drejtës për vetëvendosje, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i të gjitha atyre objektivave ku bazohen zhvillimet globale janë baza dhe “themra e Akilit” e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Kështu që janë të materializuara aty. Problemi është se nuk iu referohen dhe nuk zbatohen.
Po t’i referohemi nismës së presidentit kinez, aty gjejmë elemente të rëndësishme të cilat janë pjesë e Kartës së Kombeve të Bashkuara, por problemi është se sa ato janë të zbatueshme aktualisht, sa ato përkrahen nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, sepse bota sot është e ndërlidhur, është e ndërvarur dhe në këto kushte nuk mund të veprojë qoftë edhe një vend i fuqishëm siç është Kina apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo Bashkimi Europian ose Federata Ruse; nuk mund të veprojnë në mënyrë të veçuar. Pra gjërat janë të ndërlidhura.
Ju shikoni, për shembull, krizën ekonomike që u krijua për shkak të vendosjes së tarifave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fillim të mandatit të dytë presidencial të Presidentit Trump. Ato tarifa kishin brenda si konotacion ekonomiko-financiar, por edhe gjeopolitik. Më pas u ndryshuan, por ato sollën turbullira të mëdha, tronditje të tregjeve ndërkombëtare financiare, siç solli lufta në Iran. Ishte e paparashikuar bllokimi i ngushticës së Hormuzit, ku kalon 1/4 e gjithë burimeve energjetike për të gjithë botën, pra është një impakt i rëndësishëm në zhvillimet globale.
Të gjitha këto duhen parashikuar për të parë se ku fitohet dhe çfarë humbet, nëse humbet. Mendoj se është me shumë rëndësi që fuqitë e mëdha botërore duhet të bashkëpunojnë; janë të detyruara dhe të destinuara të bashkëpunojnë, por pa shuar konkurrencën, sepse konkurrenca çon në zhvillim, por bashkëpunimi është i domosdoshëm për të mos çuar në përplasje e konflikte që çojnë pastaj në dëme të mëdha.
CMG: Nisma e vendos në qendër parimin e “barazisë sovrane”. Si do të ndikonte ky parim në marrëdhëniet mes fuqive të mëdha dhe vendeve më të vogla?
Sokol Gjoka: Natyrisht instrumentat janë, por ato janë të bllokuara, dhe pikërisht janë ato vende të mëdha të cilat i kanë bllokuar. Sepse vendet e mëdha që kanë pozicionet e tyre dhe përgjegjësitë e tyre në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për shkak të mosbashkëpunimit, për shkak të diferencave politike, të diametralizimit në përqasjen ndaj zhvillimeve globale, ato nuk arrijnë ura komunikimi dhe bashkëpunimi.
Më përpara kjo ka ekzistuar, megjithëse vendet kanë qenë me orientime të ndryshme, por para dy dekadash kanë ekzistuar dhe gjendej mënyra për t’iu përshtatur të gjitha zhvillimeve globale. Nëse Organizata e Kombeve të Bashkuara do t’i nënshtrohej reformimit, një reformimi të plotë, të thellë, sepse është e vërtetë se ajo është ndërtuar mbi shtylla të rreth 80 viteve më parë, kryesisht e dalë pas Luftës së Dytë Botërore.
Kanë qenë vetë vendet e mëdha që e kanë iniciuar këtë lloj nisme si një nevojë për të ruajtur paqen dhe sigurinë globale, për ta zhvilluar jo vetëm kontinentin tonë, por të gjithë kontinentet e botës në të mirë të popujve dhe vendeve që jetojnë aty.
Reforma për Këshillin e Sigurimit dhe për Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka dekada që ka nisur, por janë pikërisht vendet e mëdha që e kanë bllokuar, sepse i përshtatet më tepër statusit që kanë aktualisht në Këshillin e Sigurimit, në mënyrë që të realizojnë objektivat e tyre të ngushta, por duke pasur pasoja në zhvillime të rëndësishme globale.
Kështu, nga këndvështrimi i vendeve të vogla, natyrisht dëmtimi i multilateralizmit dhe i politikave globale është në dëm të tyre, sepse zëri i tyre shuhet, nuk dëgjohet përballë zërit të më të mëdhenjve që janë në këto organizma.
CMG: Në këndvështrimin tuaj, çfarë ndikimi afatgjatë mund të ketë kjo nismë per qeverisje globale qe vjen nga Kina në formësimin e rendit të ri global?
Sokol Gjoka: Kjo nismë natyrisht ka aspekte pozitive, sepse bazohet në parime e norma ndërkombëtare. Nuk e mohon multilateralizmin, përkundrazi e thekson multilateralizmin. Nga ana tjetër, respekton barazinë sovrane të secilit vend dhe secilit popull në territoret e veta të njohura ndërkombëtarisht dhe gjithashtu ka një fokus tek hemisfera jugore e globit tonë, tek vendet dhe rajonet më problematike, me zhvillime më të pakta, dhe kërkon t’i ndihmojë ato me financa, me teknologji, me zhvillime të ndryshme ekonomike. Të gjitha këto shihen pozitivisht.
Por problemi është se vetëm Kina nuk mund t’ia dalë. Kështu që kërkon ndërhyrje dhe bashkëpunimin e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Këtu ka një lloj rivaliteti, dhe rivaliteti më i madh është me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe duke iu referuar doktrinës së strategjisë së sigurisë të SHBA-së, Kina veçohet në përgjithësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një rival i drejtpërdrejtë i interesave të SHBA-së. Kjo e bën marrëdhënien e SHBA-së me Kinën shumë të cenueshme, të prekshme. Në këto kushte duhet patjetër që të gjendet një gjuhë e përbashkët. Natyrisht nuk mund të jesh dakord për gjithçka, por për terma të përgjithshme dhe për zhvillime globale duhet të gjendet konsensus në politika të përbashkëta, ku të përfshihen edhe aktorë të tjerë aty ku duhet.
Kurse Bashkimi Europian është më mirëkuptues në këtë drejtim në raport me nismën e Kinës, sepse në një farë mënyre i shkon përqasjes së politikave të Bashkimit Europian, që edhe ai është në respekt të multilateralizmit, të organizatave ndërkombëtare dhe të parimeve kryesore të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Kështu që këtu ka ura bashkëpunimi midis Bashkimit Europian dhe Kinës.
Por kam përshtypjen që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të gjejnë hapësira për bashkëpunim, sepse çdo përplasje, çdo polemikë, çdo kontradiktë nuk do të ishte në interes të asnjërit.
KOHA JONË SONDAZH

