Home Aktualitet Gjuha kombëta...

Gjuha kombëtare shqipe e Gjergj Fishtës

419
0

Ese nga Dr. Tonin Çobani

Kemi thënë deri vonë se gjuha nuk është superstrukturë. Për të argumentuar se gjuha nuk ndryshon me kalimin e pushtetit nga një grupim politik në tjetrin. Sot, kur flasim për gjuhën e Fishtës, nuk mund të harrojmë se ajo nuk është superstrukturë, aq më pak se ajo gjuhë fishtjane ka qenë ndonjë herë një gjuhë disidente kundër mbretit Zog, apo oponencë (sado e rafinuar) ndaj administratës autokratike komuniste. Po ashtu edhe ndaj sundimit disashekullor të Perandorisë Osmane, që i kishte shpallur luftë kësaj gjuhe, duke ndaluar shkrim-këndimin e saj dhe krejtësisht mësimin në shkolla.

Gjuha e Fishtës është gjuha kombëtare shqipe. Gjergj Fishta e lartësoi atë, si thoshin. rilindësit e vërtetë, si gjuhë perëndie, veçanërisht, me poemën “Lahuta e Malcis”.
“Lahuta…” e Fishtës këndon bëmat e shqiptarëve kundër një perandorie në rënie dhe kundër ca shtetesh të sapokrijuar, të cilët, fqinjë duke qenë, kërkojnë të gllabërojnë sa më shumë troje shqiptarësh. Për këto arsye rilindësve tanë iu desh të reagonin si diplomatë, dhe me pendë të mprehur mirë, të luftonin në rrugë mediatike edhe kundër Fuqive të Mëdha Evropiane. Fishta ka qenë njëri ndër më aktivët në mbrojtje të trojeve, ku flitej gjuhë shqipe. Aso kohe ai besonte se:
“Prandaj s’ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare; dhe se për këtë arsye shteti shqiptar do të shtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe.” (Gjergj Fishta, ’Shqiptarët dhe të drejtat e tyne’, Lisitan, 1998 ,f. 8. ).
Ai ka qenë veçanërisht aktiv për zhvillimin e letërsisë dhe të gjuhës kombëtare shqiptare. Eqrem Çabej, nga ana e tij, shkruan për gjuhën e “Lahutës…” :
Kemi të bëjmë me një gjuhë letrare të krijuar nga vetë poeti, e cila si e tillë është gjuhë e naltë, por njëkohësisht gjuhë popullore, e njëjtë me gjuhën e përditshme” (Eqrem Çabej, “Epika e Gjergj Fishtës” në përmbledhjen “Gjergj Fishta”. Nën kujdesin e revistës “Shkëndija”, Tiranë, 1941, f.31-40)

Por sot disa studiues flasin për të ashtuquajturat vështirësi gjuhësore të leximit të veprës fishtjane që lidhen me gegërishten, me fjalorin e vjetruar dhe strukturën sintaksore kinse jo të natyrshme të vargut të tij, përfshirë këtu edhe 8-rrokshin e Lahutës së Malcis.

Të gjithë e dimë se Fishta u zbulua si poet prej Faik Konicës, i cili ia botoi poezitë e para (dhe prozat para) në revistën e tij “Albania”. Veprat e Fishtës aso kohe lexoheshin e shijoheshin kudo në Shqipëri (edhe në Gjirokastër) e diasporë. Kjo ka ndodhur, sepse gjuha e autorit të Lahutës së Malcis ka përfaqësuar kurdoherë nivelin e standardeve të gjuhës së shkruar shqipe të kohës kur botohej. Por, nëse ne e botojmë me atë nivel, me të cilin paraqitej gjuha shqipe e shkruar aso kohe, pra, me ortografinë e atëhershme, do të thotë ta asfikësojmë fare atë autor: ta zëmë, vëllimin me lirika “Mrizi i Zanave” (botimi i parë i së cilës i përket vitit 1913), ta botojmë me ortografinë ende të pakonsoliduar të atyre viteve. Me ortografinë e asaj kohe nuk do të shijoheshin sot as veprat e Naimit apo të Konicës. Naimi shkruan: ‘maletë’ dhe ‘istori’, por sot botohet ‘malet’ e ‘histori’.
Edhe Fishta nuk ka përse të botohet me trajtat ‘shqyp’ e ‘me dalun’, por ‘shqip’ dhe ‘me dalë’, aq më tepër kur për rastin e dytë edhe autori vetë i ka përdorë të dy format: “me dalun” dhe “me dalë”. Në qoftë se sot ka “të shkolluar” që nuk e pranojnë infinitivin (‘me dalë’) si trajtë të gjuhës shqipe (megjithëse nga Kongresi i Drejtshkrimit nuk është përfshirë as si normë dytësore e gjuhës standarde), nuk është faji i Fishtës. Kjo vlen edhe për ata, që, kur flasin, thonë se po flasin ‘shqip’, ndërsa te Fishta duan të mbetet e shkruar ‘shqyp’. Sigurisht që në botimet akademike do të mbetet me pa tjetër edhe varianti i origjinalit: ‘shqyp’.
Tani dua të sjell para jush dy formulime pikante për gjuhën kombëtare shqipe të Gjergj Fishtës: një postulat dhe një arsyetim, që sipas meje nuk duhen anashkaluar kur flitet për gjuhën e autorit të “Lahutës…”

1. Postulati që nuk duhet anashkaluar kurrë…
“Kush nuk e kupton Lahutën e Fishtës, ai nuk njeh gjuhën shqipe” është një thënie e shkrimtarit Kim Mehmeti vite më parë kur promovonte në Tiranë një prej veprave të veta. Jo pyetja, që iu bë, por përgjigja e tij (sipas meje) është postulati që nuk duhet anashkaluar ndonjëherë.

2. … Po kështu dhe arsyetimi
Nuk duhet anashkaluar, pra, arsyetimi që na shtyn shumë më herët në kohë (në vitin 1902), kur një autor tjetër romancier (më i pari romancier shqiptar) dhe historian (po ashtu: më i pari), Dom Ndoc Nikaj, bashkëkohës me Gjergj Fishtën, dhe të dy anëtarë aktivë të shoqërisë kulturore “Bashkimi” të Shkodrës.

Gjatë periudhës së diktaturës ideologjike vepra e Dom Ndoc Nikës nuk ka qenë krejtësisht e ndaluar, por thuajse tërësisht e anashkaluar. E anashkaluar ka qenë edhe Historia e tij e Shqipërisë, botuar në Bruksel, më 1902 dhe në Shkodër më 1917 (si pjesë e dytë). E para histori e Shqipërisë që njihet deri sot e shkruar nga një shqiptar (dhe e botuar) në gjuhën shqipe, ndoshta, e vetmja në sojin e vet edhe si tekst mësimor për shkollat shqipe të atëhershme.

E, pra, ky tekst shkruhet në gegërisht, por për t’u lexuar prej të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë. E dini si? Në hyrje të botimit të parë (1902), Dom Ndoc Nikaj ka vënë 5 ndryshimet kryesore të dialekteve tona dhe dy faqet e para të tekstit i ka ndarë në kolona: gegërisht dhe toskërisht (“Gegenisht e Toskerisht”). Konsulent kryesor i atij botimi të Brukselit ka qenë Faik Konicën. Kaq janë ndryshimet dialektore të gjuhës shqipe (pesë): 1- 2 faqe sqarime dhe 4 faqe në dy kolona (njëra gegënisht dhe tjetra toskërisht) .

Pesë ndryshimet kryesore:
I. shkronja ‘r’ e toskërishtes bëhet shumë herë ‘n’ në gegënisht (verë – venë, krerë – krenë, armik- anmik);
II. shumë herë e-ia e toskërishtes bëhet ‘a’ në gegërisht (hëna-hana, bëri -bani, Enda – Anna );
III. për të – për me
(për të ardhur – për me ardh(un), për të larë – për me la, për të ditur – për me dit(un) ;
IV. shkuar – shku
shumë herë fjalët gegnishte shkurtohen (për me shku (gegnisht) – për të shkuar (toskërisht), për me vait – për të vaitur;
V. nd – nn
fjalët toskërishte, si: këndoimë, mundohemi, rendë) bëhen gegërisht: kënnoimë, munnohemi, rannë).

Duke përfunduar, do të doja të sillja në vëmendje vetë Faik Konicën, për të cilin ‘Lahuta…’ e Fishtës është kryevepër e letërsisë shqipe dhe asaj ballkanike. Konica ka thënë: “Kot përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se ‘Lahuta’ e Gjergj Fishtës”. Nga ana tjetër për gjuhën e ‘Lahutës…”, ai ka shkruar: “… muzikaliteti i ritmit të Fishtës dhe koloriti i fjalëve janë të papërkthyeshëm. Kjo vjen si dëshmi e kujdesit të Fishtës për verbin e shqipes si thoshte ai vet më 1932 në ‘Piksime estetike mbi zeje të fjalës’: “me prue fjalën me sa ma shumë fuqi, dijení (sapientia) e ndiesi”.

Sot vepra e Fishtës kërkon një botim akademik integral, që do të thotë, një botim që të paraqesë të gjithë veprën në një gjuhë të unifikuar të autorit, duke zgjedhur variantin më pranë gegërishtes së sotme. Model i gegërishtes së sotme letrare, sipas mendimit tim, arrihet te gjuha e Martin Camajt ndërsa ai i modelit të botimit akademik na vjen me botimin e veprave të Asdrenit.
Në rastet kur ky unifikim i gjuhës së veprave të Fishtës është i pamundur për arsye ritmi, rime a ngjyrese tingëllore, pra, në raste shmangie nga rregullat tekstologjike të vendosura më parë, ndërhyjnë shënimet filologjike. Shënimet filologjike duhet të shpjegojnë çdo fjalë, çdo njësi frazeologjike apo çdo varg për të ndihmuar lexuesin e sotëm të kuptojë sa më në thellësi mesazhin artistik të autorit në raport me kohën kur vepra u shkrua dhe u botua. Botime të tilla gjenden për çdo autor të madh të kulturës botërore: Dante, Shekspir, Gete.

Sigurisht që botimi akademik integral i veprave të Fishtës është njëherazi edhe botim kritik. Kjo do të thotë se varianti gjuhësor i përzgjedhur do të jetë i krahasuar me variantet fillestare të botuara në gjallje të autorit ose edhe më vonë.

Modelet e propozuar prej meje (gjuha e Camajt dhe botimi akademik i veprave të Asdrenit) mund të mos jenë më të mirët. Por një botim akademik integral i munguar i veprave të poetit tonë kombëtar, çdo ditë që vonohet, e shton distancimin e poetit me lexuesin e tij, që është baras me “shqiptarët nuk kanë epope letrare as ndonjë poet kombëtar të merituar që ta ketë shkruar atë vepër deri në ditët e sotme”. Dhe kujt do t’i interesonte kjo?

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit