Home Aktualitet “Kosova...

“Kosovari” Alban dhe trau për në Eurovision

557
0

Nga: Redjon Shtylla

Si kurrë më parë, festivali Europian i Këngës që mbledh në një skenë më shumë se 40 shtete, në vendin tonë është kthyer në çështje Kombëtare.

E dini që edhe këtë vit numri i lindjeve vijoi trendin rënës. Për sociologët, arsyet që i kufizojnë të rinjtë nga krijimi i familjeve të mëdha janë të shumta. Përveç problemeve ekonomike, në këtë dukuri ka ndikuar edhe emigrimi. Këto lajme nuk kanë lexime, nuk kanë diskutime, e as politikanët tanë as një postim nuk e bëjnë.

As për Presidentin e ri nuk po flasin shqiptarët, se dinë mirë “çorbën” që po bëjnë pushtetarët. Po për rritjen e frikshme të çmimeve, ku me rrogat e ulëta që veç detyrimet shtetërore mund të likuidojmë, nuk ka reagim. Pati protesta që u shuan shpejt.

Tani po rikthehem tek çështja Kombëtare, se për këtë po flet një Shqipëri e tërë. Emicione që nga sabahu deri në aksham, flasin “gjithologët”. Ronela Hajati është në Itali duke bërë koncerte. Për të kam shkruar Llumi shqiptar mbi Ronelën dhe brekët.

Por tani një tjetër diskutim në rrjet është Alban Ramosaj, i cili ishte në “luftë demash” me Ronelën në Festivalin e Këngës në 2021, nga ku doli i dyti me këngën “Theje” që theu pa hiperbola platformat sociale me miliona shikime dhe komente pozitive. Dueti i tij me Gjergj Lekën është një nga më të bukurat e viteve të fundit mes artistësh dhe për këtë nuk ka kontestime.

Por pse Albani, çka ka bo këtë herë ky djal? Menjëherë pasi Ronela nuk siguroi biletën për në finale e Eurovisionit, në rrjet pamë Albanin, edhe pse ai vetë nuk foli kurrë.

Albani ka reaguar përmes një shkrimi të gjatë që e gjeni në Instagramin e tij, për një qëndrim që ka mbajtur poeti Agim Doçi, i cili ka shkruar poezinë e këngës së Anjeza Shahinit dhe Kejsi Tolës po për festivalin Eurovision.

“Ramosaj si shqiptar i Kosovës le të konkurrojë në Eurovizion për Republikën e Kosovës. Europa tallet edhe me Kosovën edhe me ne, sepse unë nuk mund të çoj një këngë që ishte parodi për estradën e Tiranës si ekipi i 5 vetave norvegjez, jepi ujkut një banane”. 

Ky është qëndrimi që ka mbajtur Doçi në një studio televizve ku ka folur për Eurovisionin, Ronelën dhe Albanin.

Për ironi, ose për vetë fatin, nëse do të flasim për përfaqësim sipas renditjes në natën finale të Eurosongut, se ajo dreq mbahet mend për shumë vite (unë i di të gjitha renditjet), kosovarja Rona Nishliu që nga viti 2012 ku u rendit e 5-ta në finale, ende sot këtë rekord nuk e ka thyer askush nga artistët shqiptarë që kanë shkuar pas saj. Për hir të së vërtetës, festivalin e RTSH e kanë fituar shumë shqiptarë të Kosovës, por jo para se të niste pjesëmarrja në Eurosong. Por që prej 2004, vetëm dy artiste kanë çuar flamurin kuqezi në Eurosong. Rona Nishliu dhe Lindita Halimi (nuk u fut në finalen e Eurovision 2017), por ka rekord për notën më të gjatë në Eurovision.

Flaka Krelani ka qenë pjesëmarrëse në shumë edicione të festivalit në RTSH, por kurrë nuk fitoi. Kënga “Jeta kërkon dashuri” me poezi të Agim Doçit, pjesëmarrëse në festivalin e 46-të në RTSH në vitin 2008, ka qenë pjesë muzikore në shkollat 9-vjeçare. Pra një sukses, por atë vit fitoi Olta Boka.

Tani do të fokusohem tek Albani. Edhe pse nuk njihemi, ai është një artist kameleon, që veten e ka shfaqur në shumë dimensione përjetimesh dhe ngjyrash muzikore. Edhe pse për disa vite ka qenë në ujërat e tij, jo me krijime komerciale muzikore, por me ART, Alban Ramosaj që është vetëm 26-vjeç, ka dhënë për publikun copëza të paharruara krijimesh muzikore. Një artist për këtë jeton, të lërë copëza në jetën e gjithësecilit.

Diskrimimin që Agim Doçi e flet me zë, është i frikshëm. Kosova është avangard dhe ka industri muzikore që prodhon hite botërore. Era Istrefi, Dhurata Dora i kanë gatuar këngët në Kosovë. Nuk po prek pjesën e sportit që Kosova ka edhe medalje të arta. Për fat të keq Kosova nuk është pranuar ende në Eurovision, pasi nuk ka dyshime që do të shënonte rekord që me pjesëmarrjen e parë. Por nuk është as e nevojshme, pasi rruga e tyre nuk duhet të ketë traun e padukshëm, por të fortë që i ndalon për të marrë pjesë me flamurin kuqezi në këtë garë Europiane të këngës.

“Ajo që duhet “të vrasi” është rracizmi ndaj “shqiptarëve të Kosovës”, siç po na ndan e po na etiketon, pastaj era e komunizmit që kuterbon nga ty”, shkruan Albani për poetin Agim Doçi, i cili ishte në jurinë që nuk zgjodhi Albanin por Ronelën për Eurovisionin e këtij viti.

Pra Doçi nuk e ka votuar këngën “Theje”, vetëm për faktin se këngëtari është kosovar. Pse shqiptarët muzikën e bëjnë në Kosovë? Pse vishen nga stilistët kosovarë? Pse kujdesin e make-up figurat e show-bizzit ua besojnë kosovarëve? Sepse janë një dimesion larg Shqipërisë, kanë krijmtari dhe guxojnë. Për këtë flet puna, jo unë.

Albani do të shkojë një ditë në Eurovision dhe nuk kam asnjë dyshim që do të jetë me një material si “Theje”, por përsa kohë ende ka fije ose tra që pengojnë ARTIN e tij që të tregohet, sërish ku vend nuk do të bëhet. Siç edhe ka shkruar vetë artisti, ai do të jetë sërish pjesëmarrës në festivalin e RTSH.

Për informacion, këtë vit artistja Chanel që përfaqëson Spanjën është me origjinë nga Kuba dhe jo “vendalije” siç e do Agim Doçi. Edhe Andromache që përfaqëson Qipron ka lindur dhe jeton në Gjermani. Për më më tepër muzika e këngës së saj është bërë producenti kosovar Fatjon Miftari dhe Yll Limani dhe Fifi. Eurovisioni është universal, veç në Shqipëri e shohin si festival folklorik që i mëshojnë 100% elementëve tradicional.

Alban Ramosaj është një ndër artistët e rinj në skenë, edhe pse i “thinjur” jo proces biologjik, por artistik, ai na ka shëtitur në këngët e tij që nuk janë tallava dhe komerciale, siç Shqipëria ka çuar edhe në Eurovision. Shpirti artistik i tij nuk ndalon nga Agim Doçi, sepse pas vetes nga publikun që jua siguroj nuk janë veç ata të Tik-Tokut.

Ndoshta një ditë Kosova si shtet do të jetë pjesëmarrëse në Eurovision, po Shqipërisë çfarë do ti mbesë? Përçaja është krim dhe humbje për dy shtetet. Albani do të jetë në Eurovision, sepse është i lindur për të qenë në skenë, dhe një skenë si ajo e Eurosong-ut është për artistët që dinë të lënë gjurmë ai “kosovari” Alban, por me emër më shqiptar se vetë Agim Doçi.

Amaneti i madh që la At Zef Pllumi para se të jepte shpirt. “E keqja shqiptarit i vjen nga shqiptari se kanë zili, ju lutem doni njeri-tjetrin”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit