Kriza e drejtësisë, një gjyqtar i shkallës parë mbi 1 mijë dosje. Pse duhen trupa me tre gjyqtarë në Apel?!
-Shumë vende europiane përdorin gjyqtar të vetëm në apel për kategori të caktuara çështjesh civile, administrative apo procedurale, duke rezervuar trupën treshe vetëm për çështje komplekse ose me rëndësi të lartë juridike-
Sistemi gjyqësor shqiptar ndodhet sot përballë një krize reale funksionimi. Përditë e me shumë po shkon drejt kolapsit.
Nuk bëhet më fjalë vetëm për vonesa procedurale apo mungesë eficience. Problemi ka marrë përmasa alarmante: në shumë gjykata të shkallës së parë, një gjyqtar ka mbi 1 mijë dosje në ngarkim, ndërsa vetëm në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm stoku ka arritur në rreth 55 mijë çështje. Akoma më dramatike paraqitet situata në Gjykata e Lartë e Shqipërisë, ku flitet për afro 150 mijë dosje të akumuluara ndër vite.
Po kështu edhe prokuroria. Plot me dosje dhe me pak prokurorë. Ndodh sa ngatërrojnë emrat në sallat e gjyqeve pasi kanë mbingarkesë, jashtë çdo standarti.
Kjo do të thotë një gjë të thjeshtë: drejtësia po vonon aq shumë, sa në shumë raste rrezikon të mos ketë më kuptim.
Sepse një qytetar që pret 5, 7 apo 10 vite apo sikur ka raste 29 vite për një vendim gjykate, praktikisht nuk merr drejtësi reale. Ai merr një proces të tejzgjatur që prodhon lodhje financiare, psikologjike dhe sociale. Në shumë raste, palët humbin bizneset, pronat, shëndetin apo vetë interesin për procesin përpara se të marrë fund gjykimi. Ka raste që ai ose ajo që ka kërkuar në gjykatë drejtësi, duke pritur mbi 10 vite, kanë vdekur dhe drejtësinë e marrin në botën tjetër.
Në teori, reforma në drejtësi premtoi një sistem më të pastër dhe më efikas. Por në praktikë, vettingu dhe largimi masiv i gjyqtarëve krijuan një boshllëk të madh në sistem. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve u tkurr ndjeshëm, ndërsa dosjet vazhduan të shtohen çdo vit.
Sot kemi një paradoks absurd: Shqipëria ka ligje moderne në letër, por fizikisht nuk ka mjaftueshëm gjyqtarë e prokurorë për të përballuar volumin e çështjeve.
Dhe pikërisht këtu lind një debat shumë i rëndësishëm: a është ende luks procedural që në Apel shumica e çështjeve të gjykohen nga trupa me tre gjyqtarë?
Në kushtet normale të një sistemi të konsoliduar, trupa prej tre gjyqtarësh garanton më shumë siguri juridike dhe balancë vendimmarrje. Por Shqipëria sot nuk ndodhet në kushte normale. Ajo ndodhet në emergjencë funksionale.
Kur mungojnë dhjetëra gjyqtarë dhe mijëra dosje presin me vite, lind pyetja logjike: a duhet ruajtur me çdo kusht modeli klasik i trupës treshe, apo duhet kaluar përkohësisht në modele më fleksibël për të shpëtuar sistemin nga paraliza?
Shumë vende europiane përdorin gjyqtar të vetëm në apel për kategori të caktuara çështjesh civile, administrative apo procedurale, duke rezervuar trupën treshe vetëm për çështje komplekse ose me rëndësi të lartë juridike.
Një reformë e tillë në Shqipëri mund të ulte ndjeshëm stokun e dosjeve. Nëse sot tre gjyqtarë angazhohen për një çështje rutinë, praktikisht sistemi harxhon trefish energji njerëzore në kushtet kur ka mungesë ekstreme personeli.
Sigurisht, kjo kërkon kujdes. Askush nuk kërkon ulje të standardit të drejtësisë. Por sot problemi më i madh nuk është vetëm cilësia e vendimit. Problemi është se qytetarët nuk po arrijnë më të marrin vendim fare brenda një kohe normale.
Nëse sistemi nuk reagon shpejt, Shqipëria rrezikon të krijojë një kulturë mosbesimi total ndaj drejtësisë. Dhe kjo është shumë e rrezikshme për një shtet demokratik.
Qytetarët nuk gjykojnë drejtësinë nga reformat e shkruara në raporte ndërkombëtare. Ata e gjykojnë nga pyetja e thjeshtë: “Sa vite do më duhet të pres për të marrë një vendim?”.
Kur përgjigjja bëhet “ndoshta pas një dekade” apo edhe me shumë, atëherë sistemi ka hyrë në krizë serioze. Për këtë arsye, Shqipëria ka nevojë urgjente për disa masa të jashtëzakonshme: rritje të mënjëhershme të numrit të prokurorëve, të gjyqtarëve dhe ndihmësve ligjorë; thjeshtim procedural për çështjet rutinë; përdorim më të gjerë të gjyqtarit të vetëm në apel; filtra më të fortë për rekursin në Gjykatën e Lartë; dhe digjitalizim real të proceseve gjyqësore.
Në të kundërt, malet me dosje do të vazhdojnë të rriten, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë të presin drejtësi që vjen shumë vonë — aq vonë sa shpesh humbet vetë kuptimin e saj
KOHA JONË SONDAZH

