Beuni sipër fshatin Vajzë si bazë nisjeje për Luftën e Vlorës
(Në kuadrin e 106-vjetorit të fillimit të Luftës Kombëtare të Vlorës, për nderimin e gjakut të derdhur në këtë luftë, dhe në shenjë mirënjohjeje për luftëtarët që bashkuan armët për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe të pavarur.)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
*
Beuni, kjo spirancë e historisë në kujtesën popullore
Beuni është një pllajë e mbushur me lule dehëse, një det me gjelbërim, një luks i natyrës. Nga ana tjetër, Beuni është një stacion përjetësie i luftëtarëve që shkruan epope historike. Natyra e ka “gdhendur” Beunin si bazë nisjeje për Luftën e Vlorës. Ky vend magjik mblodhi burrërinë dhe djalërinë shqiptare për përballjen e madhe, për Pavarësinë e Dytë të Shqipërisë. Më 25 prill 2026, një grup intelektualësh: Petriti, Sokoli, Nertili, Irfani, Zaho, Çimi etj., iu ngjitën Beunit me ide të qarta për ta rijetësuar atë jo vetëm si një pllajë të bukurisë natyrore, por edhe si një vend historik të kuvendit dhe të vendimeve të mëdha për luftë; si një bazë nisjeje, si një vend-spirancë që meriton vëmendje, pasi Lufta e Vlorës do të ishte nderi dhe shpëtimi përfundimtar i Shqipërisë.
Lufta e Vlorës e vitit 1920 përbën një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare, një përballje vendimtare që dëshmoi vendosmërinë e popullit shqiptar për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit. Kjo luftë nuk ishte thjesht një konflikt ushtarak, por një shpërthim i ndërgjegjes kombëtare dhe një akt i fuqishëm kundër planeve të fuqive të huaja për copëtimin e Shqipërisë. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ndodhej në një situatë të brishtë politike dhe territoriale. Fuqitë e Mëdha kishin hartuar plane për ndarjen e saj. Italia, e mbështetur në marrëveshje të fshehta, si Traktati i Londrës, synonte të vendoste kontroll të plotë mbi Vlorën dhe zonat përreth. Në këtë kontekst, prania ushtarake italiane në jug u bë gjithnjë e më e rëndë dhe provokuese për popullsinë shqiptare. Në fillim të vitit 1920, situata arriti kulmin. Shqiptarët, të udhëhequr nga figura patriotike të mençura dhe të mbështetur nga vendimet e Kongresit të Lushnjës, morën vendimin që të mos pranonin më asnjë formë pushtimi apo protektorati të huaj. Vendimet e Lushnjës shënuan një kthesë të rëndësishme, duke rivendosur institucionet shtetërore shqiptare dhe duke bërë thirrje për rezistencë të armatosur. Në Barçalla, në Beun dhe në të gjitha betejat luftarake të ’20-ës u shkrua një nga faqet më të ndritura të historisë shqiptare. Këtu, në Beun, nuk u mblodhën thjesht luftëtarë, por u mblodhën besa, urtësia, krenaria dhe dinjiteti i një populli të tërë, drejtues të mençur dhe luftëtarë të vendosur.
Në atë kuvend të madhërishëm, fjala dhe besa shqiptare peshonin rëndë. Labëria dhe gjithë trevat shqiptare flisnin me gjakftohtësi, me respekt për njëri-tjetrin, me fjalë që kishin peshën e plumbit, sikur vetë mali u kishte mësuar rregullin e drejtësisë, një rregull dhe postulat të amanetit të shekujve për trojet e shtrenjta dhe të shenjta arbërore. Parlamentarizmi i natyrshëm i Labërisë ishte atje, sipër fshatit Vajzë, në Beun, ku fjala ishte ligj dhe besa ishte flamur i Arbërit; ku betimi ishte sublim mbi barin e njomë dhe trëndelinën e pllajës së Beunit dhe malit të Tartarit. Në Beun nuk pati vetëm vendime për fatet dhe ardhmërinë e kombit, por pati edhe një bashkim vullnetar zemrash. Luftëtarët e mbledhur nga të gjitha anët ndanë ushqim, bukë e djathë, mish të pjekur dhe ujë të ftohtë burimesh, por mbi të gjitha ndanë një vendim të madh: “Ja do të bëhet Vlora jonë, ja do të bëhet shkrumb e hi”. Ky ishte një betim, ashtu siç dinë ta bëjnë shqiptarët. Ai kuvend mbetet sot jo vetëm kujtim historik, por edhe frymë e gjallë e dinjitetit, unitetit dhe sakrificës sublime shqiptare. Për shpërthimin e Luftës së Vlorës ishin pjekur plotësisht kushtet dhe ngjarjet rrodhën natyrshëm falë vendosmërisë së shqiptarëve përballë një pushtuesi me ëndrra të vjetra e të reja për të shtrirë sundimin në Vlorë, Sazan e Zvërnec, e jo vetëm, por në mbarë ultësirën perëndimore shqiptare, dhe kjo ishte vetëm fillimi.
*
Forcat pushtuese italiane në Shqipëri
Pas pushtimit italian gjashtëvjeçar (1914–1920), në Vlorë ishin përqendruar rreth njëzet mijë trupa, të shpërndara në pika të ndryshme. Nga Vlora deri në Kaninë ndodheshin qendra e komandës së lartë, nënkomanda e Divizionit të 36-të, komanda e artilerisë dhe e xhenios, si dhe të gjitha drejtoritë e shërbimeve logjistike e administrative. Komandant i përgjithshëm ishte gjenerallejtënant Settimo Piacentini. Komandant i Divizionit ishte gjeneralmajor Emanuele Pugliese, ndërsa ndihmësi i tij ishte gjenerali De Luca. E. Pugliese kishte ndërtuar vijën e fortifikimeve rreth qytetit, të cilat drejtoheshin nga koloneli Messe. Kuota 115 ishte qendër spitalore, automobilistike dhe ushqimore. Aty ndodheshin Komanda e 4-t e Artilerisë së Përzier, Komanda e 157-të e Baterisë Malore, batalioni alpin, batalioni i 72-të i këmbësorisë dhe qendra e karabinierisë. Komandant në Kotë ishte gjenerali i porsagraduar Enrico Gotti, së bashku me Cavallo Michele. Në Kotë ndodheshin pesë depo me ushqime, ilaçe dhe armatime, si dhe një forcë ushtarake prej rreth 700 ushtarësh e oficerësh. Gjormi ishte qendër e kompanisë së mitralierëve, me komandant kapitenin Bergamaschi.
Në kalanë e Matohasanajt të Tepelenës ishte vendosur batalioni i 72-të i regjimentit të këmbësorisë, si dhe një seksion artilerie i Baterisë së 182-të Malore me topa 70 mm, që drejtohej nga një major. Kalaja e Tepelenës ishte qendër e një batalioni këmbësorie, e një seksioni artilerie të Baterisë së 157-të dhe e një stacioni karabinierësh. Ajo komandohej nga majori Bronzini. Në Llogora ishte vendosur një pjesë e batalionit të 35-të të Regjimentit të 10-të të Bersalierëve, reparti 105, me 9 oficerë, 65 ushtarë, dy topa dhe 8 mitraloza. Në Llogora komandonte kapiteni Bonansea. Në Himarë ndodhej qendra e komandës së Regjimentit të 10-të të Bersalierëve dhe e Batalionit të 35-të. Komandant i zonës ishte gjeneral brigade Rossi, ndërsa komandant i Batalionit të 35-të ishte koloneli Manganelli. Në Selenicë, trupat komandoheshin nga majori i këmbësorisë Guadalupi. Në Gjirin e Vlorës ndodhej flota me anijet “San Marco”, “Bruceti”, “Duilio”, “Alcina”, “Orione”, torpedinierat “Arcione” dhe vapori “Lloyd Triestino”. Aviacioni luftarak ishte vendosur në fushën e vjetër pranë Ujit të Ftohtë. Magazinat ndodheshin në Panaja. Postkomandat ishin vendosur në fshatin Vajzë, në Brataj, Drashovicë, Peshkëpi, Treblovë, Rexhepaj, Sevaster, Tragjas, Dukat, Ramicë, Kuç, Bolenë, Progonat etj. Italianët kishin gjithashtu komandantin e transportit detar, Eugenio Bizio, të cilin e përdorën si ndërmjetës, si dhe arbëreshin Xhovani Valencia, i cili në Panaja ndihmoi realisht shqiptarët.
*
Kronologji e ditarit të Luftës së Vlorës, përmbledhur në ngjarje, data dhe beteja
28.11.1919. Komanda italiane urdhëron që të mos festohej më Dita e Flamurit Shqiptar, se sipas saj, Vlora nuk i përkiste më Shqipërisë. Ky urdhër shpërtheu demonstratën e popullit të Vlorës me në krye Jani Mingën: “Vlora, Vlora, Vlora, Vlora, /Buçet kënga për liri, /Ja do mbetet Vlora jonë,/Ja do bëhet gur e hi!” Komiteti i Fshehtë, që kishte në përbërjen e tij atdhetarë si: Osman Haxhiu, Abaz Mezini, Ymer Radhima, Jani Minga, Hamza Isai, Spiro J. Koleka, Qazim Kokoshi, Halim Xhelo etj., organizoi demonstratën më 28 nëntor 1919, te Xhamia e Tabakëve në Vlorë, por dhe në Brataj e në Dukat, kundër pushtuesve italianë.
14.1.1920. Anglia, Franca dhe Italia bien në ujdi për t’i dhënë Serbisë luginën e Drinit, Shkodrën e Shëngjinin; Greqisë Korçën e Gjirokastrën, duke vënë kështu në jetë Traktatin e Fshehtë të Londrës, ndërsa Vlora me rrethinat dhe ultësira perëndimore t’i ngelej Italisë.
21.1.1920-31.1.1920. Me ndërprerje për shkak të ndërhyrjes italiane dhe pengesave të shumta, u mblodh Kongresi i Lushnjës, vendimtar për fatet e Shqipërisë.
11.2.1920. Qeveria Kombëtare, me kryeministër Sulejman Delvinën, u vendos në Tiranë.
27.2.1920. Kryeministri Sulejman Delvina shkon nga Cakrani në Krivovë të Lepenicës, në takimin me krerët e Labërisë dhe të Vlorës për organizimin e Luftës së Vlorës, duke shkuar në rrugë dytësore, në fshehtësi nga pala italiane. Në këtë mënyrë, kryeministri Sulejman Delvina iu përgjigj kërkesës së krerëve të Vlorës për një takim të veçantë “për zgjidhjen e çështjes kombëtare”, ku morën pjesë 68 përfaqësues të krahinave të Vlorës e Mallakastrës. Qeveria e Tiranës mbështeti dhe lejoi të merrnin pjesë edhe oficerë të karrierës. Në këtë luftë morën pjesë ushtarakë me përvojë si major Ahmet Lepenica, ish-togeri i marinës luftarake Qazim Koculi dhe oficeri Shero Emini, por edhe major Mustafa Maksuti, kapiten Aziz Çami, kapiten Tosun Selenica, toger Xhevdet Çelo etj.
10.3.1920. U krijua në Vlorë Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” dhe aty u vendos që çështja e Vlorës të zgjidhej me armë. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” në Vlorë, si dhe degët e tij në Tepelenë, Gjirokastër, Mallakastër, Berat, Përmet e në Tiranë, filluan përgatitjet për luftën e armatosur. Osman Haxhiu dhe Komiteti i Fshehtë “Mbrojtja Kombëtare” në Vlorë, në fund marsi e fillim prilli 1920, nisën përfaqësuesit e tyre në këto krahina për bashkërendimin e mendimeve dhe të veprimeve të tyre, për qëndresë të armatosur kundër pushtuesve italianë.
29.3.1920. Bashkë me regjimentin prej 270 luftëtarësh, të komanduar nga kolonel Aqif Përmeti, erdhi edhe banda muzikore e “Vatrës”, e drejtuar nga prof. Thoma Nashi, i cili kompozoi këngën e pavdekshme, himn për shqiptarinë, “Vlora–Vlora”, të shkruar nga Ali Asllani. Korça u mor në dorëzim nga ushtria franceze në maj të vitit 1920. Më 20 prill 1920, Fuqia Kombëtare hyri në Gjirokastër dhe u prit me lule nga populli. Fuqia Kombëtare e bashkuar edhe me milicinë e Gjirokastrës hyri edhe në Delvinë.
18.5.1920. Ushtria italiane shpalli shtetrrethimin në Vlorë.
24.5.1920. Italianët u përzunë nga Kurveleshi dhe po trokiste ora e madhe e shqiptarëve.
25.5.1920. Italianët, në një klimë tensioni, ndërmorën një akt që mbeti i dhimbshëm në kujtesën e qytetit: dogjën në mes të Vlorës dy shtëpi që nuk ishin thjesht ndërtesa prej guri, por simbole të qëndresës dhe dinjitetit qytetar; u dogj shtëpia e Osman Haxhiut dhe e Qazim Koculit. Ato flakë nuk dogjën vetëm mure dhe çati, dogjën gjithë qetësinë e qytetit që ishte i gatshëm të ngrihej në këmbë, dogjën mesazhin e frikës që pushtuesi kërkonte të përcillte te çdo familje vlonjate, se çdo zë kundërshtar do të ndëshkohej. Por nuk e dinin se po vinte hakmarrja e dinjitetit shqiptar; autoritetet italiane nisën një valë arrestimesh ndaj figurave më të njohura të jetës publike të Vlorës; u ndalua edhe Ali Asllani, kryetari i bashkisë së qytetit, një zë i urtë i kulturës dhe i mendimit shqiptar, autor i këngës-himn “Vlora Vlora”. U arrestuan edhe figura të tjera të nderuara të qytetit: Jani Minga, mësuesi dhe përhapësi i dijes shqipe, Don Mark Vasa, kleriku që i shërbente jo vetëm besimit, por edhe kombit.
29.5.1920. Kuvendi Historik ose Parlamenti i Labërisë, siç shkruan për të Ago Agaj, u mblodh në Barçalla; ndaj u quajt Kuvendi i Barçallait. “Maji, më njëzet e nëntë./Barçalla, në mal të shenjtë./Merret vendim në Kuvend,/Vdesim për Atdhen’ e Shtrenjtë…” Kuvendi u bë te qershia pranë stanit të Sulejman Kushtës. Kënga përjetëson historinë: “Beuni po rënkon thellë,/Barçalla dërgon haberë,/T’u flasë e burrat të venë,/Atje do ta bëjnë Benë,/Mbi shkabën me dy krerë,/Me gjak do ta mbulojmë dhenë,/Armiku do qelbë sterenë.” (Kjo këngë është kënduar nga grupi i burrave të Dukatit më 29.5.2010; është e njëjta valle që hodhën Hamit Selmani dhe Osman Haxhiu në vitin 1920). Kuvendi i Barçallasë zgjodhi një Këshill Kombëtar me 35 anëtarë, si dhe Komitetin e Ri të “Mbrojtjes Kombëtare” me: Osman Haxhiu – kryetar, Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzarai.
*
3.6.1920. “Kuvendi i Beunit”, i mbledhur nën kreshtat e malit “Tartar”, mbi kurorën e fshatit Vajzë, nga paria e Labërisë, Vlorës dhe më gjerë, nën kryesimin e patriotit të shquar Osman Haxhiu, vendosi njëzëri për luftë nga i gjithë populli, për ta shporrur okupatorin dhe çliruar Vlorën.
3.6.1920. Mehmet Selim Shahaj nga Mallkeqi ose “Kalorësi i Ultimatumit”: “Unë e shpie kartën në dorën e rojes së Piaçentinit përpara portës së tij, me një shart (kusht) dua të zgjedh një ndër kafshët e zotërisë tuaj, atë më të shpejtën”, dhe zgjodhi pelën e Alem Mehmetit Tragjsait (sipas Ago Agaj). Emri i trimit Mehmet Selimi është ringritur në Mallkeq nga nipi i tij me emrin “Mehmeti i vogël”, djali i nipit të heroit. Mehmet Selim Shahaj/Mallkeqi u shoqërua nga Halim Laze nga Kanina dhe Adem Aliko nga Vranishti. Ultimatumi në thelb hidhte poshtë Traktatin e Londrës. Në ultimatum shkruhej se shqiptarët po rroknin armët dhe kërkonin nga Italia që sa më shpejt t’i dorëzonte Vlorën, Tepelenën dhe Himarën. Në ultimatum thuhet se populli shqiptar “nuk mund të durojë të shitet si bagëti nëpër pazaret e Europës e të ndahet si shpërblim në mes Italisë, Greqisë dhe Serbisë”… “Nuk jemi aq të marrë të mos kuptojmë që nuk mundet një grusht shqiptarësh t’i shpallin luftë një fuqie të madhe si Italia, por fuqia italiane, sado e madhe që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë shqiptarët të vdesin për lirinë dhe nderin e atdheut të tyre”. Pas Kuvendit të Beunit dheultimatumit filloi organizimi i çetave luftëtare me 4800 luftëtarë të gatshëm për sulm në të gjitha garnizonet.
4.6.1920, ora 19.00. Ishte ora dhe data e skadimit të ultimatumit. Italia nuk donte të ikte me të mirë. Komandanti i forcave pushtuese italiane në Shqipëri, me shtabin e tij prej 12 gjeneralësh, nuk i dha rëndësi dhe as që begenisi t’i përgjigjej ultimatumit. Gjeneral Settimo Piaçentini kishte në Shqipëri 20.000 ushtarë, shumë anije lufte dhe ndihej i sigurt, kështu që nuk e mori parasysh ultimatumin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Ndërkohë që edhe deputetët e Vlorës në Këshillin Kombëtar, Qazim Koculi dhe Spiro Koleka, vendosën për çlirimin e Vlorës me luftë. Qeveria e Tiranës, me kryeministër Sulejman Delvinën, bëri sikur nuk i përkrahu, ndërkohë përgatiti situatën për të përballuar luftën.
5.6.1920. (Në mbrëmje fillimi i luftës). Natën e 5 për 6 qershor 1920, krisi pushka, filloi lufta në të gjithë frontin, në Kotë, Gjormë, Drashovicë, Jonufër, Kaninë e deri në Llogara. Nga të dhënat e vlonjatëve deri vonë, rrugës për në Kuz Baba dhe në ullishtet e Vlorës gjeje shumë gurë varresh me emra italianësh, me datëlindje të ndryshme, por me vit të njëjtë vdekjeje, 1920, që të kujtonin Luftën e Vlorës. Ndërkohë, çështja e Vlorës ishte bërë kombëtare. Nga e gjithë Shqipëria dolën vullnetarë, që shkuan në Vlorë.
6.6.1920. Në mesnatë, me të gdhirë 6 qershori 1920, kryengritja filloi në çdo kënd të viseve të pushtuara, duke u goditur menjëherë Kota, Tepelena, Gorishti, Dukati, Drashovica, Mazhari, Gjormi, Matohasanaj dhe Llogaraja. Drashovica u mor pas dy orë luftimesh të ashpra, si dhe u çliruan Vajza, Mavrova, Dukati, Mazhari, Matohasanajt; u morën edhe postkomanda të tjera armike. Shumë e ashpër u bë lufta për çlirimin e Kotës dhe Gjormit, duke gdhirë 6 qershori 1920. Pas 6 orë luftimesh u mor edhe garnizoni i Kotës. Në sulmin mbi Kotë morën pjesë çetat e Salarisë, Smokthinës, Koculit, Vajzës, Gorishtit, Gusmarit, Plloçës, Shkozës, Mesaplikut, Mavrovës, Velçës, Kaninës dhe qytetarë të Vlorës. Në Kotë u vranë mbi 100 trupa italiane, përfshi edhe gjeneralin Enriko Gotti dhe kolonelin Kavallo, dhe iu zunë robër rreth 600 ushtarë të tjerë, të cilët u çuan në Vajzë, rreth 25 km larg Vlorës.
9.6.1920. Piaçentini mori nga kryengritësit një tjetër mesazh për ta dorëzuar qytetin pa luftë. Për të përballuar situatën, Piaçentini u detyrua që më 10.6.1920 të merrte peng qytetarë të Vlorës, edhe gra e fëmijë. Për të shmangur masakrën, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare urdhëroi kryengritësit që të tërhiqeshin nga qyteti i Vlorës. Internimi dhe burgosja e qytetarëve vlonjatë bëhej në grykën e Xhenemit në Sazan.
10.6.1920. Në mëngjes, bateritë e luftanijeve dhe një aeroplan goditën kodrat ku ishin kryengritësit dhe forcat e këmbësorisë që kaluan në sulm për të pushtuar kodrat, por pa sukses.
11.6.1920. Duke gdhirë data 12.6.1920, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare lëshoi urdhrin për sulm mbi Vlorë dhe Kaninë. Nga Qafa e Vlorës sulmuan çetat e Smokthinës, Gorishtit, Kudhësit. Nga kodrat e Babicës sulmuan çetat e Lopsit e të Salarisë me Selam Musanë e Dule Dalanin në krye.
13.6.1920. Rrëzohet qeveria italiane e kryesuar nga Nitti (Francesco Nitti (1868–1953) ishte një ekonomist, gazetar, burrë shteti italian, që shërbeu si kryeministër i Italisë nga qershori 1919 deri në maj 1920; nofka “Cagoja”), e diskredituar nga rezultati i disfatës së saj në çështjen shqiptare. Kur erdhi në fuqi qeveria e Giovanni Giolittit (pesë herë kryeministër i Italisë midis 1892 dhe 1921 dhe kryeministri i dytë më jetëgjatë në historinë italiane pas Benito Musolinit), i kërkoi parlamentit që të tërhiqeshin forcat nga Shqipëria, por parlamenti nuk e miratoi, ngaqë deputetët reaksionarë dhe ministrat e qeverisë, që përbënin shumicën, ishin të bindur se do ta mbytnin me gjak kryengritjen shqiptare, por rezultoi e kundërta.
14.6.1920. Komandanti i forcave të pushtimit në Shqipëri, Piaçentini, së bashku me gjeneralin Raimondo, u thirrën me urgjencë në Romë dhe u kthyen në Vlorë më 15 qershor 1920 me forca të reja, me bindjen se do t’i mbytnin në gjak kryengritësit shqiptarë, por në fakt dështuan në misionin e tyre. Gjeneral Piaçentini ëndërronte që, në një kohë të shpejtë, të bëhej politikan dhe të bëhej mëkëmbës i Mbretit të Savojës për Vlorën, të shëtiste me jaht në Sazan, Karaburun e Ujë të Ftohtë dhe të udhëtonte kudo në Adriatik.
16.6.1920. Komanda italiane mësoi se një pjesë e luftëtarëve shqiptarë kishin shkuar pranë familjeve për të festuar Bajramin dhe vendosi ta shfrytëzonte rastin për sulm.
17.6.1920. Forcat italiane zunë malin e Shashicës dhe më 18 qershor 1920 urdhëruan sulm në front të gjerë me më shumë se 5000 forca, të mbështetura me zjarr masiv artilerie dhe bombardim e mitralim me avionë; luftëtarët rrëzuan një prej avionëve luftarakë italianë.
21.6.1920. Rreth orës katër pasdite, Tepelena ishte e lirë dhe trupat italiane u nisën drejt Vajzës së Vlorës, të shoqëruar nga luftëtarët shqiptarë. U zunë robër 301 ushtarë italianë, një major dhe shumë oficerë të tjerë, por edhe armatime, municione e logjistikë: dy topa, 14 mitralozë, 300 pushkë, 6 mitraloza dore, 70 mushka, 35 centrale telefoni, 2 aparate telegrafi, 50 biçikleta, 32 karro etj.
2.7.1920. Qeveria italiane e Gjolitit dërgoi për bisedime me qeverinë e Tiranës baronin Alioti, i cili mbërriti në Vlorë më 2.7.1920 dhe më 4.7.1920 niset për Tiranë. Ndërkohë, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare u dha urdhër luftëtarëve të tërhiqeshin në pozicionet e tyre, për të pritur rezultatin e bisedimeve. Në këtë periudhë shkojnë në Vlorë vullnetarë nga të gjitha trojet shqiptare.
8.7.1920. Bisedimet italo-shqiptare nuk dhanë ndonjë rezultat, kështu që baron Alioti kërkoi që edhe lufta të pushonte dhe Italia të qëndronte në Sazan dhe në Skelën e Vlorës. Këto ngjarje shqetësuan kryengritësit dhe niset një delegacion për në Tiranë, i cili i kërkon qeverisë së Sulejman Delvinës që të mos bëjë lëshime dhe të mos e pranojë kërkesën e italianëve.
9.7.1920. Populli i Tiranës mori pjesë në një miting të madh dhe tregoi indinjatën e tij kundër pretendimeve italiane, duke kënduar dhe brohoritur: “Rroftë Vlora jonë!”. Duke parë se bisedimet nuk kishin të mbaruar, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare vendosi sulmin për çlirimin e Vlorës.
17.7.1920. Lufta shpërtheu përsëri dhe kryengritësit hynë në rrethinat e qytetit të Vlorës. Në trupat italiane ra malaria, por e keqja më e madhe po vinte nga Italia. Socialistët italianë pengonin transportet, ushtarët kundërshtonin të hipnin në vaporë e të vinin në Shqipëri, nënat e ushtarëve italianë gjithashtu ishin ngritur të ndalonin që djemtë e tyre të vinin të vriteshin në Shqipëri. Kryeministri italian e pa situatën tejet të rënduar, ndaj u përpoq që të shpëtonte çfarë të mundej. Për këtë ai dërgoi në Tiranë baronin Alioti, por që nuk arriti të bënte gjë. Lufta nuk po mund të mbahej dot, pasi shqiptarët ishin bërë të papërmbajtshëm dhe sulmi rifilloi më 22 korrik 1920, në orën 22.00, përsëri. Të gjitha çetat u hodhën në sulm. U mor Qafa e Koçiut. Lufta vijoi deri në mesditën e së nesërmes. U vranë 500 ushtarë e oficerë italianë, por edhe shumë kryengritës.
28.7.1920. Në Tiranë vjen konti Manzoni dhe fillojnë bisedimet, të cilat do të vijonin në bazë të pranimit nga pala italiane për zbrazjen e Vlorës. Vetëm çifligarët që qenë lidhur prej kohe me pushtuesin, si Myfit Libohova, Mustafa Kruja, Fejzi Alizoti, bejlerët e Vlorës, të Risilisë etj., nuk u pajtuan dhe mbajtën qëndrim armiqësor karshi Luftës së Vlorës.
2.8.1920. (Protokolli shqiptaro-italian); Qeveria italiane dërgoi në Tiranë një tjetër negociator, kontin Manzoni. U arrit një marrëveshje shpëtimi, që u nënshkrua më 2.8.1920. Ushtria italiane filloi evakuimin e saj dhe më 3 shtator nuk mbeti më asnjë ushtar pushtues në Vlorë. Protokoll-marrëveshja sqaronte se tërheqja e forcave italiane do të fillonte më 17 gusht 1920 dhe pas 15 ditësh qeveria e Tiranës do të dërgonte forcat e xhandarmërisë për të marrë në dorëzim administratën e qytetit. Me zbrazjen e Vlorës do të bëhej edhe lirimi i të burgosurve nga të dy palët. Do të dorëzoheshin italianët që mbaheshin në kampin-burg të Vajzës dhe shqiptarët që mbaheshin në burgun e Grykës së Xhenemit në Sazan. Protokolli i bisedimeve nuk e sqaronte mirë çështjen e Sazanit dhe kjo për verbësinë e qeverisë së Tiranës, për faj të ministrit të Jashtëm të saj, Mehmet bej Konica. Italianët përdorën dredhinë e pabesinë dhe e mbajtën të okupuar ishullin e Sazanit, i cili mbeti i pushtuar deri më 22.10.1944, kur u çlirua përfundimisht nga forcat partizane të Br. 12 S.
3.9.1920. (Lirimi i Vlorës – dita e fitores); u festua me madhështi fitorja, kur forcat kryengritëse hynë në Vlorën e çliruar. Këtë ditë të madhe të çlirimit populli e përjetësoi në këngë: “Moj Vlorë, po të lirojmë,/nga kthetrat e Italisë,/se pa ty ne s’mund të rrojmë,/që je djepi i lirisë”. Forcat shqiptare, të përbëra nga vullnetarë, ishin të organizuara në 89 çeta dhe ia dolën të jenë fitimtare ndaj një ushtrie italiane, të mirëpajisur dhe të mirëorganizuar, prandaj edhe festimet e fitores ishin plotësisht të përligjura.
*
Memoriali i Beunit, një vepër monumentale për brezat, për historinë
Kuvendi i Beunit është kuvendi i burrave dhe i besës shqiptare, kuvendi i bazës së nisjes për luftë. Duke pasur parasysh këtë sfond historik, Beuni mori edhe një rol të veçantë. Pozicioni i tij gjeografik, hapësira e gjerë, tradita e tubimeve e bënë atë një vend të përshtatshëm për mbledhjen e përfaqësuesve të krahinave dhe të çetave luftëtare. Në Beun nuk u mblodhën vetëm luftëtarë, por përfaqësues të urtësisë shqiptare, prijës, patriotë dhe njerëz të vendosur për të mbrojtur fatet e Shqipërisë. Ky ishte moment kyç në historinë kombëtare dhe një nga organizimet më të suksesshme ushtarake të popullit shqiptar. Në Beun fjala kishte dhe mbartte peshën e ligjit moral dhe ku besa shqiptare ishte garancia e marrëveshjes për vendime me peshë kombëtare. Fjala e dhënë ishte besë për kombin dhe detyrim ndaj brezave që do të vinin. Beuni në ’20-tën u shndërrua në një tribunë të vërtetë kombëtare, ku u përbashkuan mendimet, energjitë dhe vullneti i mbarë shqiptarisë për të përballuar një nga sfidat më të mëdha të kohës përballë pushtuesve.
Grupi i intelektualëve të trevës së Bashkisë së Selenicës, por edhe të ardhur nga Tirana me projektues, arkitektë e inxhinierë, kishin diskutuar e gjykuar gjerësisht idenë që në ish-vendin ku ishte ngritur dikur një lapidar që përkujtonte në vitet ’70 të shek. XX bazën e nisjes së Luftës së Vlorës, të ringrihej më madhështor dhe me një konceptim të qartë teorik e praktik Memoriali i Bazës së Nisjes së Luftës së Vlorës të 1920-ës. Memoriali mendohet të ndërtohet si një vepër monumentale rreth 15 metra e lartë, e vendosur në një pikë dominuese të terrenit në pllajën e bukur të Beunit, duke simbolizuar vendosmërinë, unitetin dhe sakrificën e popullit shqiptar në Luftën e Vlorës. Forma kryesore e memorialit paraqitet si një krah luftarak gjigant, i ngritur, që ka hedhur vështrimin përpara si në moment gatishmërie për fillimin e sulmit, duke përfaqësuar fuqinë luftarake të luftëtarëve kryengritës që zbritën nga Beuni drejt Kotës, Drashovicës, Kaninës, Babicës, Vlorës e Sazanit për çlirimin përfundimtar të tyre.
Baza e memorialit konceptohet si një platformë e gjerë rrethore në formë transheje gjigante, me tre radhë gurësh të çimentuar, të cilat simbolizojnë tre rrugët kryesore që të çojnë në Beun, vendi ku u organizuan dhe u nisën forcat luftarake kryengritëse. Këto tre nivele krijojnë përshtypjen e një marshimi të pandalshëm, të furishëm drejt lirisë, shërbejnë si hyrje ceremoniale për vizitorët. Në trupin e krahut monumental do të gdhenden në reliev figurat e luftëtarëve vullnetarë, flamuri kombëtar, si dhe skena nga ngjarjet kryesore të luftës që nis me Kuvendin e Barçallasë, vijon me Beunin, betejat e mëdha tre mujore dhe finalizohet me çlirimin e plotë të Vlorës dhe largimin e trupave italiane nga Shqipëria. Në pjesën ballore të bazamentit mund të vendoset një mbishkrim monumental: “Nga Beuni drejt Vlorës – për liri, nder dhe lavdi të Shqipërisë”.
Në një brez rrethues të memorialit mund të skaliten datat kryesore të luftës: 29 maj 1920 (Kuvendi i Barçallasë), 3 qershor 1920 (Kuvendi i Beunit, shkrimi dhe dërgimi i ultimatumit, si dhe organizimi i çetave luftëtare me 4800 luftëtarë), 5 qershor 1920 (fillimi i luftës), 2 gusht 1920 (Protokolli shqiptaro-italian) dhe 3 shtator 1920 (çlirimi i Vlorës – dita e fitores). Në faqet informuese të memorialit mund dhe duhet të shkruhen emrat e të 12 anëtarëve të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare (KMK) ose “Dymbëdhjetë Komisione”: 1. Osman Haxhiu (Muhameti), Armen, kryetar; 2. Alem Mehmeti – Tragjas, anëtar; 3. Ali Beqiri – Velçë, anëtar; 4. Beqir Sulo Agalliu – Vlorë, anëtar; 5. Duro Shaska – Kocul, anëtar; 6. Hamit Selmani – Dukat, anëtar; 7. Hysni Shehu – Sevaster, anëtar; 8. Murat Miftari – Tërbaç, anëtar; 9. Myqerem Hamzarai – Kaninë, anëtar; 10. Qazim Koculi – Kocul, anëtar; 11. Qazim Kokoshi – Vlorë, anëtar; 12. Sali Bedini – Armen, anëtar; 13. Azbi Cano – Mavrovë. Kur Ahmet Lepenica dha dorëheqjen në Kotë, u zëvendësua nga Qazim Koculi si komandant i përgjithshëm i luftës, sipas vendimeve të Kuvendit të Barçallasë; nuk ishte më anëtar i Komitetit dhe në vend të tij në Kotë u zgjodh Azbi Cano (pra në pllakë duhet të shkruhen 13 emra). Sekretarë: Halim Xhelo – Tërbaçi, i cilësuar si Abdyl Frashëri i epopesë së njëzetës, dhe Meçan Selami nga Kallarati.
Të dhëna të tjera të domosdoshme për Luftën e Vlorës janë: Ahmet Lepenica ka qenë komandant i luftës, por pas 5 ditësh lufte u zëvendësua nga Qazim Koculi më datën 10.6.1920. Komisari i përgjithshëm i policisë ishte Shero Emini, komandanti i burgut të Vajzës Rexhep Sulejmani. Mbi bazën e vendimeve të mençura të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” u organizua gjykata e luftës me kryetar Neki Xhenetin, prokuror Rasim Babameto dhe Avdul Kuçi, ndërsa anëtarë gjyqi Sif Kedhi e Agjah Bej Libohova. Ultimatumi u formulua nga avokat Avdul Kuçi dhe u miratua më 3 qershor 1920 fjalë për fjalë nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare (KMK) ose “Dymbëdhjetë Komisione”. Shkrimi dhe miratimi i ultimatumit u bë në Beun sipër fshatit Vajzë të Vlorës, nga një kuvend ku ishin mbledhur 4800 luftëtarë vullnetarë.
Më 3 qershor 1920, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i dërgon komandantit të forcave italiane në Shqipëri gjeneral Settimio Piaçentinit ultimatumin. Ultimatumin e mori vullnetarisht dhe e dorëzoi Mehmet Selim Shahaj nga Mallkeqi me dy shoqërues: Halim Laze nga Kanina dhe Adem Aliko nga Vranishti. Në orën 2, duke u gdhirë 5 qershori 1920, krisi pushka, filloi lufta në të gjithë frontin në Kotë, Gjormë, Drashovicë, Jonufër, Kaninë e deri në Llogara.
*
E dokumentuar në Beun duhet të jenë edhe teksti i plotë i ultimatumit që iu drejtua palës italiane, i shkruar nga avokat Avdul Kuçi dhe i miratuar e i redaktuar në çdo fjalë nga Komisioni; emrat e Mehmet Selimit nga Mallkeqi, i shoqëruar nga Halim Laze nga Kanina dhe Adem Aliko nga Vranishti, që dorëzuan ultimatumin gjeneralit Settimio Piaçentinit. Një element mjaft i rëndësishëm është edhe kënga himn, dy kryevepra të Ali Asllanit para zhvillimit të Luftës së Vlorës: “VLORA, VLORA! (Pjesa I – para luftës): Jam vlonjat e jam vlonjat,/ E kam shkabën mëm’ e atë,/ Shkaba trime dykrenore,/ Fron e saj e ka në Vlorë./ Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,/ Rroki armët, bëja fora!/ Vlora trime shqiptare,/ Si rob jetën s’e do fare,/ A do mbetet Shqipëri,/ A do bëhet tym e hi!/ Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,/ Rroki armët, bëja fora!/ Jam vlonjat e jam burrë,/ S’duron burri zgjedhë kurrë,/ Jam vlonjat e si vlonjat,/ Di t’bëj luftë me të shtat’!/ Vlora, Vlora, Vlora, Vlora!/ Bjer, moj, t’u lumtë dora!/ Jam vlonjat dhe trim me besë,/ Rreth flamurit di e vdes,/ A me hir a me pahir,/ Doemos do rroj i lirë! (1919)”; dhe pas Luftës së Vlorës, Ali Asllani shkruan: “VLORA, VLORA! (Pjesa II – pas luftës): Rroka armët, sheshit dola,/ Milion dyzetëve u fola,/ A do hiqeni si miq,/ A na prisni si armiq!/ Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,/ Bjeri, moj, t’u lumtë dora!/ Rroka armët e u turra…/ Këtu burri vlen shtatë burra!/ Andej ish miz e lisit,/ Këtej ishte lul’ e fisit!/ Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,/ Bjeri, moj, t’u lumtë dora!/ Jashtë! – i thash’, i thash’, i thashë,/ Nuk dëgjoi e un’ i rashë,/ Ai iku mori dhenë,/ Nami im mori dhenë!/, Ai kish dhe ish pajosur,/ Që në fill e në gjilpërë,/ Kurse unë i plagosur,/ Gjakun s’kisha me se ta zë!/ Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,/ Bjeri, moj, t’u lumtë dora!/ Jam vlonjat dhe kryelartë,/ Di bëj luftë me të shtatë,/ A me hir a me pahir,/ Doemos do rroj i lirë!/ Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,/ Bjeri, moj, t’u lumtë dora!” (1920).
Vargjet e këngës në fakt janë marshe luftarakë të Ali Asllanit, të muzikuar nga Thoma Nasi. Kënga himn quhej “Marsejeza e Vlorës”. Kënga “Vlora-Vlora” thërret popullin të bashkohet, të rrokë armët dhe të mbrojë vendin dhe nga ana tjetër përshkruan vendosmërinë e luftëtarëve shqiptarë, sidomos të labëve dhe vullnetarëve që morën pjesë në luftë, duke e kthyer Vlorën në qendër të rezistencës kombëtare dhe duke i dhënë Atdheut përfundimisht Pavarësinë e Dytë Shqiptare. Vlera monumentale ka edhe kënga mbi një shekullore e Beunit, që këndohet fuqishëm edhe sot në të gjithë Labërinë: “Në Beun, kur u mblodhë,/ Dymbëdhjetë komisionë,/ Selam Musain e folë:/ O Selam do vesh në Vlorë,/ Komandant mbi tre taborë!/ Do vete në paça forë…/ ‘Do ta bëj si në Labovë,/ Që zura grekër me dorë…’”
Nëse gjykohet e arsyeshme, kënga e Thanas Benit nga Vunoi i Bregdetit ka përmbledhur epopenë e Luftës së Vlorës në vargje: “Evropa shkruajnë e thonë,/ Ç’është kështu që dëgjojmë,/ Bëhet dyfek në Vlorë,/ Shqiptarët po luftojnë,/ Me një mbret dyzet milionë,/ ‘Po me se luftojnë vallë?’/ Se topa e armë s’kanë,/ As vaporë e aeroplanë!”/ “Me sëpata e me hanxharë,/ dyfekët lidhur me gjalmë,/ fishekët në xhep i mbajnë,/ në tri ditë pak bukë hanë;/ po s’ka tabje e istikamë,/ top, vapor e aeroplan,/ t’i përgjunjë ata asllanë./ Në pyesni dhe për armë,/ asnjë mungesë nuk kanë,/ marrin nëpër italianë,/ në të vrarë e në të gjallë,/ nëpër depot ku janë,/ me to rrëzojnë aeroplanë!”
Një këngë tjetër me vlerën e një dokumenti lufte është edhe kënga për Luftën e Vlorës e Xhebro Gjikës: “Në Vlorën me histori,/ Është lufta që ka bërë,/ Njëzetën me Itali/ Me ca të rrallë dyfekë/ Të rrëmbyer në Turqi,/ Ca sëpata dhe hanxharë/ U derdh mbi artileri./ Kush e njih Selam Musanë,/ Luftëtar si ai!/ Zigur Lelo hanedan,/ Ra në Kotë tek dha furi./ Toto Hosi, burrë i gjallë,/ Sulmoi, bëri kërdi!/ Po Hodo Zeqir Dukani,/ M’u si sorkadhi me bri!/ E mori plumbi në ballë,/ Si luan për tokë u shtri./ Kapedan Sali Murani/ Plagë plumbi mori tri/ Selman Hysen, zemërstrall,/ I ra gjylja në kërci…/ E ç’gjë t’u këndosh më parë/ Një argjend e një flori!/ Gjaku që u skuqi ballë/ Mbeti vulë për liri./ Njëqind e dyzet të vrarë/ Plagosur dyqind e dy,/ Dhanë jetë e derdhën gjakun/ Fyt e fyt me mizori./ Ish-bejlerë e agallarë/ U hodhën në tradhti;/ Shushunja do kapitalë/ S’mendonin për Shqipëri./ Për luanët që u vranë,/ As që pyeti njeri,/ As emër e as nishan -/ bishtdredhura qeveri;/ I përcëllonte të gjallë/ Ai det me trimëri,/ Po ata mbetën yj të rrallë,/ I mban populli në gji./ Italianët e paguan,/ Sa u vranë, kjo balt e di!/ Njëmijë u dorëzuan/ Me gjithë artileri;/ Në Vajzë u grumbulluan,/ I ruajn si bagëti,/ I vunë në punë, i shtruan,/ Ah, ç’ishin për bujqësi!/ O Shqipëria kreshnike,/ E vogël, po heroike,/ Me armiq thikë për thike,/ As u trembe, as u ligje/ Nga qindra hordhi armike.” Në monument mund të shkruhen edhe emrat e klerikëve që morën pjesë në Luftën e Vlorës si: Babai i Teqesë së Tepelenës Ahmet Turhani nga Luzati, Baba Xhaferi i Përmetit, Don Marku, At Shtjefën Gjeçovi, myftiu Osman Muka etj., por edhe Xhovani Valencia, arbëresh magazinier në Panaja, i cili u dorëzoi magazinat shqiptarëve.
*
Koncepti i Memorialit të ri të bazës së nisjes për luftë në Beun
Koncepti i memorialit mund të pasurohet edhe me një element simbolik që e bën memorialin të komunikojë me brezat jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës, me dukshmërinë e tij që së largu, ditën dhe natën me ndriçim. Arkitektura e memorialit gjykojmë se është konceptuar që të krijojë një ndikim të fortë vizual në çdo kohë të ditës, por edhe gjatë natës. Gjatë ditës, forma monumentale e krahut luftarak dhe relievet historike do të dallohen nga larg si simbol i vendosmërisë dhe sakrificës së patriotëve, luftëtarëve dhe frymëzuesve të Luftës së Vlorës të vitit 1920. Ndërsa përgjatë natës, ndriçimi artistik i integruar në strukturë do të theksojë konturet e krahut luftarak të bazës së nisjes me synimin “drejt Vlorës” dhe tre nivelet e bazamentit, duke krijuar përshtypjen e një force që vazhdon të ecë drejt lirisë në mënyrë të sigurt dhe të pandalshme. Rrezet e dritës të orientuara drejt qiellit do të simbolizojnë idealin e përjetshëm të lirisë dhe kujtesën e atyre që derdhën gjakun dhe dhanë jetën për Atdheun. Është gjykuar që memoriali do të shndërrohet në një pikë referimi historike dhe shpirtërore, që u flet brezave për trimërinë, bashkimin, fuqinë dhe krenarinë kombëtare, duke mbetur i dukshëm dhe frymëzues si ditën, ashtu edhe natën. Ndërkohë që zgjidhjet teknike për ndriçimin do të konsultohen edhe me specialistë të fushës së energjetikës, që elementët thelbësorë të memorialit të mos dëmtohen nga rrufetë ose ndikimet atmosferike. Në tërësinë e tij, memoriali synon të paraqesë jo vetëm një monument përkujtimor, por një simbol të madhështisë së qëndresës shqiptare si trashëgimi e shekujve, duke treguar rrugën e kryengritjes nga Beuni drejt Vlorës dhe fitoren që vulosi mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë.
Në një farë mënyre plotësohet edhe amaneti i një prej pjesëtarëve të Luftës së Vlorës, Ago Agaj, i cili shkruante në librin e tij “Lufta e Vlorës” në pjesën “Ëndrra ime”: “…në çdo fshat të Vlorës të ngrihej një shtyllë prej graniti dhe në to të gdhendeshin emrat e kryetarëve të çetave (89), të të vrarëve dhe të plagosurve. Në Beun mendoja një shtyllë (memorial graniti) edhe më të madhe me emrat e dymbëdhjetë anëtarëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe vulën e tij (fq. 367). Në terma ushtarake, një “bazë nisjeje”, e quajtur edhe si bazë operacionale ose pikë grumbullimi, është një zonë e sigurt dhe e organizuar nga ku forcat përgatiten për fillimin e veprimeve luftarake mësymëse. Kjo bazë, sikurse edhe Beuni, nuk është domosdoshmërisht një bazë e përhershme; në shumë raste, si Lufta e Vlorës, baza e nisjes ishte një zonë kodrinore ose malore, një vijë natyrore e terrenit, që kryen disa funksione bazë për grumbullimin e forcave, për planifikimin e operacionit mësymës ku precizohen detyrat, përcaktohen drejtimet e lëvizjes, kalimi i shtigjeve, sigurimi nga goditjet e armikut, furnizimi dhe logjistika, sinjalet e fillimit të sulmit, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i sinkronizuar me çetat fqinje, si dhe mbi të gjitha mënyra e kapjes së objektivit, për rastin konkret kapja e garnizonit të Kotës.
Në kontekstin konkret të Luftës së Vlorës, Beuni mbi fshatin Vajzë mund të konsiderohet një bazë tipike nisjeje në kuptimin origjinal, pasi Beuni plotësonte kriteret kryesore: i pozicionuar në lartësi të bukur, ofronte kontroll vizual me sheshpamje të plotë mbi gjithë zonën, ishte relativisht i mbrojtur dhe shërbente si pikë ku luftëtarët mblidheshin, betoheshin dhe organizoheshin për aksionet luftarake kundër forcave italiane. Në thelb, “baza e nisjes” është pjesë e zonës së rëndesës dhe zemra e një veprimi luftarak, vendi ku një forcë luftarake kalon në një strukturë të organizuar dhe të gatshme për veprim. Në raste si Lufta e Vlorës, këto baza kishin edhe një dimension moral e simbolik, sepse aty lindte jo vetëm plani i betejës, por edhe fryma e përbashkët e veprimit të përbashkuar luftarak. Por sipas kronologjisë së epopesë së Luftës së Vlorës, Beuni nuk është vendi i vetëm i bazës së nisjes së Luftës së Vlorës, sepse grumbullime luftëtarësh pati edhe në Smokthinë tek Rrapi i Gurrave, edhe në Gjorm, në Llogora dhe në Drashovicë, pasi të gjitha garnizonet ushtarake italiane u sulmuan në sinkron njëherazi. Por fakt është që në Beun u shkrua historia e vendosmërisë luftarake shqiptare dhe ishte baza më e madhe e luftës dhe masiviteti më i madh luftarak, sepse do të merrej një ndër garnizonet më të mëdha dhe më të mirëpajisura, sikurse ishte Kota, që komandohej nga gjeneral Enriko Gotti. Megjithëse për luftën dhe detyrën luftarake që kishin marrë, të gjitha bazat e nisjes ishin vendimtare për luftën.
*
Lufta e Vlorës përfaqëson një moment kulmor në historinë e shtetit shqiptar, duke dëshmuar se një popull i bashkuar rreth idealeve të lirisë dhe pavarësisë është në gjendje të përballojë edhe sfida të mëdha. Kjo luftë tregoi qartë se, përtej mungesës së armatimit të avancuar dhe burimeve të shumta, vendosmëria, organizimi dhe mbështetja mbarëpopullore mund të çojnë drejt fitores. Një nga përfundimet më të rëndësishme të kësaj lufte ishte forcimi i ndjenjës kombëtare dhe i unitetit mes shqiptarëve. Luftëtarë nga krahina të ndryshme, me bindje dhe prejardhje të ndryshme, u bashkuan për një qëllim të përbashkët: mbrojtjen e atdheut. Ky bashkim u bë një shembull i rëndësishëm për brezat e mëvonshëm, duke treguar se interesat kombëtare duhet të qëndrojnë mbi çdo dallim tjetër.
Fitorja e arritur dhe nënshkrimi i Protokollit të Tiranës patën ndikim të drejtpërdrejtë në konsolidimin e shtetit shqiptar dhe në rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet e reja të dala nga Kongresi i Lushnjës. Shqipëria nuk ishte thjesht një krijim i përkohshëm politik, por një shtet që mund të mbrohej dhe të qëndronte në këmbë me forcat e veta. Në planin ndërkombëtar, kjo luftë i dërgoi një mesazh të qartë fuqive të huaja se Shqipëria nuk mund të trajtohej si një territor pa zot. Ajo ndikoi në rritjen e respektit ndaj vendit dhe në njohjen më të fortë të sovranitetit të tij. Lufta e Vlorës mbetet një simbol i sakrificës dhe i guximit, por edhe një mësim i vlefshëm historik: liria dhe pavarësia kërkojnë jo vetëm dëshirë, por edhe përkushtim, organizim dhe bashkim. Kujtimi i saj vazhdon të jetojë si një burim frymëzimi për çdo brez shqiptar që kërkon të ndërtojë një të ardhme më të fortë dhe më të qëndrueshme. Lufta e Vlorës dëshmoi se ky vend ka zot vetëm popullin dhe se shqiptarët i dalin për zot truallit amtar.
Gjenerali Luigi Cadorna, ish-kryetar i Shtabit Madhor italian në Luftën e Parë Botërore, në deziluzion të plotë do të shkruante se: “kurrë nuk është parë ndonjë shembull i tillë që qeveria e një shteti fitimtar të pësojë një ofensivë kaq të turpshme në dinjitetin kombëtar… Tërheqja jonë nga Vlora u bë në rrethana të turpshme…”. Ushtritë italiane të një mbretërie prej rreth 40 milionë banorësh, të armatosura me mjetet luftarake më moderne të kohës, të komanduara nga gjeneralë të sprovuar në beteja të shumta, u mundën nga çetat shqiptare, të armatosura në mënyrë modeste, me armë të zakonshme, madje edhe me sëpata e hanxharë.
Heroizmi i luftëtarëve shqiptarë, gjaku i dëshmorëve, e përzunë Italinë, kurse Traktatin e Londrës dhe gjithë planet e tjera pas tij e flakën në koshin e historisë. Lufta e Vlorës është quajtur epope e lavdishme, sepse ishte realisht e tillë, sepse e shpëtoi përfundimisht Shqipërinë nga rreziku i copëtimit dhe zhdukjes nga harta politike. Ajo i tregoi diplomacisë së Fuqive të Mëdha se shqiptarët e mbronin me gjak atdheun e tyre. Lufta e Vlorës përfundoi me largimin e ushtrive italiane nga territori shqiptar dhe rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë, sipas përcaktimeve të vendimeve të Konferencës së Londrës të 29 korrikut 1913. Kjo ishte një fitore shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në shtypin e atyre ditëve vihej në dukje e vërteta e madhe se “luftën nuk e bënin topat dhe mitrolozët, po shpirti luftarak i një populli të tërë, trimëria, vendosmëria dhe bashkimi i tij luftarak”. Fitorja në Luftën e Vlorës pati pasoja të thella për shtetin shqiptar. Ajo forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe dëshmoi se populli shqiptar ishte i gatshëm dhe i aftë të mbronte pavarësinë e tij. Gjithashtu, kjo luftë shërbeu si një simbol i unitetit kombëtar, ku njerëz nga krahina dhe shtresa të ndryshme u bashkuan për një qëllim të përbashkët. Në aspektin historik, Lufta e Vlorës mbetet një nga shembujt më të qartë të rezistencës së suksesshme kundër një fuqie të huaj më të madhe. Ajo tregon se, përtej mungesës së mjeteve materiale, vullneti, organizimi, ndjenja kombëtare mund të çojnë në arritje të mëdha.
Lufta e Vlorës ishte edhe një “shkollë lufte”, e cila në përfundim të saj akordoi edhe gradimet e oficerëve të saj, që ishin një listë me 14 luftëtarë të shquar në luftime: Mehmet Fega nga Dushkaraku, Abdurrahman Çiraku nga Vërmiku, Sali Hoxha, Arqile Kolea nga Vlora, Rrapo Çelo nga Sevasteri, Sali Murat Vranishti, Thanas (Nase) Beni nga Vunoi, Idriz Sadiri, Murat Elbasani, Shaqo Myslym Derri, Demir Mysehak Curaj, të dy nga Smokthina, Hamza Nurçe Elezi Ramica, Koçi Selfo Ferunaj.
Lufta e Vlorës i arriti qëllimet bazuar edhe në faktorin moral e politik dhe treva historike tashmë ishte përsëri pjesë e pandashme e Shqipërisë. Në aspektin luftarak dhe të artit ushtarak, ajo kishte përvijuar dhe afirmuar një përvojë të re, me të veçantat e veta dhe kishte hyrë në fondin e artë të historisë ushtarake shqiptare. Kjo luftë nuk ishte vetëm një përplasje armësh, por një betejë për dinjitet, identitet dhe të drejtën për vetëvendosje. Kështu, për të gjitha meritat, përfshi edhe kontributin në Luftën e Vlorës, Vlora në 50-vjetorin e Pavarësisë është shpallur qytet “Hero i Popullit”. Sot, pas më shumë se një shekulli, kohët kanë ndryshuar. Shqipëria dhe Italia janë në partneritet strategjik, janë dy shtete anëtare të organizatës më jetëgjatë të sigurisë globale NATO; problemet e së kaluarës janë “hedhur pas krahëve”, ndërkohë fqinja jonë Italia është avokatja e Shqipërisë për pranimin me të drejta të plota në Bashkimin Evropian; pra jemi në një llogore të plotë për çështjet e sigurisë, mbrojtjes, por edhe të ekonomisë. Kujtimi i saj vazhdon të jetojë si një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm dhe si një dëshmi e fuqisë së bashkimit kombëtar shqiptar.
KOHA JONË SONDAZH



