Odiseta sfiduese e një nëne, si u kthye një gjest dashurie në një betejë për të drejtat e grave
Nga Albert Vataj
Në shtatorin e vitit 2010, Licia Ronzulli u shndërrua në kryeqendrën e vëmendjes botërore kur hyri në sallën e Parlamentit Evropian në Strazburg me të bijën, Vittorian, një foshnjë voshtare vetëm 44-ditëshe, e mbështjellë ëmbëlsisht në një rrobë kraharori pas gjoksit të së ëmës. Ajo e mori të voglën me vete, e vendosur për të mos pranuar kompromisin e dhimbshëm mes ushqyerjes me gji dhe përmbushjes së detyrës si ligjvënëse.
Imazhet e Ronzullit duke votuar me foshnjën e saj të përgjumur pushtuan rruzullin me shpejtësinë e një rrezeje drite. Pamja e pazakontë zgjoi interesimin e zjarrtë të opinionit ndërkombëtar, por Ronzulli e pohoi qartë se pas atij akti fshihej një zgjedhje thellësisht personale, e jo një llogaritje politike.
Ajo asokohe u shpreh: “Nuk ishte një gjest politik. Mbi të gjitha, ishte një impuls amësie, dëshiroja vetëm të mekoja çdo moment të mundshëm me time bijë.”
Për tre vjet me radhë, e vogla Vittoria u bë hija dhe drita e së ëmës nëpër korridoret e vendimmarrjes Evropiane. Ulej pranë saj, me kufje të mëdha mbi veshët e vegjël, e nganjëherë ngrihte dorën e saj të vogël përpjetë në të njëjtit moment kur e ëma hidhte votën.
Fotografitë e kësaj dysheje amë e bijë u shndërruan në simbole të gdhendura në kujtesën kolektive. Megjithatë, Ronzulli nuk u mjaftua me shkëlqimin e përkohshëm të vëmendjes mediatike, ajo e kthei atë dritë reflektorësh mbi një plagë sociale, sprovat dhe betejat e përditshme të nënave që punojnë.
Me një zë tashmë të fuqizuar, ajo ngriti krye për mbrojtjen e të drejtave të lehonave dhe për një rrjet më dinjitoz mbështetjeje në rritjen e fëmijëve në mbarë Evropën. Përvoja e saj me Vittorian u bë shtylla e një përpjekjeje më të gjerë për të ndriçuar udhëkryqin e vështirë ku nënat përplasen përditë, duke balancuar me mund përkushtimin familjar dhe ngjitjen në karrierë.
Ajo që nisi si një përqafim natyral i një nëne për të mos u ndarë nga e bija gjatë orarit të punës, u shndërrua në një moment me jehonë ndërkombëtare, një shkëndijë që i dha zë të drejtave të lehonave dhe nevojës ulëritëse për mbrojtjen e amësisë në shoqërinë moderne.
KOHA JONË SONDAZH

