Pjetër Gjoka, kolosi që ndërtoi një tempull shpirtëror në artin skenik shqiptarë

Nga Albert Vataj
Nëse teatri shqiptar do të kishte një themel ndjenjash, zërash, figurash të përjetshme, në të do të ishte gdhendur emri i Pjetër Gjokës. Ai nuk ishte thjesht aktor, ishte vetë fryma e skenës, dishepull i artit dramatik, mjeshtër i fjalës, mimikës dhe thellësisë njerëzore. Ishte zëri që shkundte heshtjen, sytë që ndriçonin errësirën e skenës, dhe mendja që shtynte kufijtë e interpretimeve drejt përjetimit shpirtëror.
Ai u lind më 3 gusht 1912 në Ulqin dhe u rrit në Shkodër, qytet që do ta brumosë me frymën kulturore dhe do t’i japë skenën e parë, ku ai, ende fëmijë, ndjehet si në shtëpinë e vet. Në atë Shkodër që kumbonte nga bandat muzikore, koralet, shoqëritë kulturore dhe dramat amatore, Gjoka do të shfaqej si një talent i lindur, një shpirt që shkreptohej për të shprehur ndjesitë më të thella përmes lojës skenike.
Në moshën 16-vjeçare do të niste rrugëtimin artistik, por edhe fizik, ai ishte kampion kombëtar në kërcim së gjati, përfaqësues në Olimpiadën Ballkanike të Athinës në vitin 1933. Ky njeri mbante në trup një fuqi që shpërthente në jetë dhe në art, ndërsa në shpirt, një ndjenjë të thellë për formën dhe përmbajtjen, për ritmin dhe rezonancën e fjalës.
Para se të hynte në Teatrin Kombëtar më 1946, Gjoka kishte interpretuar në 27 role, shumica kryesore, në skena amatore, por me përkushtimin e një profesionisti të lindur. Në një kohë kur skena shqiptare mezi po ngrihej në themele, ai nuk ishte thjesht pjesë e saj, ishte themeli vetë.
Në vitin 1947 ngjitet për herë të parë në skenën e Teatrit Popullor me rolin në “Tartufi”-n e Molière-it, një ngjitje që nuk do të ishte më zbritje, por vetëm ngritje e pandalshme. E vërteta e talentit të tij shpërtheu në rolin e Haritonovit në dramën “Për ata që janë në det”, dhe prej aty, çdo vepër ku ai merrte pjesë, nderohej me forcën e interpretimit të tij të thellë, që tejkalonte lojën për të hyrë në sferën e përjetimit.
Rikujtojmë disa nga rolet emblematike: Otello, Makar Dubrava, Revizori, Hamlet, Mbreti Lir, Arturo Ui, Gjenerali i ushtrisë së vdekur… Të gjithë këta ishin më shumë se personazhe, ishin reflektime të një aktori që kishte kuptuar se teatri është një akt i shenjtë, një liturgji e shpirtit që flet përmes trupit dhe zërit të aktorit.
Në vitin 1976, në moshë të shtyrë dhe krejt i verbër, Pjetër Gjoka interpretoi në komedinë “Shënomëni dhe mua”, një akt që do të shënohej si një nga kulmet e përkushtimit dhe dashurisë së pakushtëzuar për artin. Nuk ishte më një aktor që shihte me sy, por një shpirt që shihte me zemër. Dhe publiku nuk e pa verbërinë, por ndriçimin që vinte prej saj.
Nuk ishte vetëm aktor. Ai ishte edhe regjisor, edukator, themelues i “Orës dramatike” në Radio Tirana, kontribuues në teatrin amator dhe profesional në qytete të ndryshme të vendit. Ishte ndër të parët që mori titullin “Artist i Popullit” në 1961. Ishte një zë që tingëllonte edhe në heshtje, një prani që mbetej edhe pasi skena zbrazet.
Tefta Tashko Koço dikur u mahnit nga zëri i tij tenor. Italia i ofrohej përmes bursave, por ai, si Prometheu, zgjodhi të mbetej me popullin e vet, në realitetin e tij të vështirë, duke u bërë zëri dhe figura që do ta çonte kombin drejt një teatri të vetëdijshëm e të ngjizur me ndjenjë.
Roli i tij i fundit në dramën “Epoka para gjyqit” dhe përpjekja e fundit regjisoriale në Gjirokastër, megjithë sëmundjen, flasin për një njeri që nuk e ndërpreu kurrë lidhjen me artin. Ai vdiq më 2 maj 1982, por nuk u largua nga skena jonë, ai është aty, në çdo zë që tingëllon me pasion, në çdo aktor që përkul kokën para mjeshtërve, në çdo skenë që kujton se arti është shenjtëri.
Pjetër Gjoka nuk ndërtoi thjesht karrierë. Ai ndërtoi një tempull shpirtëror për teatrin shqiptar. Ai ishte një nga ata rrallë artistë që nuk interpretojnë rolin, por e jetojnë atë. Ai nuk e shikonte skenën si një vend pune, por si një altar ku bëhej sakrifica për të bukurën, të vërtetën, për njeriun.
Nderim përkolosin e artit shqiptar. Respekt për një jetë që jetoi për të tjerët, për publikun, për fjalën dhe për skenën.
KOHA JONË SONDAZH

