Berisha: Ramа e çliroi Agasin nga akuzat, e çuan në burgun e Bradasheshit që kontrollohet nga Balla dhe Mila
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka komentuar arrestimin e Ergys Agasit, duke ngritur akuza dhe dyshime mbi hetimin ndaj tij. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarë, Berisha pretendoi se akuzat ndaj Agasit po lehtësohen dhe se ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama ka ndikuar në ndryshimin e tyre.
”Agasit po ia zbusin akuzat, Rama e ka çliruar nga akuza për pengmarrjen”,-tha Berisha. Po ashtu kreu i PD-së u ndal edhe te akuzat për tenderat, duke deklaruar se Agasi nuk kishte kompetenca zyrtare për zhvillimin e tyre. ”E akuzojnë për pabarazi në tendera, një njeri që nuk ka zhvilluar tendera”.
Sipas kreut demokrat, ndryshimi i akuzës nga “pengmarrje” në “heqje lirie” është një çështje e rëndë, pasi, sipas tij, dy veprat penale kanë dallime të konsiderueshme në penalitete. Berisha ngriti gjithashtu dyshime për mënyrën e arrestimit të Agasit, duke e cilësuar si të mundshëm një “arrestim të negociuar”. Ai tha se këto janë dyshime që duhet të hetohen.
Në vijim, Berisha kritikoi edhe vendosjen e Agasit në burgun e Bradasheshit, duke pretenduar se institucioni kontrollohet nga persona të lidhur me pushtetin. ”E çojnë në burgun që kontrollohet totalisht nga Taulant Balla, Sara Mila dhe karteli Çela”.
KOHA JONË SONDAZH

