Kryeministri Rama: Shteti përballë zjarreve me zërin e njerëzve. Banori: “Mbrëmë kemi dëgjuar erë shteti”

Situata e zjarreve vazhdon të jetë kritike. Edhe pse shteti ka reaguar nga toka dhe nga qielli për ta vënë situatën në kontroll, ende po vlerësohet çdo situatë dhe po trajtohet çdo rast.
Kryeministri Rama në publikim të bërë në mediat sociale ka sjellë situatën përmes zërit të qytetarëve.

Banorët e zonave të prekura nga zjarri në Krujë kanë shprehur mirënjohje për forcat zjarrfikëse, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile, për ndërhyrjen gjatë situatës së krijuar nga flakët.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama publikoi dëshmi të banorëve të Krujës, të cilët flasin për situatën e vështirë të përjetuar gjatë natës dhe për ndërhyrjen e forcave të angazhuara në terren.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një prej banorëve tha se zjarri rrezikoi banesën dhe lagjen e tij, duke vlerësuar ndërhyrjen e strukturave shtetërore për evakuimin dhe mbrojtjen e banorëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Këtu ka qenë shteti mbrëmë në këmbë, duke filluar nga ministri i Brendshëm te Hita, gjithë punonjësit e Policisë. Nëse nuk do ishin ata, shtëpia ime ishte djegur. Jua bëftë Zoti hallall atyre zjarrfikësve, policisë, emergjencave, të gjithëve! Mbrëmë kemi dëgjuar erë shteti”, u shpreh ai.

Një tjetër banor e cilësoi situatën si një prej momenteve më të vështira të përjetuara, duke falënderuar forcat zjarrfikëse, ushtrinë dhe Emergjencat Civile për gatishmërinë dhe ndërhyrjen.

Banorët vlerësuan gjithashtu punën e helikopterëve që ndërhynë për disa orë në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.

“Helikopterët kanë punuar katër orë pa pushim për të fikur zjarrin. Nuk e besoj akoma që e kam shtëpinë gjallë. Këtu ka qenë një tmerr i vërtetë”, tha një tjetër banor.

Një tjetër dëshmi vlerëson ndërhyrjen e strukturave shtetërore për mbrojtjen e banesave, duke e cilësuar punën e forcave në terren si heroike.

“Falënderoj ministrin e Brendshëm, forcat e policisë, zjarrfikësit. Është bërë një punë heroike”, u shpreh banori.

Ndërsa një tjetër banor theksoi se situata ishte veçanërisht e rrezikshme për shkak të përmasave të zjarrit, por ndërhyrja e strukturave të Policisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave ajrore bënë të mundur, sipas tij, shmangien e viktimave dhe dëmeve në banesa.

“Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Qeverinë për masat që mori që ne sot jemi gjallë, që banesa është e paprekur dhe objekti ku jetoj unë është i paprekur”, tha ai.

Banorët shprehën mirënjohjen për të gjitha strukturat e angazhuara në operacion, ndërsa situata në zonat e prekura po monitorohet për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë aktive dhe 2 janë në monitorim.

Agjencia për Media dhe Informim njoftoi sot se në operacione janë angazhuar rreth 525 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë rreth 270 efektivë të Forcave të Armatosura, 7 automjete zjarrfikëse, autoambulancë dhe 5 helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Krujë-Abaze vijon operacioni më i gjerë, me rreth 400 efektivë dhe mbështetje nga ajri me 3 helikopterë. Terreni i vështirë po e bën ndërhyrjen më komplekse. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Cikallesh (Kavajë) vijon puna për vënien nën kontroll të zjarrit, me forca nga disa bashki dhe mbështetje ajrore.

Në Mallakastër vijojnë operacionet në Ndrenie–Lofkënd–Vlosh, Koilaç–Greshicë dhe Hekal.

Në Dajt dhe Priskë e Madhe vatrat e zjarrit vijojnë në monitorim dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Zjarret në Xhaferaj–Oblikë, Uruçaj, Guri i Çpuar, Andon Poçi–Hundëkuq dhe Arrëz e Madhe–Arrëz e Vogël janë shuar plotësisht.

Sipas MIA-s, deri tani rezultojnë rreth 60 hektarë sipërfaqe të djegur.

Për sot parashikohet rrezik i lartë zjarresh në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?