Protesta jashtë kontrollit, Berisha: Rama kërkon gjak, vik*ima
Në një kohë që protesta ka dalë jashtë kontrollit, Sali Berisha akuzon qeverinë për dhunë shtetërore ndaj protestuesve në Tiranë, duke e cilësuar protestën si një ditë të mosbindjes civile në të gjithë vendin.
“Tirana përjetoi sot ditën e dhunës dhe terrorit më të egër shtetëror ndaj studentëve të rinj dhe qytetarëve”, deklaroi Berisha, duke pretenduar se protestuesit u përballën me gaz lotsjellës dhe plumba gome. Sipas tij, dhjetëra qytetarë mbetën të plagosur gjatë përplasjeve.
Berisha tha se mosbindja civile u shtri edhe në qytete të tjera të vendit, si Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora dhe Korça, duke e cilësuar protestën si një shprehje të revoltës qytetare kundër qeverisë.
“Edi Rama kërkon gjak. Edi Rama kërkon viktima”, u shpreh kreu i PD-së, duke akuzuar kryeministrin se në vend të zgjidhjes politike, po zgjedh konfliktin.
Në përfundim, Berisha i kërkoi Ramës të japë dorëheqjen, duke paralajmëruar për pasojat e përshkallëzimit të situatës.
“Jep dorëheqjen urgjentisht, mos ço Shqipërinë drejt një konflikti civil”, deklaroi Berisha.

