
Përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027 përballen me një mungesë të konsiderueshme financimi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka evidentuar një hendek prej 265,4 milionë lekësh në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, fonde që i konsideron të domosdoshme për ruajtjen e materialeve zgjedhore, mirëmbajtjen e sistemeve informatike dhe funksionimin e magazinave. Përmes një shkrese të datës 9 nëntor drejtuar kryetarit të Komisionit parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka kërkuar që këto nevoja të merren në konsideratë gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2027.
Sipas KQZ-së, institucioni kishte kërkuar 364,7 milionë lekë shtesë mbi tavanin e Programit Buxhetor Afatmesëm, por në projektbuxhet janë parashikuar vetëm 99,3 milionë lekë. Për pasojë, 265.467.232 lekë kanë mbetur pa mbulim financiar. Pjesa më e madhe e kësaj shume lidhet me tre zëra kryesorë: 180 milionë lekë për projektin e magazinës së materialeve zgjedhore dhe supervizimin e saj, 51,7 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve informatike dhe 33,7 milionë lekë për qiranë e magazinave në Vaqarr.
KQZ paralajmëron se mosfinancimi i këtyre shpenzimeve mund të ndikojë drejtpërdrejt në kapacitetet për ruajtjen dhe administrimin e materialeve zgjedhore, si dhe në gatishmërinë logjistike për procesin e vitit 2027. Shqetësim i veçantë ngrihet edhe për sistemet informatike. Sipas institucionit, shtyrja e mirëmbajtjes dhe testimit të tyre mund të rrisë rrezikun e ndërprerjeve të shërbimeve dhe problemeve të sigurisë gjatë administrimit të zgjedhjeve.
PERF ende pa financim, kërkohen 20 milionë lekë
Një tjetër çështje që KQZ ka ngritur përpara Kuvendit lidhet me Platformën Elektronike të Raportimit Financiar (PERF), e cila ende nuk është funksionale për raportimin financiar të partive politike. Për përmirësimin e platformës, institucioni i është drejtuar Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, duke kërkuar rreth 20 milionë lekë financim. Megjithatë, deri më tani nuk ka marrë një konfirmim nëse kjo shumë do të vihet në dispozicion. Fondet nevojiten për përshtatjen e platformës me kërkesat ligjore, standardizimin e kategorive të raportimit, verifikimin e të dhënave dhe publikimin e raporteve në formate të hapura. Celibashi kërkon që, nëse Këshilli i Evropës nuk e mbështet financiarisht projektin, shpenzimi të mbulohet nga buxheti i shtetit. Kjo kërkesë është e veçantë nga 265,4 milionë lekët e pambuluara në projektbuxhetin e KQZ-së.
Edukimi i votuesve dhe aksesueshmëria, sfida për 2027-ën
Në dokumentin drejtuar Kuvendit, KQZ ka paraqitur edhe prioritetet për organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Krahas trajnimit të administratës zgjedhore dhe garantimit të sigurisë së pajisjeve e sistemeve, institucioni synon të rrisë informimin e votuesve dhe të përmirësojë aksesueshmërinë në qendrat e votimit.Megjithatë, programi i standardizuar për informimin dhe edukimin e zgjedhësve është ende në fazën e hartimit. Fushatat informuese dhe matja e njohurive të votuesve nuk kanë nisur ende.
Një tjetër prioritet është garantimi i kushteve për votimin e personave me aftësi të kufizuara. KQZ parashikon verifikimin e qendrave të votimit, përgatitjen e materialeve informuese në të paktën tri formate të aksesueshme dhe trajnimin për votimin e asistuar. Për këto masa, përgjegjësia financiare u takon njësive të qeverisjes vendore, por KQZ paralajmëron se mungesa e mbështetjes së nevojshme mund të pengojë realizimin e tyre në kohë.
Ndërkohë, institucioni do të vijojë punën për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, si dhe përgatitjen e analizave dhe propozimeve teknike në kuadër të reformës zgjedhore. Me zgjedhjet vendore të vitit 2027 në horizont, KQZ kërkon që financimi i këtyre nevojave të mos mbetet jashtë buxhetit, duke argumentuar se vonesat në investimet logjistike dhe teknologjike mund të ndikojnë në përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor.
