Home POLITIKE Ligji i inves...

Ligji i investimeve strategjike, Jorida Tabaku: Cenohen zonat e mbrojtura dhe pronarët e vërtetë

35
0

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, në mbledhjen online të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, është shprehur kundër shtyrjes së afatit për ligjin e Investimeve Strategjike, duke thënë se cenohen zonat e mbrojtura dhe pronarët e vërtetë.

Tabaku u shpreh gjithashtu se ligji i investimeve strategjike është totalisht jo transparent në zbatimin e tij, ndërsa e ka cilësuar abuziv dhe jashtëzakonisht klientelist.

Deputetja përmendi dhe shkeljen e së drejtës së pronës duke thënë se përmendet dhe në progres-raport.

“Unë kisha disa komente në lidhje me ligjin tuaj zoti Shalsi, është një ligj që unë e kam ndjekur prej kohësh. Besoj ka disa shqetësime që janë me vlerë. Së pari njëherë, më vjen keq që përgjigjja e qeverisë për ligjin tuaj ishte “ neve nuk bëjmë asnjë ndryshim, neve nuk bëjmë asnjë përmirësim, neve vetëm kemi kërkuar që të shtyhet afati” dhe shtyrja e afatit për herë të pestë është jashtëzakonisht shqetësuese. Ju thatë që ligji i investimeve është duke u hartuar, në fakt ligji i ri i investimeve ka 10 vite që është duke u hartuar. Jemi në vitin 2014 kur ky ligj u prezantua dhe u tha se po hartohet një ligj integral për investimet dhe jemi në vitin 2024 dhe akoma po punohet një ligj integral për investimet.

Nuk besoj se në historinë 35-vjeçare të tranzicionit të ketë një proces hartimi të një ligji sesa ky i investimeve. Së dyti, mbasi i kam analizuar me kujdes, të paktën atë informacion që është publik, sepse e kam shprehur shumë herë shqetësimin që ligji i investimeve strategjike është totalisht jotransparent në zbatimin e tij; kam vënë re se nga 84 kërkesa ku mbi 40 janë të pranuara, 44 në mos gaboj, 75% janë për fshatrat turistike.

Sot AITA akoma nuk na ka dhënë vlerësim sesi këto investime strategjike kanë ndikuar në ekonomi, së dyti çfarë punësimi kanë sjellë, së treti si kanë ndikuar në stokun e investimeve të huaja, sa investime të huaja kanë ardhur në vend sepse pikërisht ky ishte qëllimi kryesor i këtij ligji, sjellja e investimeve të huaja që faktikisht nuk ka ndodhur dhe fakti që 75% prej tyre ndodhen dhe janë të realizuara në fushën e turizmit për mua është mjaftueshëm fakt për të thënë që ligji është absolutisht abuziv dhe jashtëzakonisht klientelist.

Kështu që zoti Shalsi, kur them herë tjetër se ka ligje që konsiderohen ligje kapje shteti, mos t’ju ngelë fare hatri dhe qejfi sepse nuk ka lidhje me ju, ka lidhje me qeverinë dhe mazhorancën dhe ka lidhje me faktin që ky është nga ato ligje pikërisht.

Së dyti, thënë kjo, unë kam një shqetësim real për pronën, për sa i përket të gjithë investimeve strategjike, një shqetësim dhe ju nuk e kishit akomoduar me kërkesa sepse ishit fokusuar në procesin e marrjes së vendimit, shqetësimi i marrjes së pronës është shqetësim që sot ka krijuar problematikën më të madhe në zbatimin e ligjit.

Unë e përmenda dhe në mbledhjen e kaluar, në kadastrën e Vlorës dhe në të gjithë qytetet e jugut problematika kryesore për korrupsion lidhet pikërisht me zbatimin e këtij ligji sepse ligji merr parasysh që pronat të cilat janë prona pronarësh legjitimë, ja ndërmjetëson dy privatëve për t’ja shitur këto me një çmim jo tregu por çmim VKM-je.

Shkelje e të drejtës së pronës përmendet dhe në progresraport, përmendet në disa progresraporte me rradhë si ligj i investimeve strategjike, problematikat që ka në zbatimin e tij dhe njëkohësisht përmendet dhe me ligjin e zonave të mbrojtura që fatkeqësisht kaloi pak javë më parë në Parlament. Ndërkohë që elementi i tretë lidhet me procesin”, tha Tabaku.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit